Kledi Kadiu: “Jam artist, jo sex-symbol” - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

Kledi Kadiut nuk shkojnë shumë për shtat etiketa si “sex-symbol” apo “ikonë e televizionit për çupërlina”. “Jam balerin – shprehet ai – dhe dua të më gjykojnë për vlerat profesionale”.
Balerinëve të sotëm, u kritikon dëshirën e paktë për të mësuar, për t’u ushtruar, për të sakrifikuar


Në turnè me “Non solo Bolero”, balerini i famshëm po shëtit skenat e mbarë Italisë, duke merituar kudo duartrokitjet e publikut. Në një intervistë dhënë edicionit fiorentin të të përditshmes “La Repubblica”, shprehet që nuk i pëlqejnë shumë etiketa si “sex-simbol” apo “ikonë e televizionit për çupërlina”.
“Sepse ndihem balerin – thotë Kledi – dhe kështu dëshiroj të më quajnë, edhe pse tashmë jam mësuar me pasojat e televizionit. Dua që të më gjykojnë për vlerat e mia profesionale, për atë çka përcjell si artist”.

Për karrierën e tij tregon se vërtet famën ia dhanë emisionet televizive, por po merret edhe me teatër, aq sa deri në janar nuk do të ketë mundësi të merret me televizion. Po zgjedhjen e televizionit në fillim e shpjegon: “Zgjodha ekranin për shumë arsye: ambicia, dëshira për t’u vënë në dukje, dhe  ndoshta isha edhe i ndikuar nga çfarë shihja në Shqipëri nga tv italian. Por fati im nisi me një episod të pafat. Pak pasi kisha mbërritur në Itali, në vitin 1994, u rendita në vend të mirë në një konkurs për të hyrë në teatrin e Veronës. Nuk më morën sepse, sipas rregullores së asokohe, i duhej dhënë përparësi shtetasve komunitarë”.

Kledi nuk i kursen kritikat ndaj balerinëve të rinj që nuk duan të sakrifikojnë, nuk duan të mësojnë e të marrin njohuri rreth artit që dëshirojnë të ndjekin. “Të rinjtë e sotëm janë gjithnjë e më sipërfaqësorë. Unë vij nga baleti klasik dhe jam munduar shumë për të mësuar e për t’u përmirësuar. Ndërsa sot të rinjtë vijnë në stage e nuk ta vënë veshin. Kujtojnë se mjafton të marrësh një orë mësim nga Kledi apo Anbeta për të qenë balerinë. Duket sikur u mjafton ta shkruajnë në kurrikulum”. Dhe mes të tjerash shpjegon: “Baleti është art që kërkon sakrifica. Nuk mund të praktikohet vetëm me trup, ka nevojë edhe që të ushtrosh mendjen dhe të mendosh për bagazhin kulturor. Të rinjtë dinë pak, e duken edhe më pak të interesuar të mësojnë. Gjatë stazheve apo leksioneve në shkollën time në Romë më pëlqen t’i vë në provë. U bëj pyetje nxënësve për operën lirike, për baletin klasik, por 80% e tyre nuk di as kush janë Nureyev ose Baryshnikov, nuk kanë parë një teatër apo operë”.

ke.bi.