Helidon Xhixha mes Brikolave të Venecias - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

Në hapësirat ekspozuese të ambienteve të Arsenalit të Venecias ka qëndruar për rreth një muaj e hapur ekspozita  “Tra le briccole di Venezia” (shq. Mes brikolave të Venecies), një projekt që përfshin 29 artistë, designer dhe arkitektë bashkëkohorë me famë botërore e mes tyre dhe skulptori me origjinë shqiptare, Helidon Xhixha. Një ekspozitë e rrallë kjo në llojin e saj, pasi veprat e realizuara nga artistët kanë të përbashkët materialin mbi të cilin janë krijuar: drurin e brikolave të Venecias.

Helidon XhixhaIdeja për një projekt të tillë është e Maurizio e Davide Riva, që drejtojnë ndërmarrjen Riva1920, e cila për filozofi të saj ka përpunimin e drurit puro (natyral). Pas “aventurës” me kaurin, drurin më të lashtë në botë, mëse 30.000 vjet, Riva ka rizbuluar Venecian, në kërkim të një risie, të një druri i veçantë, dru lisi i bardh e i kuq, me të cilin deri pak kohë me parë janë realizuar “le briccole”, ose më saktë, sistemi shtyllave që rregullon lundrimin nëpër kanalet e Venecias.

Projekti ishte pikërisht ky, ripërdorimi i brikolave, në mënyrë që të transformoheshin në një objekt pa domosdoshmërinë e të qenit diçka që prezanton lagunën, megjithëse e vështirë t’i shkëputësh nga konteksti. Brikolat janë me mijëra në Venezia, një sistem i krijuar me tre trungje druri të nguluara në fundin e lagunës e ku majat takohen mbi ujë, duke u përkulur drejt njëra-tjetrës me një kënd të pjerrët. Secila nga brikolat është e kataloguar me një numër, me koordinata dhe një seri karakteristikash të tjera e në hartën urbane të Venecias janë të shënuara prej shekujsh me pika të kuqe. Kohët e fundit këto brikola prej druri po zëvendësohen me brikola plastike, të cilat i rezistojnë ujit të detit. Ishte pikërisht ky fakt, që nxiti Rivën t’u propozonte përdorimin e këtij druri disa artistëve, arkitektëve e projektuesve për të krijuar me të objekte e vepra artistike. Rezultati i kësaj iniciative është një koleksion i jashtëzakoshëm dhe një libër, që dokumenton gjithë rrugën e përshkruar, nga materiali origjinal deri te objektet e krijuara.

Xhixha - reflekse të lagunësSkulptori me origjinë shqiptare Helidon Xhixha me brikolat e Venezies ka krijuar  “Reflekse në Lagunë” – një punim që bashkon brikolat, të cilat për shekuj kanë mbajtur qytetin e Venecias e ku historia se saj ka lënë gjurmët, me çelikun, i cili me riflekset e tij prezanton ujin e lagunës edhe ai dëshmitar i kohës që kaloi duke shoqëruar lëvizjet e anijeve, njerëzve dhe kulturave. Baza e objektit është realizuar në çelik inox  e ku në njërën anë me sipërfaqen e lëmuar, prezanton ujin e qetë dhe me anën tjetër, me sipërfaqen e modeluar, lëvizjen e ujit. Mbi këtë punim është vendosur syprina e realizuar me drurin e brikolave, duke ruajtur formën origjinale dhe skulpturore të skalitur nga historia e Venecias.

Artistit tonë Helidon Xhixha, i shtohet kështu edhe ky eveniment në biografinë e tij artistike, krahas të tjerëve të suksesshëm për të cilët kritika italiane e ka thënë fjalën e saj. Me plot bindje mund të themi se Xhixha po fiton me talentin e tij hapësirën që meriton në artin bashkëkohor. E dëshmojnë këtë katalogu “leggero come l’acciaio- light as steel” i të famshmes shtëpisë botuese italiane “Skira” me rastin e disa ekspozitave të artistit në 2009-2010, me tekst kritik nga Enrico Bandellino, Matteo Maria Rondanelli, Emilio Bandellino.

Acciaierie ArverdiÇdo ekspozitë ku merr pjesë Xhixha ka jehonë në shtypin nazional e internacional: revista kulturore periodike “Art-Style”, në dy numra radhazi i dedikon artikullin e Lucia Majerit “La forza del metallo-Helidon Xhixha”; gazeta “Padania”  e muajit gusht 2010, në artikullin “Çeliku i Helidon Xhixha, shqiptarit-padan” të kritikut Maurizio Mazzoleni, ku thuhej  “...jam i bindur që Helidon Xhixha do të bëhet një nga të mëdhenjtë e artit bashkëkohor… Sepse është i pari, në llojin e tij, dhe të jesh i pari në këtë botë është e rëndësishme. Helidoni ka zbuluar “ujin e ngrohtë”, ka zbuluar t’i japë formë një pllake çeliku, ta bëjë atë të ndritshme, të patinuar ose të kromuar, t’i japë ngjyrë  të kuqe, blu, të zi e të bardhë. E natyrisht që do thoshim: e thjeshtë. Por është i pari që e ka bërë këtë, i vetmi artist i madh, që ka menduar se edhe ky material në dukje i pashkatërrueshëm dhe i rëndë mund të hyjë në listën e materialeve që në historinë e artit kanë shkruar faqe të tëra”
Te projekti “Mes Brikolave te Venezies”, artisti me origjine shqiptare ka lënë “gjurmën” e tij ashtu si te ekspozita e këtij viti në Milano (Universiteti IULM), në Bologna (Museo Magi ‘900), në Legnano (ku dhe realizoi trofeun për garën tradicionale “il Palio di Legnano”), në Firenze, Como, Sardegna, Pistoia etj. pa përmendur këtu veprat monumentale që tashmë po “pushtojnë” sheshet e shumë komunave në Itali.
Njëra prej tyre, “Reinassaince of Towers” (rilindja e kullave) në çelik inoks, po bën “udhëtimin” e saj në qytete të rëndësishme të Europës (Venecia, Firence, Milano, Berlin)  për t’u vendosur përfundimisht në vitin 2014, në Ground Zero, në zemër të Nju Jorkut, në kujtim e nderim të viktimave të terrorizmit të 11 shtatorit.

Albana Temali, Bota shqiptare 244