Olen Cesari. Jo aq papritur - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
Violinisti i njohur ka nxjerrë  diskun e tij të parë  në Itali. Quhet “Unexpected” dhe është një udhëtim   muzikën e 13 vendeve të botës që  nis nga Argjentina dhe përfundon në Australi, duke kaluar nëpër  Brazil,  Turqi, Izrael, Indi e, ­naty­risht, Itali e Shqipëri. Për Olenin këndojnë e luajnë miqtë e tij të vjetër të skenës, Sergio Cammariere e Lucio Dalla. Ndërsa Elsa Lila këndon  “A kanë ujë ato burime” 

Olen Cesari është nga ata persona që nisesh për t'i marrë një intervistë e përfundon ta bësh mik.  I qeshur e me humor, njeri që të flet lirshëm e me pasion.
Olenin e takojmë në një studio në Romë, nga tarraca e të cilës kishim një pamje të shkëlqyer: kupolën e Shën Pjetrit. Me kafetë që na ofron njëra pas tjetrës dhe anektodat e koncerteve, kalojmë dy a tre orë mes miqsh, si të njiheshim prej kohësh.

Olen Cesari është mjeshtri i violinës, që kritika e konsideron "Paganini i ri", "Virtuozi i Violinës". Ka lindur në Durrës, ka nisur t'i bjerë violinës që tre vjeç, "falë nënës koncertiste  - tregon duke qeshur ai - që mes lodrash të tjera më vuri në dorë edhe harkun e violinës. E përdorja fillimisht si shpatë për të lozur, deri sa kuptova për çfarë vlente më shumë". Nga ai çast ka thyer çdo etapë. Ka dalë në skenë që 5 vjeç dhe në moshën 7 vjeçare ka dhënë koncertin e tij të parë recital në Teatrin  Aleksandër Mojsiu të Durrësit, qytetit ku ka kaluar fëmijërinë. 13 vjeç mbaron Akademinë e Arteve për violinë në Tiranë dhe fiton titullin "Instrumentisti më i mirë shqiptar". Duke qenë ende i vogël e duke mos pasur ç't'i mësojnë më në vend, shteti i jep një bursë studimi për në Itali, gjë tejet e rrallë për Shqipërinë e viteve '90.

Këtu nis aventurën e re. Fillimisht për të siguruar jetesën, pasi të jetosh në Romë me mamanë me 360 mijë liretat në muaj të bursës, kur vetëm qiraja e shtëpisë ishte 500 mijë, nuk ka qenë aspak e lehtë. Siç tregon ai duke qeshur, mëson se në Romë ekziston sheshi Navona: merr violinën, një kapele dhe nis t'i bjerë për të mbledhur para. E bën këtë gjë për nja dy-tre muaj, pastaj nis Konservatorin Santa Cecilia në Romë. Edhe këtu diplomohet që në moshën 17-vjeçare, duke u bërë i diplomuari më i ri në violinë në historinë e konservatorit roman. Krah studimit nisin edhe pjesëmarrjet në koncerte të ndryshme.
Me të mbaruar në Romë shkon për studime fillimisht në Austri e më pas në ShBA. Por këtu vendos të lërë studimet në konservator e praktikisht nis t'i bjerë violinës në lokale të famshme nga ku kanë dalë shumë prej instrumentistëve më të mirë që ka muzika blues, rock, country, hip-hop e kështu me radhë.

Kthehet sërish në Romë, por me një vizion të ri. Këtu fillon të frekuentojë "Il Locale" dhe nis miqësinë dhe bashkëpunimin me Sergio Cammariere, Lucio Dalla, Max Gazè, Alex Britti.

Pas shumë shumë vitesh pune, koncertesh me të tjerë, në nëntor Oleni nxjerr albumin e tij të parë "Unexpected": trembëdhjetë pjesë nga po aq vende të botës. Është një udhëtim, siç e quan ai, në katër anët e botës, pa lënë jashtë Shqipërinë e Italinë. Për Shqipërinë ka zgjedhur "A kanë ujë ato burime" të kënduar nga Elsa Lila, që sipas tij, jo vetëm është më e mira, por e ka edhe shumë shoqe, jeton në Romë e janë shumë shpesh në kontakt. Për Italinë zgjedh këngën napolitane "Anema e core" dhe “kishte menduar të thërriste dy më të mirët, që për të janë numrat njësh: Sergio dhe Lucio". E ka fjalën për Lucio Dalla dhe Sergio Cammariere.  Disku shpërndahet on line, në tregun digjital, dhe sot është ndër më të kërkuarit. (Diskun mund ta gjeni edhe në faqet internet të Olenit)


Oleni e thotë qartë që është i kënaqur nga ajo çka bën e çka arritur, por... "Unë si artist e ndiej veten të sigurt e të qetë. Si shqiptar që jeton jashtë atdheut, më duket vetja si peshku jashtë ujit sepse nuk ka kurrë asnjë lloj kontakti, as nga ambasada" të thotë.

Bota Shqiptare: Prej dy muajsh ke nxjerrë diskun tënd të fundit...
Olen Cesari:
Thonë të gjithë kështu, sepse pas shumë vitesh , më në fund po nxjerr një disk. Në të vërtetë është albumi im i parë personal. Quhet "Unexpected".

E ke vënë brenda gjithë botën?
Jo jo nuk ia arrita. Do të doja por në fund të fundit kam përmbledhur 13 vende. 13 më të bukurit, më domethënësit për sa i përket muzikës. Janë nëntë pjesë klasike, le të themi. Kënga apo pjesë shumë të famshme nga bota. Ndërsa katër janë pjesë që kam kompozuar unë. Është një udhëtim nis nga argjentina dhe përfundon në Indi, duke kaluar nëpër  Brazil, itali, shqipëri, turqi, izrael e deri në Australi.

Për këtë disk, ke bash­kë­punuar me artistë të njohur e të mëdhenj si Lucio Dalla, Sergio Cammariere...
Po po, edhe shumë të tjerë. Pas 20 vjetësh që bashkëpunoj me artistë të ndryshëm si në Itali ashtu edhe jashtë saj, erdhi një çast e vendosa të bëj diçka timen, personalen dhe u thashë "tani e kam radhën unë". Duke qenë ata artistë të mëdhenj por edhe miq të mëdhenj, të gjithë iu përgjigjën me PO kërkesës sime. Kështu në disk kam Lucion, Sergion, Elsën por edhe të tjerë si Tony Levin (basist amerikan ndër më të njohurit në botë).

Bashkëpunimi yt me këto figura të mëdha të muzikës i ka rrënjët thellë në kohë.
Bashkëpunimi im me ta ka qenë i vazhdueshëm në këto njëzet vjet kur unë isha violinisti i tyre, natyrisht që tani nuk mund të them që ata janë bërë këngëtarët e mij, as që mund të mendohet. Por në këtë album i kam thirrur për të bërë secili një bashkëpunim sipas vendit të tij, për vendin e tij. Për Italinë kisha vendosur që të bëja këtë pjesë napolitane që titullohet "Anima e core" e kisha menduar të thërrisja dy më të mirët, dy që për mua janë numrat njësh: Sergio dhe Lucio. E me ta bëmë këtë këngë në një version shumë minimal. Për Shqipërinë si mos merrja Elsën, që jo vetëm është më e mira, por e kam dhe shumë shoqe, jeton në Romë e jemi shumë shpesh në kontakt. Për Brazilin është Rosalia De Souza. Lista pra është e gjatë.

Të kthehemi pak prapa kohë. Shkruhet gjithandej se Olen Cesari ka filluar t'i bjerë violinës kur ishte tre vjeç dhe pesë vjeç ka dhënë koncertin e parë
Është e vërtetë. Por e ekzagjerojnë pak, kam dalë në skenë pesë vjeç, por koncertin e parë recital e kam dhënë kur isha shtatë, në teatrin Aleksandër Mojsiu në Durrës.

Ke lindur me violinë në dorë?
Jo, por që kur isha tre vjeç mamaja më dha një violinë e më tha : luaj edhe me këtë. Në fillim luaja me harkun si të ishte shpatë, pastaj dalëngadalë me violinën. Kam patur fatin që kisha një mësuese në shtëpi. Pastaj në për sa i përket muzikës, sistemi  i shkollave në Shqipëri ishte i përkryer. Ka qënë fat dhe ai. Vite e vite studime...

Ty të kanë dhënë edhe një bursë studimi për jashtë shtetit. Ishte diçka e rrallë për kohën?
Kur isha dhjetë vjeç mbarova programin për violinë e duhet të hyja praktikisht në Universitet, që në Shqipëri quhej Akademia e Lartë e Arteve. E shkoja atje si një rast shumë i veçantë, më binte të studioja  me ata që ishin 23-24 vjeç. Bëra ato tre vjet atje e fitova konkursin si instrumentisti më i mirë në Shqipëri. Merre me mend në atë kohë, kur ishte akoma diktatura. Ishte diçka e paparë të kishe një bursë, dukej bukur: do të shkoja të studioja në Itali. Shkëlqyer! Por a e di ç'bursë ishte: 360 mijë lireta dhe vetëm qiraja e shtëpisë bënte 500 mijë lireta.

Domethënë nisën sakrificat?
Të pamasa. Unë u gjenda me mamanë këtu në Romë, pa asnjë kacidhe. Pas një farë kohe zbulova që këtu ekzistonte Piazza Navona. Një të shkuar, një të vënë një kapele përtokë, hapa violinën e fillova t'i bie. Këtë punë e bëra për dy muaj deri sa fillova Konservatorin. Aty pastaj ndryshoi puna. Koncert trio, shoqërim pianisti, kuartete, kështu gjërat filluan të merrnin për mirë.

Po edhe në Romë suksesi qe i menjëhershëm?
Duhet ta kërkoje se përndryshe nuk jetoje, duheshin para. Nga nevoja. Duhet të luaje në violinë që të haje. E për fat të mirë njerëzit më shihnin që i bija violinës e më thërrisnin gjithandej. Problem kanë qenë dy tre muajt e parë, pastaj hyra në "sistem" në Konservator e atje gjithçka ndryshoi.

Edhe në Santa Cecilia u diplomove shumë shpejt.
Ndodhi kështu. Unë u paraqita për provimin e pranimit në Konservatorin Santa Cecilia. Ata më thanë që mund të diplomohesha direkt sepse programin e zotëroja. U thashë: "Kam një bursë studimi prej 360 mijë liretash në muaj për dy vjet, ma lini ta shfrytëzoj e dua të marr vesh se ç'ndodh rreth e rrotull".
Në të vërtetë qe shumë i frytshëm konservatori në Romë për të mësuar ato aspekte të muzikës që unë nuk i kisha marrë në Shqipëri. Në Shqipëri ndiqej shkolla ruse dhe unë teknikisht isha i përkryer falë asaj metode. Kurse në Itali mësova aspektin artistik, gjithçka që komunizmi nuk më kishte lënë të kuptoja. Për shembull edhe vetëm për faktin që nuk mund të dilje dot. Nuk mund të shkoje për shembull në Vjenë. Pa shkuar në Vjenë si mund ta përfytyroje se ç'bënte Mozarti. Këto gjëra unë i mësova këtu. E kur isha 17 vjeç mbarova Konservatorin, po ajo është epoka e muzikës klasike për mua. Mbarova në Romë e shkova në Austri ku bëra Mozarteum, pasi mbarova edhe atë, shkova në Amerikë ku fillova një tjetër konservator. Po atë e lashë sepse kushtonte shumë. Aty thashë mjaft.

Po fillimet me koncertet?
Fillimet ishin në Amerikë. Sepse atje filloi periudha ime jo klasike. Gjithçka tjetër, veç jo klasike. Atje zbulova që nuk ekzistonte vetëm muzika klasike, por ekzistonte dhe blues, rock, country, hip-hop e kështu me radhë. E kishte një lokal ku çdo mbrëmje dikush luante një instrument. Kishte nga ata që akoma s'kishin bërë as diskun e parë. Për shembull atje luante Lenny Kravitz që ishte mjeshtër në kitarë, një blues man. Akoma duhet të bënte albumin e parë. Bëj një këtu, luaj me një tjetër atje, sikur po më pëlqente. Pas një viti e gjysmë u ktheva në Itali, por me një vizion krejt tjetër. Edhe në Romë fillova të frekuentoj vende të ngjashme si ato. Kishte një lokal që quhej "Il locale" nga i cili kanë dalë të gjithë, Max Gazè, Sergio Cammariere, të gjithë ata që dëgjon sot të këndojnë nëpër Itali. Çdo mbrëmje ishim atje, duke i rënë instrumenteve, duke kënduar e duke bërë dhe rrëmujë. Aty fillon për mua periudha romane që më pas "shpërtheu" me një koncert të Lucio Dallës.
Unë shkova ta dëgjoj një koncert të tijin, e kur shfaqja mbaroi, shkova tek dhoma e tij prapa skenës. E Dalla më tha: "Ah, ti je Cesari, kam dëgjuar të flasin mirë për ty, ma trego!". Thashë: "Hë pra, më thërrit pra". Më thotë  "A vjen nesër, merr me vete edhe violinën". Unë s'prita të ma thoshte dy herë, shkova me violinë e i bie një këngë në koncertin e tij në Teatro Olimpico. Mbaroj, përshëndes e bëhem gati të iki, kur ai më kap për krahu: "Jo jo jo, rri këtu". Bëra gjithë koncertin e të nesërmen më thotë :"Pse nuk vjen me mua në world tour?".
E ndodhi kështu që për një vit e gjysmë kemi bredhur nëpër botë pa u kthyer në shtëpi. Kështu pra, gati rastësisht, ka lindur bashkëpunimi me Lucio Dalla.

Po me Sergio Cammariere?
Sergio ishte në xhiron e atyre që frekuentonin "Il locale". Në atë kohë ai kishte një grup ku unë luaja e ku bënin pjesë Alex Bbritti në kitarë, Cammariere në piano, Max Gazè në bas dhe unë në violinë. Ky ishte grupi. Më pas, me kalimin e kohës, secili prej nesh filloi të ndjekë rrugën e tij, të nxjerrë albumet e veta dhe gjërat filluan të lëviznin. Flas për vitet 1995-96, ka kaluar shumë kohë, më shumë se 15 vjet.

Bashkëpunoni akoma? Bëni koncerte live bashkë?
Po. Por jemi më shumë se kolegë. Tani jemi bërë si një familje. Kemi bërë shumë koncerte bashkë, por tani gjërat kanë ndryshuar paksa. Më në fund doli dhe albumi im e unë tani për tani jam i orientuar të bëj më shumë gjërat e mia se sa të të tjerëve. Natyrisht po të më telefonojë Sergio e të më thotë: kemi për të bërë një koncert, shkoj me vrap. E para se është një artist i madh dhe sepse është si pjesë e familjes për mua, si njeri i shtëpisë. Pra tani bashkëpunime të shumta me të tjerët nuk kam, pikërisht sepse dua të bëj koncertet e mia. Po përgatis turneun  tim me këtë album. Dua ta çoj nëpër Europë e shpresoj nëpër botë.

Kur mendon të fillojë? Do fillojë nga Roma?
Them nga fundi i marsit a fillimi i prillit.
Kemi kontakte e kemi ndërmend të prekim Romën, Milanon e të dalim mirë, unë mezi pres. Por nuk fillohet një turne nga qytetet e mëdha. Fillohet nga Venecia për shembull. Pastaj zbret pak në Bologna e pastaj i afrohesh Firences e pastaj mund të përballosh Romën ku ke dymijë persona që të presin.

Si janë lidhjet e tua me Shqipërinë?
Të vazhdueshme. Falë politikës në vend gjërat kanë ndryshuar , hyn e del me qetësi. Në fillim kisha probleme, mbase psikologjike, për të shkuar. Përveç që në atë kohë aeroporti ishte i çuditshëm, aq i vogël sa nuk merrej vesh po hyje a po dilje, e kam fjalën për periudhën menjëherë pas hapjes, 1992-93. Pastaj prapë probleme në 1997 e kthimi i parë që kam bërë i qetë ka qenë në vitin 2002. Që atëherë Shqipëria për mua ishte një vend si gjithë të tjerët, shkoja, jepja koncert e ikja. Kurse ka nja tre vjet që kam ndryshuar. Shkoj për pushime, edhe pse te shkurtra, shkoj në jug ku s'ka fjalë për të përshkruar detin dhe gatimin.

Po për koncerte?
Kam luajtur në Teatrin e Operës dhe në Pallatin e Kongreseve. Dhe janë pritur shumë mirë. E di që janë vendet më të rëndësishme, por mua do më pëlqente  të bëja diçka tjetër. Nuk di nëse do arrijmë ta bëjmë, por do të desha që në bashkëpunim me kryebashkiakët të bëja një miniturne me nja dhjetë koncerte në teatrot e qyteteve. Do më pëlqente shumë të shkoja në Durrës, në qytetin tim, të jepja një koncert. Unë s'kam dalë kurrë më në skenë në Durrës, kurrë. Kam luajtur në çdo cep të botës, atje jo. S'më ka arritur kurrë një telefonatë a një e-mail që të më thotë: "bëjmë diçka". Se unë nuk është se do të shkoj vetëm, kur lëviz për gjëra të tilla, merr me vete gjithë grupin, muzikantët e bashkëpunëtorët. Po them se dalëngadalë dhe atje do të vijë momenti  të bëhen gjëra të tilla.
Nuk di nëse problemi është organizativ apo qëndron gjetkë, nuk ia kam idenë si funksionon atje. Unë si artist e ndiej veten të sigurt e të qetë. Si shqiptar që jeton jashtë atdheut, më duket vetja si peshku jashtë ujit sepse nuk ka kurrë asnjë lloj kontakti, as nga ambasada. Dikush që të të thotë: ne po organizojmë diçka, do të vish edhe ti?

Po ti do të ishe i gatshëm?
Natyrisht që po. E kam thënë edhe herë të tjera, edhe në Shqipëri. Kur është fjala për vendin tonë, pjesën tonë ne e bëjmë, sidoqoftë, pa pritur të na e kërkojnë institucionet. Por nga ana tjetër duhet thënë që institucionet për ne nuk bëjnë asgjë. Për të të thënë një shembull: as ambasada nuk bën gjë, të të thërrasin njëherë e të të pyesin "Po organizojmë këtë eveniment. Dëshiron të vish?". Nuk më kanë kontaktuar asnjëherë, hiç fare.
E këtu ka artistë të zotë, që nuk janë të dorës së dytë. Në të gjitha fushat e artit. Dhe padyshim ka shumë e shumë të tjerë, më pak të dukshëm, që në profesionet kanë arritur majat e karrierës. E Shqipëria nuk bën asgjë për t'i mbajtur pranë këta njerëz.
Ne jemi munduar me të gjitha mënyrat të japim një imazh të drejtë e të vërtetë të Shqipërisë nëpër botë. Sepse sidoqoftë, ti je ai që je. Një periudhë këtu në Itali ishte shumë e vështirë të thoshe që je shqiptar sepse televizionet çfarë nuk jepnin, s'merrej vesh. Ishte e natyrshme që pas 50 vjetësh mbylljeje, kur brigjet u hapën, nga Shqipëria ikën edhe disa nga ata që kishin dalë nga burgjet e ishte e natyrshme që të krijonin probleme. Prandaj ku i thoshe njeriu "jam shqiptar" kush e di se ç'mendonte. Në të vërtetë gjërat ishin krejt ndryshe.

Po ti e ke vuajtur këtë gjë?
Natyrisht që po. Sigurisht je muzikant, je në skenë, njerëzit vijnë të të dëgjojnë. E ti je ai njeri që i bën të mendojë "po s'janë dhe aq keq këta shqiptarët". Pra në një farë mënyre ndërroje rrjedhën e gjërave. Prandaj më vjen shumë keq edhe për çka ndodhi në janar në Shqipëri sepse dëmton imazhin. Ajo ngjarje dëmtoi imazhin për të cilin ne kemi vite të tëra që mundohemi. Që mundohemi të tregojmë se realiteti nuk është ashtu siç është pasqyruar. Pastaj arrijnë të tilla ngjarje - me gjithë keqardhjen e thellë për ata që humbën jetën dhe për dhimbjen e familjeve të tyre, edhe unë vetë e përjetova më shumë trishtim atë që ndodhi, - dhe imazhi i Shqipërisë bëhet copë copë.

Edhe gjatë një takimi me Ministrin e Jashtëm shqiptar ai na kërkoi që të bëjmë sa më shumë për imazhin e Shqipë­risë dhe të shqiptarëve.
Po as ka nevojë të na e kërkojnë. Unë nuk e di pse ndodhi ajo që ndodhi në janar sepse nuk jam politikan, jam muzikant. Unë di të them se për sa i përket imazhit ne jemi ambasadorët e Shqipërisë jashtë vendit dhe bëjmë ç'është e mundur për të përçuar idenë se vendi ynë është një vend i qetë, ku burrë a grua qofsh mund të qarkullosh në çdo orë të ditës apo të natës. Edhe në Romë ka lagje ku është mirë të mos shkosh vetëm. Për mos të përmendur Napolin. Kurse në Tiranë, në Shqipëri, ti lëviz si e kur të duash e asnjëri nuk të thotë gjë. Prandaj them që imazhi është shumë e ne mundohemi të bëjmë me sa i kemi mundësitë.

Si e sheh të ardhmen tënde?
E shoh me shumë koncerte. Për fat të mirë kam bërë këtë disk duke e shpërndarë në version dixhital, dmth që e gjen në të gjitha dyqanet e botës. E promovova dhe në Shqipëri gjatë festave, pastaj e promovova në Turqi, tani është në promovim në Itali, pas pak kohësh do të fillojë promovimi në Spanjë e njëkohësisht fillojnë dhe koncertet këtu. Kjo është tani për tani.
Në të ardhmen, gjatë karrierës sime, dua të interpretoj në të gjitha teatrot e botës. Ku kam shkuar me Lucio Dallën, dua të shkoj në grupin tim sepse dua të çoj nëpër botë këtë projekt që është një udhëtim rreth botës në muzikë duke sjellë disa nga pjesët që sipas meje janë më të rëndësishmet për çdo vend. Për Rusinë është Kalinka, për Shqipërinë "A kanë ujë ato burime" që mua më pëlqen shumë, për Italinë "Anima e core", për Argjentinën "Libertango" i  Astor Piazzola, për Brazilin "Aguas de Março", pra më të bukurat e botës. Katër këngë i kam bërë vetë sepse nuk i gjeja. Për Turqinë, unë e njoh muzikën, që për disa aspekte është e ngjashme me tonën, për disa nuanca melodish e harmonish. Por nuk arrija të gjeja këngën, atë që të ma mbushte mendjen. E thashë: "A s'e bëj vetë?" Po ashtu dhe Afrika.  E bëra si regjisorët: mbyll sytë dhe krijo skenën. Unë bëra të kundërtën ama.

Ti je tamam ai që cilësohet si qytetar i botës, apo gabohem? Mos muzika të ka bërë të tillë?
Muzika për mua është gjaku, oksigjeni që po të mungojnë... e ke punën pisk.  Kjo është muzika për mua. Ajo  më ka çuar gjithandej.
Unë shumë shpesh jam në Face Book. Ka një program që regjistron në sa vende ke shkuar. E pashë që kisha qenë në gati shtatëdhjetë vende. E kam humbur llogarinë e qyteteve, por mbaj mend që shtetet janë gati shtatëdhjetë. Muzika kështu e ka. Në fillim bredh e bredh e kur ndalesh sheh se ke qenë gjithandej. Unë do desha të shkoja në teatrot më të mëdhenj ku kam luajtur më me të mëdhenjtë, më ata që janë pjesë e historisë. Dua të shkoj atje me grupin tim e të them: "Mirëdita ja ku jam!".

Keti Biçoku

Botuar në Bota Shqiptare 253, 54-28 shkurt 2011