Migena Proi, fituese e konkursit Lingua Madre - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
Është shqiptare fituesja e çmimit të parë të konkursit letrar Lingua Madre. Migena Proi, 27 vjeçare nga Vlora, është fituese me  tregimin e saj “Muzeu i të ardhmes”.  Për të katrin vit rresht, një shqiptare meriton një prej çmimeve më të larta të këtij konkursi

Romë, 14 maj 2012 – U dhanë sot në Torino, në Sallonin Ndërkombëtar të Librit 2012, çmimet fituese të edicionit të shtatë të konkursit letrar Lingua Madre, i promovuar nga Regione Piemonte dhe nga Panairi Ndërkombëtar i Librit në Torino e kushtuar grave të huaja me banim në Itali. Migena Proi, 27 vjeçare nga Vlora, është fituese e çmimit të parë të këtij edicioni me  tregimin e saj “Muzeu i të ardhmes”. Në motivimin e çmimit dhënë në konkurs lexohet: “Për fokusimin me forcë, nga një e re e brezit të dytë, në temat kryesore të migrimit: të qenët mes dy botëve, pritshmëritë dhe kontakti me realitetin e vendlindjes dhe atë të mbërritjes, iluzionet dhe zhgënjimet, të punuarit këtu dhe tani për të siguruar një jetë më të mirë atje e më pas, deri në gjetjen në të bardhën e spitalit vendin e një normaliteti dramatik por më në fund pa kontradikta. Oganizimi rrëfyes i pjekur, marrëdhëniet kohore të mirëkalibruara, evidencimi i dallimeve mes vetes dhe brezit të prindërve bindës. Një tregim që nuk kërkon kompromise, i drejtpërdrejtë, i shkruar me stil tërheqës  dhe gjuhë obsessive që emocionon dhe të përfshin”.

Fitueset e tjera janë Gracy Pelacani (Brazil), Irina Serban (Rumani), dhe për seksionin e Italianeve, Sabrina Grappeggia.

Këtë radhë, ndër dhjetë tregimet finaliste, përveç tregimit të Proit, ishte në garë edhe “Flas me hijen tënde” i Irma Kurtit. Edhe vitet e shkuara, shqiptaret kanë qenë gjithnjë protagoniste të këtij konkursi. Vjet, u rendit e treta shqiptarja Generda Braçe me tregimin “Mamme”. Generda Braçe, që mori stafetën e fitueseve shqiptare, ka tërhequr vëmendjen e jurisë mes 270 pjesëmarrëseve, përveç se për aftësinë e saj në të shkruar, por edhe për moshën. Ajo është vetëm 11 vjeç. Jeton me familjen në Alessandria që prej vitit 2003. Në vitin 2009 ky konkurs u fitua nga Alketa Kosova, ndërsa në vitin 2010 nga Kamela Guza, me tregimin “Vendi i kufijve”.

http://www.salonelibro.it/it/salone/concorso-lingua-madre.html