Një duet shqiptar në edicionin e 40-të të Festivalit Ndërkombëtar të Klarinetës - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
Elton Katroshi, klarinetë, i shoqëruar nga Marsida Koni, piano, janë përfaqësimi i parë i Shqipërisë në ClarinetFest, evenimenti më i rëndësishëm ndërkombëtar kushtuar klarinetës

Muzika shqiptare e luajtur nga dy instrumentistë shqiptarë do të jetë për herë të parë protagoniste në edicionin e 40° të ClarinetFest. Janë Elton Katroshi, klarinetisti i parë i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë, i shoqëruar nga pianistja e njohur Marsida Koni që jeton në Perugia. Ndërsa ClarinetFest është festivali më i rëndësishëm në botë që i kushtohet klarinetës e që do të mbahet në Assisi nga data 24 deri më 28 korrik.

Dyshja shqiptare, i vetmi propozim nga Shqipëria, u përzgjodh mes 400 artistëve nga 70 vende të ndryshme të botës dhe u vlerësua për origjinalitetin e saj. Ata do të luajnë më 27 korrik pjesë nga Tish Daija, Pjetër Gaci dhe valle shqiptare për klarinetë e piano. 

Elton Katroshi, 33 vjeç, ka studiuar në Tiranë dhe menjëherë pas studimeve të larta, 11 vjet më parë, ka fituar konkursin pranë orkestrës së Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit si klarinetist i parë, vend që mban edhe sot e kësaj dite. Ka ekzekutuar në këtë rol rreth 100 vepra operistike, balete dhe suita sinfonike. Si solist dhe në (muzikë dhome)  solistik ka ekzekutuar vepra nga autore si Camille Saint-Saens, Brahms, Chopin, Gade, Shostakovich, Cavallini, Rossini etj.

Katroshi ka aktivitet të pasur edhe jashtë Shqipërisë. Është i njohur në Itali, Francë, Belgjikë, Zvicër, Greqi, Maqedoni, Kroaci, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovinë, ku ka bashkëpunuar me dirigjentë si Eddi de Nadai (Itali), Martin Andre (Angli), Noorman Ëijaya (Indonezi) etj.

Prej disa vitesh është pedagog i jashtëm pranë Universitetit të arteve në lëndën e Klarinetës dhe Deshifrazhit.

Marsida Koni, tashmë e njohur për lexuesin tonë, së fundi ka nxjerrë edhe një disk me muzikë nga kompozitorë shqiptarë të cilin e ka promovuar anembanë Italisë me koncertet e saj. Kur nëntorin e shkuar solli në Romë këtë recital ishte e lumtur që i bënte këtë dhuratë vendit të saj në 100 vjetor. “Ishte një premtim që i kisha bërë vetes dhe asaj muzike me të cilën u rrita. Realizimi i një programi vetëm me autorë shqiptarë ka qenë gjithmonë një ëndërr e imja në sirtar dhe 100 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë m’u duk momenti më i përshtatshëm për ta bërë realitet” u shpreh atëherë për shqiptariiitalise.com.

Edhe sot, në prag të pjesëmarrjes së saj dhe të Elton Katroshit në ClarinetFest, shprehet e lumtur për pjesëmarrjen e Shqipërisë në një manifestim të tillë. “Marrin pjesë emrat më të mëdhenj të klarinetistëve nga mbarë bota si Philippe Cuper, klarinetë e parë e Teatrit të Operës së Parisit, Riccardo Morales – klarinetë e parë e Philadelphia Symphony Orchester, Eddie Daniels – legjenda e jazz-it, Karl Leister, për 35 vjet klarinetë e parë e Orkestrës Berliner Philarmonik. Më bëhet zemra mal që krahas tyre është edhe Katroshi të cilin shoqëroj në piano”.

ClarinetFest ka lindur në vitin 1974 në Denver, ShBA, dhe promovohet nga International Clarinet Association amerikane që çdo vit e propozon atë në Amerikë dhe njëherë në tre vjet e eksporton jashtë. Parashikon mes të tjerash, pjesëmarrjen e klarinetistëve më të mëdhenj në botë, një konkurs ndërkombëtar për klarinetistët e rinj dhe një panair të rëndësishëm për ndërmarrjet që prodhojnë klarinetat. Katroshi, për shembull, luan me një instrument artizanal italian "Patricola" dhe është i sponsorizuar nga vete kjo ndërmarrje si dhe nga ajo franceze "Vandoren", të njohura në nivel ndërkombëtar në prodhimin e kallamave të klarinetave dhe të pjesëve përbërëse të instrumenteve frymore.

Keti Biçoku

Advertisement