Igli Tare, drejtori i ri i Lazio-s - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

Ka varur këpucët e futbollistit për t’u bërë drejtor sportiv i Lacios. Por ish-futbollisti i skuadrës së shqiponjës italiane dhe kapiten i kombëtares kuqezi, e sheh detyrën e tij të re si vazhdimësi të pasionit të vet për futbollin. Dhe të misionit të vet si ambasador i sportit shqiptar në Itali

tare_grande.jpgËshtë një nga shqiptarët më të njohur, në sektorin që prodhon më shumë emra për t'u adhuruar pa dallim race e feje. Për këtë futbollisti shqiptar, Igli Tare është shndërruar në një farë mënyre në një kartëvizitë e shqiptarëve në Evropë e veçanërisht në Italinë e paragjykimeve dhe të sistemit të gjykimit që nuk shkon përtej shablloneve televizive. Tare ka çarë shtigjet e futbollit italian për gjithë shqiptarët e tjerë që do të duan të hyjnë në të duke i veshur një vel prestigji mbiemrit shqiptar, por edhe duke bërë që nëpër mediat sipërfaqësore të shfaqet një tjetër imazh i një shqiptari të suksesshëm të adhurueshëm nga të gjithë sportdashësit përtej çfarëdolloj dallimi apo barriere nga ato që shumë shqiptarë kanë hasur në ato vite kur futbollisti shqiptare përshkonte ngjitjen e tij profesionale.

Emrin e tij e kemi parë në binom me skuadrat më në zë të kampionateve, si Karlsruhe, Brescia, e në fund Lazio. Madje kjo e fundit duket se ka qenë edhe dashuria më e madhe e sportistit i cili pas lënies së fushës është lidhur edhe më ngushtë me skuadrën duke u bërë drejtues i saj, gjë që është një hap përpara në karrierën e tij dhe një arritje e jashtëzakonshme për një futbollist, por edhe për emrin e tij shqiptar që do të vazhdojë të jetë simbol i një Shqipërie prestigjioze. Është i entuziazmuar Igli Tare nga pozicioni i ri, por edhe për misionin që vazhdon të ndiejë të vetin të qenit ambasador i Shqipërisë në një mënyrë tek e fundit shumë herë më përfaqësues se vetë diplomacia anonime që nuk mbërrin në veshin e njeriut të mesëm.

Por pas futbollistit të madh është një histori normale prej shqiptari të brezit të tij, që është rritur me futbollin në gjak si shumica e fëmijëve shqiptarë që shtyjnë ditët e tyre nëpër rrugicat ndërmjet pallateve duke luajtur me top me shokët, e duke imituar yjet e sportit që televizionet shqiptare transmetojnë në mënyrë të përpiktë. Ka qenë kjo shkolla e parë e futbollistit shqiptar. Më pas kanë ardhur grupet e futbollit rinor, e më pas ato profesioniste në botën e brishtë të futbollit të Shqipërisë së fund viteve '80 kur muret hermetike ishin duke u shkërmoqur. Kështu Tares i takoi i njëjti fat si shumë shqiptarëve të tjerë që zgjodhën të realizohen jashtë Shqipërisë, edhe për një arsye më shumë sepse futbolli shqiptar është ndër sektorët më të përvuajtur të paskomunizmit shqiptar dhe që vazhdon të vuajë pasojat e izolimit të madh. Por me shumë probabilitet futbollisti që iu largua atij futbolli do t'i kthehet atij sërish por me të tjera resurse, dhe me të tjera kontribute që me siguri do të bëjnë t'i shkruhet emri në historinë e nxjerrjes së futbollit shqiptar nga errësira.

Shqiptari i Italisë: Çfarë do të thotë për ju roli i ri që keni tani si drejtues sportiv i Lacios?

Igli Tare: Është një përgjegjësi shumë e madhe, sepse do të thotë që kam kaluar në një fazë tjetër, shumë më të vështirë se ajo e të qenit futbollist. Është një arritje e madhe pas karrierës si futbollist. Ishte diçka që prisja dhe të cilën e synoja prej kohësh. Është një arritje pa dyshim.

Si është të jesh shqiptar në botën e futbollit ndërkombëtar?

Të jesh shqiptar në botën e futbollit është diçka e ndërlikuar, por varet nga aspekti që shikohet. Si futbollist shqiptar po të isha në Shqipëri lidhja midis futbollit shqiptar dhe atij ndërkombëtar nuk do të ekzistonte, dhe nuk do ta shihja veten aspak si një shqiptar në futbollin ndërkombëtar. Një gjë e tillë nuk do të mund të ekzistonte, për vetë situatën në të cilën dergjet futbolli shqiptar. Për sa i përket situatës sime reale, pra si një futbollist shqiptar jashtë Italisë është për mua arritje e një të pamundure. Arritja e niveleve të futbollit ndërkombëtar është një gjë shumë e madhe për një futbollist shqiptar. Fakti që mu dha kjo mundësi duke dalë nga porta kryesore dhe duke u futur përsëri në portën kryesore është një stimul shumë i madh për mua, sepse nga njëra anë më jep krenari por edhe më jep përgjegjësi për të dhënë me këtë pozitë të re edhe më shumë se ç'kam dhënë nëpërmjet karrierës sime. Unë bëj pjesë tek ajo gjeneratë që hapëm rrugën për të gjithë futbollistët e tjerë shqiptarë. Veçanërisht në Gjermani do të vinin më pas Lala, Sela etj. Mund të themi se kemi pasur një vështirësi shumë të madhe për hapjen e rrugës së futbollit shqiptar. Tani për futbollistët e rinj është shumë herë më e lehtë sepse futbolli shqiptar ka tashmë një emër nëpërmjet disa futbollistëve të brezit tim që i kanë rritur krenarinë faktit të të qenit shqiptarë. Vështirësitë e mia kanë qenë të mëdha pasi vija nga një futboll shumë i dobët dhe nga pa asnjë lloj emri kështu që mu desh të ndërtoj gjithçka nga e para. Futbollistët e tanishëm psikologjikisht e kanë më të lehtë sepse kemi qenë më parë unë Rrapi, Strakosha etj ,dhe nuk duhet të përballen me vështirësitë e paimagjinueshme me të cilat jemi përballur ne. Duhet thënë se imazhi i futbollit shqiptar dhe i shqiptarëve në përgjithësi është përmirësuar në mënyrë të dukshme.

Ju tashmë i keni varur këpucët e lojtarit për të mbetur ama gjithnjë brenda futbollit. Është ndoshta momenti kur i riktheheni me mend fillimit të këtij rrugëtimi?

Si çdo fëmijë, ne shqiptarët vijmë nga një vend si Shqipëria që është ndoshta nga të paktët vende në botë ku lozet akoma futboll nëpër rrugë. Gjë që është shumë pozitive për ngjalljen e dëshirës për futboll dhe kultivimin e sportdashjes tek fëmijët. Unë i përkas një brezi të tillë, të rritur duke lozur me top në lagje. Prej këtej ka lindur pasioni dhe talenti. Më pas u angazhova me grupet e të rinjve të Partizanit, në moshën 15-16 vjeç ku arrita deri të lozja me ekipin e parë. Pastaj arrita të hyja edhe në ekipe të kategorisë së parë, duke marrë konfirmimin në atë lloj mënyre se futbolli ishte rruga ime dhe se duhej të vazhdoja të stërvitesha e të synoja gjithmonë e më lartë. Pastaj në vitet '90 si shumë shqiptarë edhe unë u tundova nga dëshira për të emigruar. Dhe natyrisht kështu bëra. U nisa drejt aventurave të mia. Pastaj pjesën tjetër e njohin të gjithë.

E pastaj erdhi përmbysja e viteve '90. Për ju u hapën dyert e futbollit që kishit ëndërruar...

Fillimisht shkova në Greqi ku u angazhova me disa skuadra greke jo duke lozur rregullisht por thjesht për tu aktivizuar. Nuk mund të lozja seriozisht në ato skuadra, siç mund të imagjinohet sepse nuk kisha dokumente, për arsyen e thjeshtë se nuk isha vorioepiriot, siç nuk janë 90% e shqiptarëve në Greqi. Kështu u gjenda i detyruar të zgjidhja ndërmjet marshit mbrapsht dhe vorioepirizimit që ta them sinqerisht, më duket krejt absurd dhe i papranueshëm për arsye identitare e psikologjike dhe prandaj si e pashë se nuk kishte rrugëdalje vendosa të kthehesha mbrapsht dhe të provoja sërish fatin në mënyra të tjera. Kështu u nisa drejt Gjermanisë ku për tre vjet u angazhova në skuadra të kategorive të treta, kjo ka qenë një nga keqardhjet e mia sepse për një periudhë pothuaj 5-6 vjeçare u largova tërësisht nga kombëtarja shqiptare, gjë që nuk më kishte ndodhur ndonjëherë, është një nga keqardhjet më të mëdha që kam pasur gjatë gjithë karrierës sime. Kalova pastaj në kategorinë e parë me Karlsruhe, dhe më në fund në vitin 97 mu dha mundësia të angazhohesha me kombëtaren shqiptare në Granada, ishin momente të vështira. Shqipëria duhej të luante kundër spanjollëve por nuk kishte asnjë mundësi që të luante në fushën e vet sepse ishte duke përjetuar tmerret e '97-ës dhe fusha ishte si të thuash në shtetrrethim. Që aty rinisi rikthimi im në kombëtaren shqiptare.

Futbolli ka ndikuar veçanërisht në këtë drejtim?

Mendoj se futbolli është e vetmja fushë pas rënies së komunizmit në Shqipëri që e ka përfaqësuar denjësisht ose që ka përmirësuar në mënyrë të dukshme imazhin e Shqipërisë jashtë kufijve të saj. Natyrisht e dhe të shqiptarëve. Kjo është një gjë që e kam ndjerë edhe mes shqiptarëve të Gjermanisë apo të Italisë, si unë si shumë futbollistë të tjerë, vihej re që për ta ishim shndërruar në ambasadorë prestigji, dhe na prisnin në mënyrë madhështore. Është një gjë që kam vënë re gjithmonë. Dukej se vuanin nga ky kompleks dhe mezi prisnin që të formoheshin figura të tilla për t'i përfaqësuar.

Ju keni kontribuar shumë edhe nëpërmjet peticioneve të ndryshme që keni firmosur në çdo rast kur mediat kanë bërë të vetën në përbaltjen e imazhit të shqiptarëve...

Fakti që unë kam firmosur, si shumë njerëz me imazh publik, si edhe jo vetëm futbollistët por edhe të tjerë artistët apo balerinët, duke qenë njerëz publikë kemi mundësi që të shfrytëzojmë imazhin tonë për të përcjellë imazhe të caktuara, konkretisht në këtë rast për të përmirësuar imazhin e Shqipërisë. Unë gjithmonë e kam ndier veten një ambasador të natyrshëm të Shqipërisë jashtë shtetit, dhe këtë imazh apo pozicion që unë kam e jap me shumë kënaqësi në shërbim të përmirësimit të imazhit të Shqipërisë. Në çfarëdolloj forme që të jetë e nevojshme për të përmirësuar imazhin e Shqipërisë, sepse unë e ndiej këtë të nevojshme, por edhe ndihem i detyruar moralisht për një mision të tillë. Bëhet fjalë si për ndërgjegjësimin e brezit të ri që është rritur jashtë Shqipërisë, duke qenë se jemi pika referimi për ta dhe në një farë mënyre jemi shndërruar në një kartëvizitë të marrëdhënieve të tyre me moshatarët apo me ambientin ku ata jetojnë dhe shpesh herë u japim prestigj, mendoj se është e nevojshme të angazhohemi për të përmbushur sa më mirë këtë gjë që siç thashë unë e konceptoj si një detyrim.

Çfarë prestigji ka futbolli shqiptar në botën e futbollit evropian?

Duke vënë re sot në Itali, në Gjermani, në Francë ku janë të shumtë futbollistët shqiptarë që janë shndërruar sot në figura qendrore të futbollit të këtyre vendeve, si Bogdani, Skela, Lala, Canaj, etj, mendoj se imazhi në botën e futbollit dhe të tifozëve jashtë Shqipërisë është gjithmonë e në rritje për vetë faktin sepse këta djem nëpërmjet punës dhe talentit të tyre po bëjnë që të marrin një emër tejet të mirë dhe t'i shtojnë normalisht edhe prestigj futbollit shqiptar jashtë Shqipërisë. Kështu le të themi se është në rritje. Por ndryshon plotësit çështja kur flitet për futbollin në Shqipëri, ku nuk bëhet fjalë për rritje, ka një disnivel shumë të madh ndërmjet këtyre dy futbolleve që janë megjithatë shqiptare. Është një fatkeqësi për ata që duan të bëjnë futboll në Shqipëri, sepse niveli i futbollit shqiptar, i organizimit, administrimit, çfarëdolloj aspekti që mund te jetë, për mendimin tim është jo në zero por madje edhe më pak se 0. Nëse një futbollist shqiptar do të jetë i denjë të shprehë vlerat e tij në futbollin e vlefshëm duhet patjetër të largohet nga Shqipëria për tu bërë dikush ndërsa qëndrimi në Shqipëri absolutisht nuk lejon një gjë të tillë.

Nga se varet kjo situatë?

Varet nga shumë gjëra, nga projekti që ka qeveria apo ministria apo konfederata e futbollit shqiptar, Mungon çdo gjë, mungojnë stadiumet, mungojnë idetë, mungon profesionalizmi mungon organizimi gjithçka... Mjafton t'ju jap një shembull absurd. Skuadra kombëtare shqiptare shkon të stërvitet përpara ndeshjes me Suedinë, shkon në një fushë për tu stërvitur dhe e gjen portën të mbyllur me dry, dhe i thonë s'ke për tu futur këtu për të bërë stërvitjen. Ja kjo është një gjë absurde. Po të ndodhë kjo dhe ta thuash në një vend normal, është një gjë skandaloze, dhe do të kishte ngjallur shumë debat kurse për Shqipërinë kjo është një gjë normale. Pra vlerat që përfaqësojnë janë të pavlefshme. Për një trajner që drejton një skuadër kombëtare kur ndeshet me të tilla fenomene skandalizohet. Por flasim për një sferë ku synohet gjithmonë të kualifikohemi në futbollin evropian dhe botëror. Ambiciet janë të mëdha, por nuk më duket se dikush e ka kuptuar si duhet vepruar, se nuk mjafton të flasësh ditë e natë për të ardhmen e ndritur dhe ambiciet e futbollit shqiptar. Këto gjëra bëhen duke u ulur në tavolinë e duke bërë projekte të detajuara që të zgjidhin gjithçka që nga çështja e stadiumeve deri tek organizimi dhe stërvitja. Ata që e drejtojnë e kanë shumë të thjeshtë sepse duhet shumë pak për të kënaqur nivelin e ulët që është në Shqipëri.

Është kjo arsyeja pse Kombëtarja shqiptare nuk shihet asnjëherë të klasifikohet në botëror e evropian?

Nëpër kampionate botërore nuk ka qenë asnjëherë. Janë të gjithë këta faktorë, por nuk mund tu dilet në fund të gjitha. Janë përmirësuar vetëm gjërat elementare, që janë të padukshme dhe që askush nuk i koncepton se nuk ishin siç duhet në këtë anë të botës. Por që të jesh largpamës e ambicioz ashtu siç thonë se janë në Shqipëri jemi shumë shumë larg. Por faktin se edhe skuadra të vogla mund të bëjnë rrugë në futbollin botëror e ka treguar për shembull rasti i Sllovenisë. Është një vend i vogël, i cili nuk ka as 10% të asaj që ka Shqipëria. Futbolli nuk është në Slloveni sporti numër 1, nuk ka infrastrukturën e duhur, nuk ka interesin e duhur, nuk ka stadiumet e duhura, etj të gjitha këto gjëra që në Shqipëri, janë të gjitha shumë herë më të mëdha se sa në Slloveni apo në Letoni. Por ja që vetëm në sajë të ideve të qarta dhe të projekteve të mirëorganizuara Sllovenia arriti të kualifikohej dhe të arrinte rezultate të mira, jo vetëm në evropian por edhe në Botëror, ndërsa Letonia në evropianin e 2002 arriti të hynte në kampionat pikërisht për këtë arsye. Është për tu çuditur, sepse kur unë kam lozur në Letoni me kombëtaren shqiptare, stadiumet letone ishin qesharake, kemi lozur në një stadium ku kishte vetëm një tribunë dhe asgjë tjetër. Kemi luajtur përpara vetëm 500 tifozëve. Por kur arrin të kesh një organizim perfekt, një hierarki të mirë në konfederatë etj mund të arrihen gjëra të mëdha. Për këtë jam mëse i bindur se këto shanse i ka edhe kombëtarja Shqiptare. Përveç kësaj shumë probleme vijnë edhe nga karakteri i lojtarëve shqiptarë, duke mos përjashtuar këtu as veten time, është rasti të bëj edhe autokritika. Fakti është që ne kënaqemi me pak, me një fitore apo ndeshje të madhe. Fakti është që kur vjen puna të arrish ekuilibrin apo vazhdimësinë ne nuk arrijmë kurrë rezultat. Kjo është një gjë që vihet re tek të gjithë futbollistët shqiptarë duke përfshirë edhe mua. Ka shumë elemente që e dëshmojnë këtë. Për këtë, jam i mendimit se të gjithë kanë faj, dhe elementet që nuk ecin janë të shumta e të shpërndara.

Po fakti që prej vitesh trajnerët e kombëtares shqiptare janë të huaj, ka ndikuar sadopak në përmirësimin e futbollit shqiptar?

Unë kam qenë iniciator i marrjes së trajnerëve të huaj në Shqipëri, sepse isha shumë i bindur siç edhe u konfirmua më pas se ishte zgjidhja më e mirë, për vetë faktin sepse imazhi, eksperienca dhe fryma e re që sjellin këta trajnerë janë gjëra që mungojnë në Shqipëri, fakti që nuk është një trajner shqiptar nuk përjashton që në të ardhmen nuk do të ketë edhe trajnerë shqiptarë. Sepse ka mundësi që në të ardhmen të vijën edhe trajnerë shqiptarë, kurse sot për sot është pamundur sepse mungon mentaliteti, fryma dhe përgatitja psikologjike e nevojshme. Unë e vija re për shembull me skuadra të mëdha nëse rriheshim 2 me 1 ose 2 me 0 trajnerët gëzonin sikur ne të kishim fituar ndeshjen sepse thoshin "mjafton që u rrahëm me 2 e jo me katër gola". Ky është mentaliteti por kjo gjë ndikon shumë edhe te lojtaret, ndërsa ajo për të cilën ka nevojë sportisti sot është ana psikologjike. Sot punohet shumë mbi të gjitha me anën psikologjike ndërsa ana fizike është diçka që çdokush mund të bëjë. Trajneri duhet të jetë edhe një psikolog shumë i mirë, për të ditur se çfarë duhet të transmetojë, dhe si të punojë me secilin për lojtarëve për të pasur sukses. Brezi i trajnerëve që qarkullon sot për sot në Shqipëri nuk paraqet asnjë nga këto prirje. Ata janë shumë mbrapa shumë amatoreskë.

Po ju do të donit të ktheheshit në Shqipëri të bëheshit trajner i ndonjë skuadre shqiptare?

Po është ëndrra ime që atë që kam marrë këtu ta vë në shërbim të futbollit shqiptar, qoftë me trajnimin e një skuadre, qoftë nëpërmjet një shkolle. Nuk di kur do të ndodhë kjo por është ëndrra ime. Për momentin veten e shikoj jashtë futbollit shqiptar për vetë faktin sepse jam i bindur se që të arrihen këto gjëra që thashë duhet të ketë një uniformim të organizimit dhe politikave, sepse të gjitha gjërat janë të lidhura, infrastruktura, hapja e vendeve të punës, investimet që i kushtohen futbollit dhe është e vetmja fushë që në këto gati 20 vjet ka treguar se mund të japë diçka. Ndërsa kur ka ndeshje të rëndësishme është interesante të shikosh se si politikanët shqiptarë zihen me grushte me njëri tjetrin për të marrë një vend të mirë në tribunë për të thënë pastaj shiko se unë isha, por pastaj për të marrë vendime shumë domethënëse për zhvillimin e futbollit shqiptar asnjë nga këto personaliteti nuk i jep rëndësinë e duhur. Në momentin kur të gjitha këto komponentë të jenë të bashkërenduara atëherë unë mund të mendoj të kthehem në Shqipëri, për të dhënë edhe unë kontributin tim, kurse për momentin një gjë e tillë nuk mund të bëhet, do të ishte një harxhim i kotë.

Po për promovimin e futbollit shqiptar çfarë mund të bëhet?

Ka shumë mënyra, më e thjeshta është emigrimi nëpër vende të ndryshme të botës dhe ndjekja e talentit në mënyrë të organizuar, gjë që në Shqipëri është e pa imagjinueshme. Para një muaji më ndodhi një ngjarje absurde. Në një ndeshje të Lacios me Riminin pashë në Rimini një lojtar nga Kosova , me shumë talent, i cili luan në kategorinë B, dhe pyesja veten si mund të rrijë ky këtu, t'i shpëtojë një lojtar i tillë. Prandaj për ta mbyllur do të thosha, futbolli shqiptar drejtohet nga njerëz jo kompetentë.

Marjola Rukaj

Shqiptari i Italisë i muajit tetor 2008