Helidon Xhixha i dhuron tri vepra Shqipërisë në 100 vjetor të Pavarësisë - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
Skulptori nga Durrësi, i adoptuar nga Novara, Helidon Xhixha, i ka dhuruar tre nga veprat e tij shtetit shqiptar. Ato janë vendosur këto ditë në mjediset e Presidencës

Tiranë - Në Shqipëri gati i panjohur, ndërkohë që veprat e tij mbushin sheshet italiane, franceze, gjermane, amerikane… e kanë udhëtuar deri në Dubai… Është fjala për Helidon Xhixhën, skulptorin nga Durrësi prej vitesh rezident në Novara.

Të linte një shenjë në vendin e tij ishte një ëndërr e kahershme dhe ja tek ia behu momenti i duhur. Tri punë të tijat janë vendosur këto ditë në ambientet e Presidencës shqiptare. Një dhuratë që ai i bën vendit të tij. I diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Brera, i specializuar në Londër, skulptori Helidon Xhixha, i cili prej gati 20 vjetësh jeton mes Shqipërisë, Italisë e Dubait. Në një intervistë për Panoramën, ai tregon për projektin-dhuratë në Presidencë, krijimtarinë e tij artistike, fillimet e vështira në vendin përtej detit dhe rruga e gjatë për të krijuar personalitetin e tij prej artisti.

Shumë i njohur kudo në botë, por pak i njohur në vendin tuaj, si e gjetët më në fund “rrugën” për në Shqipëri?

Gjithçka lindi shumë natyrshëm, ashtu si lindin gjërat më të bukura dhe origjinale. Gjatë përurimit të një veprës sime në Regione Lombardia në Milano u takova me konsullin shqiptar në Itali. Duke biseduar mbi artin, normalisht lindi pyetja: Helidon, përse nuk keni bërë asgjë në Shqipëri? Faktikisht unë nuk kam pasur asnjë lloj kontakti, kam qenë gjithmonë i izoluar, nuk kam mundur të hyj në sistem dhe e kam pasur të pamundur që të realizoja ëndrrën time për të lënë një shenjë në vendin tim. Në të vërtetë, në çdo përurim, panair, ku prezantohet arti im, një nga pyetjet që më është bërë vazhdimisht, ka qenë: po ju çfarë keni bërë në Shqipëri? Kështu që ka qenë një dëshirë e përhershme për të bërë diçka këtu, ku kam lindur dhe jam rritur. Unë jam djali i Sali Xhixhës, artist i madh, edhe im vëlla, Ilirjan Xhixha, është artist gjithashtu, dhe për mua ishte nder i madh që këtij vendi t’i kushtoja, t’i lija një kujtim timin. Aq më tepër që ishte dhe rasti i 100-vjetorit dhe nuk mund të gjeje një rast më të mirë për të bërë një dhuratë. Pra gjithçka lindi natyrshëm, si një ëndërr që po realizohej.

Gjatë kësaj kohe ishte duke u restauruar ndërtesa e Presidencës, u propozua projekti im, i cili u pranua menjëherë. Erdha pashë ambientet, dhe solla punët që janë vendosur.

Një nga punët e mia është një skulpturë monumentale e vendosur jashtë, një tjetër është me dy ngjyrat e flamurit tonë kuq e zi dhe një pasqyrë, e vendosur aty ku do të zhvillohen takimet zyrtare të Presidentit. Të njëjtën frymë kanë edhe dy punë të tjera që do t’i sjell më vonë.

Nuk do të donit që punët tuaja të vendoseshin në ambiente publike, të ishin më të dukshme?

Nuk besoj se ka më të dukshme se kaq, pasi janë vendosur në institucionin më të lartë të vendit dhe do të ketë edhe një jehonë internacionale, do të fotografohen, do të jenë të pranishme në çdo takim. Nëse do të ketë kërkesa nga institucione të tjera jam i hapur për bashkëpunim, por tani për tani dhuratën time, ëndrrën time e kam realizuar dhe më mirë se kaq nuk mund të bëhej.

Ju punoni me materiale të forta, hekur, inoks, nga buron kjo zgjedhje?

Ne shqiptarët jemi popull energjik, transmetojmë energji, reflektojmë ëndrrat që kemi pasur dhe të gjitha këto lidhen edhe me materialin, pasi ne shqiptarëve na thonë jeni “uomini d’acciaio” (njerëz të çeliktë), përveç shqiponjës. Prej 15 vitesh punë kërkimore dhe zhvillimi arrita të përsos stilin tim me këtë material, në mënyrë që ai të ofrojë komunikim, të sjellë energji. Nuk e kam dashur asnjëherë skulpturën statike. Duhet që vepra të jetë e ngjashme me muzikën, të jetë e prekshme dhe t’i komunikojë çdo moshe, si artistit dhe atij që nuk ka lidhje me artin. Për mua arti është universal. Nuk ka ngjyra politike, u përket të gjithëve.

Alma Mile, Panorama

Lexo intervistën të plotë: Skulptori Helidon Xhixha, tri vepra dhuratë për Presidencën