Marsida Koni. Për 100 vjetor të Pavarësisë, muzikë shqiptare në Romë - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
Në Romë, më 25 nëntor, do të japë një koncert recital në piano me pjesë të kompozitorëve shqiptarë të diskut të saj më të fundit “Historia ime”. Ndërsa deri më 18 nëntor në turne në Kinë e Hong Kong, po çon muzikën shqiptare në Pekin, Shenyang, Wohan, Shenzen etj.

Edicioni i tretë i koncerteve për piano Eufonia (që këtë vit mbahet në Teatrin Sacri Cuori, rruga Maglino Sabina, 33 në Romë) do të mbyllet të dielën, më 25 nëntor në orën 18, me recitalin e Marsida Konit, pianistes elbasanase që sot jeton në Perugia por jep koncerte në skenat anembanë botës. Dhe për këtë recital, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, ajo sjell në Romë muzikën e kompozitorëve shqiptarë Pëllumb Vorpsi, Tonin Harapi, Albert Paparisto, Limos Dizdari, Feim Ibrahimi, Çesk Zadeja e Kozma Lara, tingujt e "asaj muzike me të cilën u rrit".

Nuk mund t’i bënit dhuratë më të bukur vetes e Shqipërisë se të sillnit në Romë kompozitorët shqiptarë me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë.

Marsida Koni: Dua t’ju tregoj për një dedikim që kompozitori Kozma Lara më ka lënë para 11 vjetësh, në një libër me veprat e tij për piano: “Marsidës, pianistes që premton në të ardhmen ekzekutimin e veprave tona. Me respekt Kozma Lara. Tirane 23.04.2001”.
Ishte një premtim që i kisha bërë vetes dhe asaj muzike me të cilën u rrita. Realizimi i një programi vetëm me autorë shqiptarë ka qenë gjithmonë një ëndërr e imja në sirtar dhe 100 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë m’u duk momenti më i përshtatshëm për ta bërë realitet. Përfitoj nga rasti të falënderoj nga zemra profesoreshën Nadjezhda Porodini, pianisten Etrita Ibrahimi (vajza e një ndër kompozitorëve më të mëdhenj shqiptarë, Feim Ibrahimi) dhe pianisten Ardita Bufaj që më ndihmuan për të gjetur sa më shumë vepra shqiptare për piano.

Veç Romës ç’projekte të tjera keni për këtë nëntor festiv për Shqipërinë e shqiptarët?

Roma do të jetë vetëm një ndër qytetet ku do të luaj veprat e kompozitorëve tanë. Muzikën tonë po e luaj fillimisht në qytete dhe universitete te ndryshme të Kinës, ku jam nga data 25 tetor deri më 18 nëntor në turne, si në Pekin, Shenyang, Wohan, Shenzen etj., dhe në Hong-Kong, në Akademinë e Arteve. Më pas me një ftesë të Flora Nikollës, autore e librit “100 histori suksesi” që do të promovohet me rastin e Pavarësisë se Shqipërisë, do të shkoj në Tiranë për të marrë pjesë në Koncertin Gala që do të organizohet nga Albania Excellence më 23 nëntor pranë Teatrit të Operas dhe Baletit.

Më 25 nëntor do të jem në Romë, e ftuar nga Shoqata Kulturore Eufonia. Ftoj të gjithë bashkatdhetarët të vijnë (në Teatrin Sacri Cuori, rruga Maglino Sabina, 33 në Romë, të dielën, më 25 nëntor në orën 18) dhe të festojmë sëbashku, nën tingujt e muzikës shqiptare, nën tingujt e asaj muzike që na rrjedh në deje.

Pjesët që do të luani në Romë janë marrë nga një disku juaj i fundit.

Disku, që kam regjistruar në tetor quhet “Historia ime…”. Në të përfshihen një pjesë e veprave të cilat kam ekzekutuar gjatë rrugës së formimit tim pianistik në Shqipëri, nga fëmijëria deri në Universitet. Në fakt në Romë nën drejtimin artistik të Claudio Cavallaro dhe Andrea Tagliaferri, do të jap koncertin e parë me programin e plotë të këtij disku.

Marsida Koni, “Historia ime…”
Teatri Sacri Cuori, rruga Maglino Sabina, 33 – Romë
E diel, 25 nëntor 2012, ora 18.00 (hyrja falas)
Programi:
Pëllumb Vorpsi – Variacione mbi një temë popullore “Balladë”;
Tonin Harapi – 11 Miniatura (Ja gëzimi kthen përsëri, Moll’e kuqe topsheqere, Një dhimbje e vogël, Valle, Romancë, Në feste, Valle, Bisedë, Gjeta një bilbil, Valle).
Albert Paparisto – Valle; Lodër.
Limos Dizdari – Peisazh në ’36, Valle, Pjesë, Fëmijë të gëzuar (Etyd)
Feim Ibrahimi – Tokata; 6 Miniatura (Valle, Bariu i vogël, Valle e vogël, Nina - nana, Lodër, Pjesë lirike).
Çesk Zadeja – Humoreska, Monologu i Arbanit, Tokkata.
Kozma Lara – 6 Miniatura (Dhuratë për mësuesen, Valle, Këngë, Valle, Vals, Marsh); 2 Prelude; Ballada nr. 4 “Pastorale”.

Keti Biçoku

Lexo edhe: Marsida Koni: “Jeta pa muzikë nuk ka kuptim, është si një zjarr pa ngrohtësi”

Advertisement