Luli Bitri, muza e Giuseppe Verdit{br}Në teatër përkrah Michele Placidos - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
Në pjesën teatrale mbi jetën private të Verdit, regjisori e aktori i famshëm Michele Placido i ka besuar Bitrit rolin e sopranos çeke Tereza Stolz që  konsiderohej muza dhe e dashura sekrete e kompozitorit. Bitri: “U përpoqa t’i vesh këtij personazhi gjithë dashurinë e pasionin e tim si aktore”

Ndërsa gëzon suksesin e filmit të saj të fundit “Dimmi che destino avrò”, aktores Luli Bitri i ofrohet një rol i ri, këtë radhë në teatër. Michele Placido, regjisor e aktor i pjesës teatrale “Një puthje mbi zemër, gratë në jetën e muzikën e Verdit” (“Un bacio sul cuore. Le donne nella vita e nella musica di Verdi”) e ka përzgjedhur për rolin e sopranos çeke Tereza Stolz, muza dhe e dashura sekrete e kompozitorit të madh. “Me Michele Placidon u njoha në Busto Arsizio, në festivalin BAFF. Aty ai më propozoi për këtë projekt të rëndësishëm që bëhet në kuadrin e iniciativave të ndryshme për 200-vjetorin e lindjes së Giuseppe Verdit”, tregon Bitri për shqiptariiitalise.com. Në atë festival Bitri u vlerësua me çmimin Aktorja më e mirë për rolin e Alinës në filmin “Dimmi che destino avrò” të regjisorit Peter Marcias, ndërsa Michele Placido mori çmimin Aktori më i mirë tv e fiction, dhe filmi i prodhuar prej tij fitoi si filmi më i mirë. 

“Një puthje mbi zemër, gratë në jetën e muzikën e Verdit”, që shfaqet për herë të parë në Terme di Caracalla (selia verore e Teatrit të Operës së Romës) më 9 e 10 gusht, rrëfen historinë e dashurisë së Verdit me të shoqen Giuseppina Strepponi dhe sopranon çeke Teresa Stolz që është konsideruar muza e Verdit dhe e dashura e tij sekrete. Stolz ka interpretuar shumë nga operat e Verdit, Aidën, Amelian në Un ballo in maschera, Xhildën në Rigoletto, Desdemonën e Otellos. Ajo u bë shkas i trishtimit dhe i xhelozsë së Strepponit, që e shihte sopranon e re si një rivale në dashuri e në profesion. U deshën vite që e shoqja e Verdit të kuptonte se Stolz ushqente vetëm adhurim të thellë e të pastër për mjeshtrin e madh. E kur Strepponi gjeti paqe shpirtërore, Stolz u kthye në mikeshën më të besuar të çiftit Verdi deri në fund të jetës së tyre.

Në pjesën teatrale të Placidos, rolin e Verdit e luan ai vetë, atë të të shoqes aktorja e njohur italiane Isabella Ferrari, ndërsa Luli Bitri luan sopranon Stolz.

“Teresa Stolz është personazhi i një sopranoje boheme. – Tregon Bitri për personazhin e saj – Tashmë në karrierë e sipër, mrekullohet nga fakti që gjeniu i madh, kompozitori Giuseppe Verdi, i propozon të jetë protagonistja  e operave te tij. Giuseppe Verdi shkruan në një prej letrave të tij: "Unë dëshiroj që protagonistët e mi të kenë shpirt, të dinë të lëvizin në skenë, sepse operat e mija kanë nevojë për artistë modestë por që të interpretojnë me dashuri e passion”. Duke qenë se Teresa Stolz u bë muza e tij , do të thote që i përmbushte këto kritere”.

Këtë rol Luli Bitri e konsideron shumë të vyer nga ana profesionale: “Unë u përpoqa t’i vesh këtij personazhi gjithë dashurinë e pasionin e tim si aktore. Është një personazh që kërkon allegri, sharm femeror, sensualitet dhe forcë shpirterore. Pas dy roleve të mija të fundit, në filma tejet dramatikë, ky ishte një rol për të cilin kisha nevojë. Ishte bukur të jetoja në këtë periudhë, e rrethuar nga mrekullia e notave të Verdit dhe të thelloja njohjen time përsa i përket gjithë operave e jetës private të tij. Është ndjesi shumë e bukur për mua t’i rikthehem teatrit, dashurisë, magjisë që ai krijon. Aq më tepër që aktroj përkrah dy aktorëve që janë pjesë e historisë së kinemasë dhe teatrit italian”.

“Të punosh me Placidon është fat! – thotë me entuziazëm – Unë nuk arrija ta besoja në fillim, edhe kur i kishim filluar provat, edhe pse gjendeshim rreth një tavoline si kolegë tashmë. Michele Placido ka qenë personazh i dashur për familjet tona e s'mund të them që nuk e kam përjetuar me emocion këtë bashkëpunim. Ai më ka bërë të ndihem pjesë e grupit që në fillim. Një regjisor që më prezantoi para stafit duke përmendur gjithë arritjet e mija të vogla, duke më bërë të ndihem e vlerësuar. Si regjisor i respekton shumë aktorët. Në prova tavoline të gjithë kemi  thënë fjalën tonë, e jo vetëm për rolin që na përkiste, por për shfaqjen në përgjithësi.
Me pak fjalë mund të them se Placido është njeri modest, një regjisor e një partner që kritikon kur duhet, por edhe lavdëron e shpreh kënaqësinë kur gjërat shkojnë mirë”. 

E Ferrari, një ndër aktoret më në zë të teatrit dhe kinemasë italiane? “Isabella është një partnere fantastike, shumë e thjeshtë, shumë e sinqertë. Kemi folur gjatë për personazhet e njëra-tjetrës edhe pas provave. Modestia e saj më ka bërë shumë përshtypje. Ditët e fundit të provave në skenën e Terme di Caracalla kanë qenë magjike. Të interpretosh përkrah tyre në mes mureve shekullore, në mes të një pjese të historise romake, një histori kaq intime dhe njerëzore të një gjeniu të muzikës siç është Verdi, është një dhuratë e madhe”.

Pjesë e stafit të shfaqjes është edhe Damiano Ottavio Bigi, balerin i Tanzteater i Pina Bausch. “Edhe bashkëpunimi me të është një tjetër eksperiencë fantastike profesionale – shton Bitri - duke qenë se ndër ëndrrat e mija për të ardhmen është danztheater”.

“Një puthje mbi zemër, gratë në jetën e muzikën e Verdit” mbyll më 9 e 10 gusht stinën verore të Teatrit të Operës së Romës në skenën e magjishme të Terme di Caracalla. Më pas spektakli do të nisë turneun e tij në Toscanë. Më 10 tetor, dita e lindjes së Verdit, do të kthehet në Teatrin e Operës së Romës, e ndoshta do të regjistrohet për t’u shfaqur edhe në televizion.

Keti Biçoku

Foto nga premiera: