Mario Peqini në garë për titullin “Il più grande pasticcere” - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

Nis sot (ora 21:10) edicioni i dytë i programit të RAI 2 “Il più grande Pasticcere”. Mes 30 pastiçerëve të rinj më të mirë nga e gjithë Italia, edhe 28 vjeçari Mario Peqini, shefi i pastiçerisë së restorantit prestigjioz milanez “Il luogo di Aimo e Nadia”

Mario Peqini nis sonte një aventurë të re. Është një ndër 30 konkurrentët e rinj të edicionit të dytë të programit të RAI 2 “Il più grande Pasticcere” (sonte në orën 21.10), që pas gjashtë mbrëmjesh do të dekretojë pastiçerin më të mirë të Italisë.

Pastiçeri Mario Peqini është vetëm 28 vjeç, por prej kohësh e konsiderojnë si “artistin e pastiçerisë” me një kurrikulum të pasur që do t’ia kishte zili edhe një profesionist i fushës së tij në prag pensioni. Prej disa vjetësh është shef i repartit të ëmbëlsirave në një prej restoranteve më të vlerësuara në Itali, “Il luogo di Aimo e Nadia” në Milano.

Mario ka ardhur në Milano nga Durrësi me familjen kur ishte vetëm 13 vjeç. Ka ndjekur një shkollë hotelerie dhe u diplomua si kuzhinier teknolog. "Ky i imi është një pasion që kam qysh kur isha fëmijë, dëshira që të gatuaj për të tjerët më vjen nga brenda". Shkolla i ofroi shumë mundësi falë stazheve, dhe kështu “pati fatin”, siç thotë vetë për Shqiptariiitalise.com vite më parë, të njihej me Aimo Moronin ku nisi të punojë menjëherë pas studimeve. “Në restorantin e tij pashë e mësova shumë e shumë gjëra të zanatit që më pëlqyen menjëherë. Vendosa të shkoj e të punoj si pastiçer, duke u përpjekur të ndjek teorinë e Aimos mbi shijen dhe harmoninë e ingredientëve”. Më pas Mario nisi studimet në institutin e arteve kulinare Etoilè në Chioggia ku, - siç thotë ai me thjeshtësinë  që e karakterizon, - i dhanë mundësinë për të zbuluar “lojërat, nevojat, vështirësitë, ngazëllimet dhe dhimbjet. Duke më mësuar artin e jetës mbi të gjitha, që të jem i aftë të bëhem pastiçer duke qëndruar me këmbët në tokë”. Më pas ka punuar edhe krah Roberto Rinaldinit, pastiçer i njohur i AMPI-t (Accademia Maestri Pasticceri Italiani) në Rimini, dhe u bë Chef Chocolatier. Pas katër vjetësh, në moshën 24 vjeçare, u kthye sërish në Milano, te Aimo e pritën krahëhapur dhe  entuziastë për gjithë ç'kishte mësuar dhe e caktuan Chef Patissier, rol mbulon edhe sot në restorantin prestigjioz.

Në 2013-tën vlerësohet si “Shefi pastiçer më i mirë i vitit” nga “Identità Golose”, guida përvitshme e restoranteve më të mira të Italisë, Europës dhe Botës që vlerëson kuzhinën dhe pastiçerinë e nivelit më të lartë.
Për Marion, guida jepte këtë motivim: “Ka jetuar gjysmën e jetës në Shqipëri, nga ku u largua bashkë me familjen kur ishte vetëm 13 vjeç. Me babanë magazinier dhe nënën rrobaqepëse, me pengesën e parë italishten, ka studiuar rëndshëm për t’ia dalë mbanë. Në stafin e ‘Il luogo di Aimo e Dania’, krijon ëmbëlsirat në sintoni të plotë me pjatancat e kripura të ofruara nga restoranti”.

Dhe ja tani sfida e re: mes 30 konkurruesve të programit televiziv, do të vlerësohet nga tre mjeshtra italianë të pastiçerisë Luigi Biasetto, Leonardo Di Carlo e Roberto Rinaldini, të kryesuar nga Iginio Massari, ekselenca italiane në këtë fushë. Urojmë që Marion ta kemi në program deri në natën finale kur vetëm një prej konkurrentëve do të fitojë  titullin “Il più grande pasticcere”. Deri më sot Mario ka fituar çdo sfidë, jemi të bindur që do të dijë “të ëmbëlsojë” jurinë me krijimet e tij të mrekullueshme sa për sytë aq edhe për shijen.

Lexo edhe:
Mario Peqini, shefi pastiçer më i mirë i vitit 2013 në Itali
Mario Peqini që ëmbëlson Milanon
Keti Biçoku
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Il martedì tutto è possibile, anche scoprire quando torna Il Più Grande Pasticcere. Dal 27 ottobre in prima serata su Rai2 con Roberto Rinaldini, Leonardo Di Carlo, Luigi Biasetto e Iginio Massari.#IlPiùGrandePasticcere

Posted by Il Più Grande Pasticcere on Martedì 13 ottobre 2015