Kozeta Kadilli, avokate 53 vjeç - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
Ka mbërritur në Itali, në Finale Ligure, në vitin1991. Edhe pse jeta e emigrantit nuk ka qenë aspak e lehtë, ka ndjekur me këmbëngulje e sakrifica ëndrrën e saj: të bëhet avokate. Sot, nënë me dy djem të rritur, është diplomuar në Jurisprudencë me një tezë mbi “Të drejtën ndërkombëtare dhe pavarësinë e Kosovës”

Të emigrosh në moshë të rritur, me familje e fëmijë, nuk është e lehtë për një grua. Akoma më e vështirë është, sidomos në fillim, të çash në një vend të huaj, duke menduar për punën e përditshme, familjen, rritjen shkollimin e fëmijëve. Janë të shumta ato që me përpjekje e këmbëngulje ia kanë dalë mbanë, edhe duke lënë në sirtar ndonjë ëndërr rinie. Por gra si Kozeta Kadilli nuk takon shpesh. E ka tërhequr gjithnjë profesioni i avokatit, “ndoshta për shpirtin luftarak”, siç thotë vetë, dhe së fundi ka arritur të realizojë objektivin që i kish vënë vetes: të diplomohet në drejtësi. E ka arritur pikërisht këto ditë marsi, plot 23 vjet nga ai udhëtim drejt të panjohurës që mori fillimisht i shoqi e më pas ajo me dy fëmijët e vegjël.

Tani ka nisur punë si praktikante avokate pranë studios legale të Lucrezia Novaros në Savona. Kur e kontaktojmë, është në gjykatë për çështjen e parë gjyqësore që ndjek.

“Sot kam nënshkruar kontratën e punës” tregon me kënaqësi e krenari Kozeta. E ka të drejtë të jetë krenare, ka dhënë tezën më 6 mars, duke u vlerësuar me 100 pikë, e brenda një jave ka gjetur punë.

“Studimet në universitetin e Genovas më zgjatën shtatë vjet, nga pesë që është koha e rregullt, por më shumë u vonova për zvarritje burokratike se për probleme në mësime. – nis të tregojë si të ishte vajzë e vogël që shkon në shkollë – Në pesë vjetët e parë kam marrë gjithnjë bursë studimi, rreth dy mijë euro në vit. Kam dhënë 37 provime, kam refuzuar të gjitha provimet ku kam marrë 22 pikë apo më pak (madje edhe një ku më vunë 27, por ndjeja se mund të arrija më shumë). Në fund në librezën time ka plot nëntë provime me notën maksimale, 3 nga të cilat edhe me “lode”, lavdërim”.

Jeni nënë me dy djem të rritur, bashkëshortin, një shtëpi mbi shpatulla. Kur arrinit të mësonit? “Unë kam punuar jashtë shtëpisë vetëm kur ndiqja vitin e parë, dhe ka qenë vërtet e vështirë, sepse fakultetin e kam ndjekur çdo ditë. Por metoda ime ka qenë të mësuarit natën, me rregullsi, deri në orët e para të mëngjesit. Nuk mund të lë pa hënë se kam pasur mbështetjen e jashtëzakonshme të burrit, Mehmetit, dhe të dy djemve Erionit dhe Iglit. Im shoq ka punuar gjithnjë e shumë orë në ditë. E kur isha me provime, në veçanti, ndihmonte shumë edhe në punët e shtëpisë duke më thënë gjithnjë “Ti mëso, lëri të tjerat”. Djemtë nga anë e tyre më kanë inkurajuar gjithmonë e kanë mbështetur plotësisht zgjedhjen time”.

Keni ndjekur universitetin rregullisht, a keni pasur problem që keni qenë mes bashkëmoshatarëve të bijve tuaj? “Aspak! Nuk jam ndier kurrë ngushtë mes studentëve të tjerë. E vetmja gjë që kam pasur gjithnjë ndër mend ka qenë: nëse ia dalin ata, pse të mos ia dal unë. E për më tepër po bëja diçka që më pëlqente e që do të më duhet në jetë”.

“Ditën që mbrojta tezën, djemtë e vajzat që kisha në kurs erdhën të shoqëruara nga të dashurit, prindërit, motra e vëllezër. Unë kisha në krah burrin, djemtë dhe të fejuarën e të voglit. Ishte bukur. Isha e lumtur dhe e emocionuar kur komisioni më dha maksimumin e pikëve të tezës që mbroja. Aq më tepër që ishte mbi “Të drejtën ndërkombëtare dhe pavarësinë e Kosovës” që më kishte përfshirë shpirtërisht.

Cilin drejtim të avokatisë mendoni të zgjidhni? “Pasioni im fillestar ka qenë e drejta e punës. Gjatë shkollës më pëlqente të bëhesha avokate civile. Por tani mendoj të specializohem në penale. Këtu ka komunitet të madh shqiptarësh e më pëlqen ideja që të mund të ndihmoj edhe bashkatdhetarët e mi. Sidoqoftë unë jam në fillim të rrugës së avokatit. Studioja ku po bëj praktikën ndjek qoftë çështje penale, qoftë ato civile. Me kohë besoj se do të kristalizoj më mirë ç’drejtim dua të marr”.

Keni 23 vjet në Itali. Pse vendosët të nisnit shkollën vetëm para shtatë vjetëve? “E vërtetë, kam ardhur në Itali në nëntor të vitit 1991. Im shoq erdhi me eksodin e marsit, me anijen Ilirija, e më pas erdhëm edhe unë me dy fëmijët e vegjël, Erioni 5 vjeç e Igli 4. Me të ardhur nisa punë. Në fillim në lavanderi, pastaj në një hotel, më pas kam shitur fruta e perime e kam shoqëruar për disa orë në ditë një të moshuar. Doja të regjistrohesha në universitet që në vitet e para por e kuptoja që paratë nuk na mjaftonin e duhej të punoja edhe unë. Para 7 vjetëve, kur tashmë fëmijët ishin rritur goxha, e vendosa. U regjistrova në universitetin e Genovas, në degën që kisha ëndërruar gjithnjë”.

“Shtatë vjetët e shkollës më kanë rritur vlerësimin për veten. Uroj që me diplomën time të bëj vërtet një punë që më pëlqen, të ndihmoj për të rritur mirëqenien e familjes time”.

Si do ta përmblidhnit me pak fjalë recetën tuaj të suksesit? “Për t’ia dalë mbanë në studime, nuk ka rëndësi mosha. Duhet të kesh pasion për profesionin, të kesh kujtesë të fortë dhe vullnet e shpirt luftarak. Asgjë nuk është e pakapërcyeshme”.

Keti Biçoku/ Shqiptari i Italisë

Leggi in italiano: Kozeta Kadilli: "Finalmente laureata. A 53 anni" (Stranieriinitalia.it)

(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)