Paci e Hila, eksponentët e artit shqiptar, në Biennalen e Arkitekturës në Venecia - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
Pavijoni i Shqipërisë këtë vit titullohet “Potential Monuments of Unrealised Futures”. Përurimi sot në orën 15.30 në prani të kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro. Pavijoni do të qëndrojë hapur për publikun nga 7 qershori deri më 23 nëntor 2014

Të shtunën, më 7 qershor hap dyert për publikun e gjerë Biennale e Arkitekturës të Venecias në të cilën Shqipëria përfaqësohet me dy nga artistët e saj më të vlerësuar në arenën ndërkombëtare, Adrian Paci me veprën e tij "The column" dhe Edi Hila me serinë e pikturave “Penthouse”. Pavijoni i Shqipërisë këtë vit titullohet Potential Monuments of Unrealised Futures” (Monumentet potenciale të të ardhmes së parealizuar), realizohet nën kujdesin e Beyond Entropy Europe (e përfaqësuar nga Jonida Turani dhe Stefani Rabolli Pansera), që vitin e shkuar ka qenë ideatore e pavijonit të Angolës në Biennale, për të cilin u shpall dhe fituese e “Luanit të Artë” si përfaqësimi më i mirë kombëtar. Për inaugurimin e Pavijonit shqiptar, që bëhet sot (6 qershor) në orën 15.30, kanë ardhur në Venezia edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro.

Qoftë për emrat e artistëve, qoftë për ata të kuratorëve, ekzistojnë të gjitha premisat për suksesin e pavijonit shqiptar.

Adrian Paci, prej vitesh me banim në Milano, ka ekspozuar në muzeumet e artit bashkëkohor më të rëndësishme të mbarë botës, nga Nju Jorku në Paris; ka marrë pjesë edhe më parë në Biennalen e Venecias e ka fituar çmimin e Quadrinnale XV të Romës. Në edicionin e sivjetshëm të Biennales ai sjell në Venecia projektin madhështor “The Column”, të paraqitur fillimisht vitin e shkuar në dy ekspozitat e tij personale në Jeu de Paume të Parisit dhe në PAC të Milanos.

“The Column” është historia e një blloku mermeri  të marrë nga një gurore e Kinës, e kthyer në një kolonë të stilit korintik në det të hapur, në një anije-ofiçinë  falë punës së lodhshme të artizanëve kinezë, të mbuluar nga pluhuri i bardhë i mermerit. Vepra që ka brenda saj delokalizimin e punës, transformimin e traditave dhe ballafaqimin mes kulturave, është një metaforë e fuqishme vizuale me një bukuri enigmatike. Në video gjithçka sillet rreth Kolonës, që në njëfarë mënyre përfaqëson edhe dialogun mes botëve të ndryshme, mes Lindjes e Perëndimit.

Përfaqësuesi i dytë i  Shqipërisë në Bienale është Edi Hila, prej kohësh i vendosur në Paris. Në Venecia sjell një seri pikturash me titullin “Penthouse”. Veprat e Hilës frymëzohen nga ndërtesa të modelit sovjetik, shtëpi të ndërtuara vend e pa vend, edhe të lëna përgjysmë, pallate të larta, nga ato që kanë mbirë kudo në Tiranë, tarracat e të cilëve janë kthyer në apartamente abuzive, krijesa që dëshmojnë problemet sociale e urbanistike të ndeshura anembanë Shqipërisë gjatë njëzet vjetëve të fundit.

Në veprat e Hilës, vizitori mund të eksplorojë se si arkitektura moderne në Shqipëri, ajo e banuar, transformohet, refuzohet, modifikohet dhe zhytet mes betonit, duke krijuar pikërisht ‘monumentet potenciale të të ardhmes së parealizuar’ të titullit të pavijonit. Të cilit i përshtatet edhe Kolona e Pacit që gjendet e shtrirë në hyrje të pavijonit, me bukuri marramendëse por në pamundësi për të qëndruar në këmbë e për të mbajtur peshën e një strukture.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Tëitter)