Marsida Koni përcjell muzikën pianistike shqiptare në mbarë botën - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

Nxjerr një disk në shtator me Brilliant Classics e do të nisë regjistrimin e një tjetri në verë për Flipper Music. 
Për të parën herë, një pianiste shqiptare regjistron me shtëpi diskografike ndërkombëtare një përmbledhje kaq të gjerë të veprave pianistike të vendit të saj, duke bërë kështu të mundur shpërndarjen e njohjen e kësaj muzike në mbarë botën

Romë, 8 maj 2018 – Marsida Koni, pianiste e re shqiptare me famë tashmë ndërkombëtare në ambientet e muzikës, nuk harron rrënjët e saj. E dëshmon në mënyrën më të mirë të mundshme, duke ndihmuar të njihet në mbarë botën ajo që vetë Marsida njeh më mirë, muzika pianistike shqiptare.

Marsida Koni ka qenë Pedagoge pranë Akademisë së Arteve në Tiranë, sot Universiteti i Arteve, ku fitoi konkursin për pedagoge e brendshme pranë kësaj akademie menjëherë pas mbarimit të studimeve.

Prej vitit 2005, jeton në Perugia me të shoqin, klarinetisti i njohur italian, Piero Vincenti – me të cilin shpesh ndan skenën në duetet për piano e klarinetë – e vajzën e tyre të vogël.

Ka hapur shkollë pianoje, ku me pasion e përkushtim u transmeton nxënësve të saj çka ajo di dhe ndien lidhur me muzikën.

Dy vitet e fundit ka lidhur kontratë si Maestro Collaboratore me Konservatorin shtetëror të muzikës “F. Morlacchi” të Perugias, gjë që i mundëson të njohë e të shoqërojë në piano me dhjetëra të rinj instrumentistë.

Ndërkaq, ndër vite ka dhënë me dhjetëra koncerte në skena prestigjioze italiane e ndërkombëtare jo vetëm në Itali e Shqipëri, por edhe në Belgjikë,  Francë, Angli, Kroaci, Gjermani, Maqedoni, Portugali, Spanjë, Kinë, Hong-Kong, ShBA etj.  Ka bashkëpunuar me instrumentisë me famë ndërkombëtare si për shembull me Alessandro Carbonare, klarinetisti i parë i Orkestrës së Santa Cecilia në Romë që është sot edhe klarinetisti më i njohur në botë. Është anëtare jurie në konkurse italiane e ndërkombëtare për piano.

Në vitin 2014 Marsida Konit i është akorduar “Grifo d’Argento”, vlerësimi më prestigjioz që Perugia u bën personave që shkëlqejnë në fushën e tyre e që ngrenë lart emrin e qytetit.

E siç shkruanim në rreshtat e parë, me gjithë suksesin që korr në Itali e arenën ndërkombëtare të muzikës pianistike, Marsida Koni nuk harron kurrë Shqipërinë. Në vitin 2012, në 100-vjetorin e Pavarësisë, pianistja doli me diskun e saj të parë “La mia storia… - L’Albania musicale sotto la dittatura di Enver Hoxha” që promovoi me koncerte recitale në mbarë Italinë. Edhe pse një niveli shumë cilësor, sot Marsida e konsideron sidoqoftë një produkt “fatto in casa”.

Sepse prej vitit 2017 karriera e saj ka hedhur një hap shumë të madh dhe sot ka kontrata me shtëpi të rëndësishme diskografike të njohura në mbarë botën.

Disku i ri i Marsida Konit, nga shtatori në treg në mbarë botënKështu, kur përfaqësuesve të etiketës prestigjioze diskografike holandeze Brilliant Classics i dha diskun “La mia storia…” për një vlerësim nga ana e tyre, ndoshta as vetë nuk e priste që të pëlqehej e t’i ofrohej menjëherë publikimi i diskut me ta.

Më 2 dhjetor 2017, Marsida Koni regjistron albumin e parë për shtëpinë diskografike Brilliant Classics. Quhet “Albanian Piano Music”  e përmban 28 pjesë për piano, të gjitha të shkruara në periudhën e diktaturës, nga kompozitorë si Feim Ibrahimi, Çesk Zadeja, Tonin Harapi, Kozma Lara, Vaso Tole, Thoma Simaku, Limos Dizdari, Simon Gjoni etj.

“Për mua është një kënaqësi e jashtëzakonshme – thotë pianistja për Shqiptariiitalise.com – jo vetëm për prestigjin që ka kjo etiketë por edhe për faktin që disku do të jetë në pikat më të rëndësishme në mbarë botën ku Brilliant Classics shpërndan produktet e saj”.

Për publikimin e diskut është përkujdesur Rossella Clementi, kompozitore dhe producer, njohëse shumë e mirë e muzikës klasike dhe bashkëkohore që bashkëpunon me shtëpi diskografike prestigjioze qoftë duke u propozuar talente qoftë duke kuruar regjistrimin e post-produksionin e disqeve. Për bashkëpunimin me Marsidën dhe diskun “Albanian Piano Music” flet me entuziazëm.

“Brilliant Classics është shtëpi diskografike shumë e njohur me një shpërndarje kapilare në mbarë botën – thotë për Shqiptarin e Italisë – dhe fakti që Koni nxjerr një disk me këtë etiketë ka vlerë të shumëfishtë. Nga njëra anë është vlerësim i lartë për të si artiste të cilën Brilliant e pëlqen shumë dhe e konsideron një pianiste jashtëzakonisht të zonjën. Këtë e tregon edhe vetë fakti që Brilliant, e rreptë dhe serioze në gjykim e përzgjedhje, nuk ngurroi një çast të pranojë projektin e Marsida Konit. Nga ana tjetër, fakti që muzika shqiptare ka një vitrinë kaq të rëndësishme e të madhe i jep mundësi të njihet më shumë. Dhe nga përvoja ime personale, duke qenë se u përkujdesa për post-produksionin e diskut, mund të them që e meriton: muzika e regjistruar nga Koni është shumë e bukur, me cilësi të lartë kompozimi, harmonike dhe shumë melodike. Disku është diçka e rrallë në panoramën muzikore, e kushtimi i një hapësire kësaj muzikë bën pjesë në veprimtarinë e rekuperimit e të ruajtjes së muzikës tradicionale që bëjnë shtëpitë diskografike të rëndësishme. Tashmë disku është gati e pritet të hidhet në treg në shtator të këtij viti”.

“Publikimi me një shtëpi prestigjioze u hap dyert artistëve edhe për bashkëpunime të reja të nivelit të lartë” shton Rossella Clementi.

Në fakt, edhe pranvera e këtij viti duket se është po aq e frytshme sa viti i shkuar. Pianistja Marsida Koni, si shumë e shumë muzikantë të tjerë, i ka propozuar projektet e saj shtëpisë diskografike italiane FlipperMusic (me shpërndarje në mëse 50 vende të botës), që për këtë vit ka pranuar vetëm 7 projekte.

Mes artistëve të përzgjedhur është edhe Marsida Koni, madje është e vetmja të cilës i pranohen dy propozime. Dhe vetëm pak javë më parë Marsida ka nënshkruar një kontratë me etiketën FlipperMusic. Projekti i parë që do të realizojë me ta këtë vit quhet “Il 900 pianistico albanese” e siç e thotë edhe titulli do të jetë një CD me vepra shqiptare të shkruara deri në vitin 1999. Projekti i dyti i pranuar titullohet “Riflessioni pianistici del 900” dhe  do të përmbajë vepra të shekullit XX të kompozitorëve si Prokofiev, Ravel dhe Ginastera.

Dy disqet e Marsida Konit, “Albanian Piano Music” dhe “Il 900 pianistico albanese”, përbëjnë një risi absolute për të cilën duhet të jetë krenare jo vetëm pianistja por edhe mbarë bota muzikore shqiptare. Është herë e parë që shtëpi diskografike kaq të rëndësishme publikojnë disqe me përmbledhjen thuajse të plotë të veprave shqiptare pianistike të regjistruar nga një artist shqiptar.

Keti Biçoku
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Lexo edhe:
Marsida Koni: “Jeta pa muzikë nuk ka kuptim, është si një zjarr pa ngrohtësi”
Marsida Koni. Për 100 vjetor të Pavarësisë, muzikë shqiptare në Romë
Marsida Koni sjell muzikën e kompozitorëve shqiptarë në skenat italiane
Një duet shqiptar në edicionin e 40-të të Festivalit Ndërkombëtar të Klarinetës
“Grifo d’argento” për Marsida Konin. Perugia e nderon me simbolin e saj

 

Advertisement