“Grifo d’argento” për Marsida Konin. Perugia e nderon me simbolin e saj - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
Nënkryetari i Bashkisë i ka dhënë pianistes, medaljen me simbolin e qytetit. Është vlerësimi më prestigjioz që Perugia u bën personave që shkëlqejnë në fushën e tyre e që ngrenë lart emrin e qytetit

Romë, 21 mars 2014 – Koncerti i fundit i mbajtur nga Marsida Koni me pjesët e diskut të saj “Historia ime - Shqipëria muzikore nën diktaturën e Enver Hoxhës”, veç suksesit të radhës, duartrokitjeve të ngrohta të publikut në sallë, i ka ofruar protagonistes një surprizë të këndshme. Nënkryetari i Bashkisë, Nilo Arcudi i ka dorëzuar pianistes shqiptare medaljen “Grifo d’argento” për meritat e saj.

Ky është vlerësimi më i lartë që bashkia e Perugias u bën personaliteteve të ndryshme që spikasin në fushën e tyre e që ngrenë lart emrin e qytetit në mbarë botën. Grifo, figura mitologjike me trupin e luanit dhe kokën e krahët e shqiponjës, mishërim i inteligjencës, agresivitetit dhe forcës, është simboli i qytetit dhe prej vitit 1277 shfaqet në të gjitha dokumentet zyrtare të tij.

"Vlerësimi nga qyteti që më ka adoptuar, ku kam ngritur familje, ku ka lindur edhe ime bijë, është diçka që nuk e prisja e më ka prekur. Po përjetoj vërtet një emocion të veçantë" thotë e lumtur Koni.

Ky vlerësim është një nga të shumtit që i janë bërë talentit e punës së Marsida Konit gjatë viteve. Ajo i bie pianos në skena të ndryshme të botës, përveçse në Itali e Shqipëri, edhe në Belgjikë, Kroaci, Gjermani, Maqedoni, Francë, ShBA, Kinë, Hong Kong. Është vlerësuar me çmime të ndryshme dhe sot është anëtare jurie në konkurse italiane e ndërkombëtare për piano. Nga viti 2005 interpreton duet, piano e klarinetë, me të shoqin, Piero Vincenti dhe së bashku kanë incizuar (në vitin 2010) një CD me veprën e plotë për klarinetë e piano Aurelio Magnanit.

Marsida Koni ka dëshmuar se është një pianiste e zonja, studiuese, e angazhuar dhe e besuar. Ka dhunti muzikale të pazakonta” ka thënë për të mjeshtri me famë botërore i pianofortes, Ennio Pastorino.

Kjo pianiste ka dhunti profesionale të jashtëzakonshme. Nxjerr në dukje art pianistik të shkëlqyer dhe një ndjeshmëri mbresëlënëse për stilin. I uroj Marsidës sukses të madh dhe shpresoj të kem rastin ta dëgjoj sërish”  janë fjalët e pianistes së madhe ruse Elena Ashkenazy (me të cilën ka dhënë edhe koncert pianoje me katër duar) kur e dëgjon për herë të parë në vitin 2007.

Marsida mund të konsiderohet një gjeni i mirëfilltë i pianofortes” shkruan për të La nazione. “Marsida (emri i saj frymëzohet nga Marte, perëndia e luftës), është një vajzë e bukur brune me sy të ëmbël, por me karakter të vendosur e luftarak” thotë mes të tjerash Corriere dell’Umbria.

Një nga projektet e fundit që ndjek tani Marsida, disku “Historia ime…” dhe promovimi e muzikës së kompozitarëve shqiptarë në Itali, me mënyrën e saj duke thënë dy fjalë mbi Shqipërinë komuniste të para viteve ’90, apo për formimin artistik kompozitorëve me notat e të cilëve ajo u rrit, po mbush sallat e teatrove të qyteteve të ndryshme të Italisë. “Realizimi i një programi vetëm me autorë shqiptarë ishte ëndrra disavjeçare, një premtim që i kisha bërë vetes dhe asaj muzike me të cilën u rrita. Vlerësimi që i bëhet kësaj muzike nga publiku i gjerë më kënaq pa masë”.

Keti Biçoku
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

 

Advertisement