Quarta Parete, teatri i shqiptarëve në Itali - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

Grupi teatral Quarta Parete është e vetmja përvojë sipërmarrjeje teatrale e artistëve shqiptarë në Itali. Ata janë çifti i artistëve Dardana Bërdyna dhe Albert Dedja, që  18 vjet të shkuara   braktisi teatrin Aleksandër Moisi të Durrësit për të ndjekur një ëndërr që nuk do t'i tjetërsonte nga natyra e tyre thelbësore,  ajo e të qenët artistë. Pas vitesh jete migruese, mes plot vështirësish, mori formë e para shoqëri teatrale shqiptare, që zuri vend menjëherë në skenat e një prej krahinave më të suksesshme e më krijuese të Italisë. Ata sjellin nga pak Shqipëri, nga pak jetë migruesi, por mbi të gjitha art, me stilistikë, mesazhe, e shprehi të teatrit bashkëkohor

quartaparete.gifNjë vit pas formimit të saj, dhe pas debutimit të parë në skenat e Trentinos, kthehet kompania "Quarta Parete". Këtë herë me një tjetër pjesë, shqiptare por jo vetëm kaq, që për herë të parë e ka shpënë kompaninë e shqiptarëve trentinë edhe jashtë Italisë, pikërisht në festivalin e Monodramës së Kosovës. Por ky është vetëm fillimi. Projektet nuk reshtin së pasuruari.

Ata janë çifti i artistëve Dardana Bërdyna dhe Albert Dedja, që një ditë të largët shpresash e topitjesh nga ato që ndryshuan historinë e Shqipërisë, jo më pak se 18 vjet të shkuara, zbarkuan brigjeve italiane, me një ëndërr të çuditshme. Nuk ishin shqiptarët e periferive ekonomike e intelektuale me frustrimin e pllakosur në fytyrë, por me një ëndërr paksa të veçantë, atë të artistit e të intelektualit shqiptar që i rri ngushtë censura dhe izolimi i Shqipërisë së atëhershme. Italia ishte vendi i artit, dhe porta e parë e perëndimit ku gëlonte arti bashkëkohor. Në këtë derë donte të trokiste çifti shqiptar që braktisi teatrin Aleksandër Moisiu të Durrësit për të ndjekur një ëndërr që nuk do t'i tjetërsonte nga natyra e tyre thelbësore, ajo e të qenët artistë. Pas vitesh jete migruese, mes plot vështirësish, para një viti mori formë e para shoqëri teatrale shqiptare, që zuri vend menjëherë në skenat e një prej krahinave më të suksesshme e më krijuese të Italisë. Ata sjellin nga pak Shqipëri, nga pak jetë migruesi, por mbi të gjitha art, me stilistikë, mesazhe, e shprehi të teatrit bashkëkohor. Pas balerinëve që u shndërruan në simbol të shqiptarit të mirë, listës së Shqipërisë kreative që ka zbarkuar në Itali i janë shtuar edhe shqiptarët e Quarta Parete-s.

Mbërrin projekti i dytë i realizuar prej tyre, por që këtë herë nuk është histori shqiptarësh, me Shqipëri e Ballkan që pulson skenës duke diktuar ritmin e shfaqjes, ose të paktën prania e elementeve tradicionale të teatrit të tyre të mëparshëm nuk perceptohen këtë herë në mënyrë kaq të hapur. Pas tekstit të Vorpsit, të reinterpretuar e përpunuar vitit të kaluar, dramaturgu i përzgjedhur këtë herë është polaku Slawomir Mrozhek, një prej kolosëve të dramaturgjisë bashkëkohore, që di të flasë për migrim, sikletshmërinë e jetës në mënyrë universale.

Pjesa është "Ditë vere", një dramë komike, ku dy njerëz takohen në një vend ndërsa të dy kanë shkuar aty për të bërë vetëvrasje, secili për arsye të ndryshme, i pari sepse tepër i përkëdhelur nga jeta në anën materiale por pa asnjë grimcë dashurie, kurse i dyti sepse durimsosur nga rendja pas utopive. Secili alterego i tjetrit, të dy në prag vetëvrasjeje në një vend anonim që mund të ishte kudo, në një skenë të zhveshur që hapet me klithmat e pulëbardhave dhe projeksionet e tyre që rrjedhin mbrapsht, duke trishtuar e ngjallur dëshpërim. Ndërsa në skenë duket një litar gjigant e një pistoletë gjigante të cilat janë mjetet ekstreme që u nevojiten dy protagonistëve. Ndërkohë që hapësira mbushet me ankesat e tyre të lodhshme e të mërzitshme, një grua kalon andej, Dardana Bërdyna në rolin e ndjellëses së jetës, me një bisht palloi në dorë, e detaje të vogla që përmbledhin bukurinë e jetës, dhe një veshje të gjelbër që tërheq vështrimin dhe simbolizon shpresën, deri aty sa dy fatkeqit që kanë vendosur t'i japin fund përvuajtjes në këtë botë, harrojnë përse kanë shkuar në atë vend të tmerrshëm dhe i kthehen jetës, duke ndjekur gruan e duke harruar të vetëvriten. Sepse ka të tilla gjëra në këtë botë që të bëjnë të heqësh dorë nga të disfatizmi dhe të shijosh jetën e gjërave të vogla, e dashurive të vogla e të mëdha, në gjithë format e mundshme e të imagjinueshme. Dhe mjetet ekstreme të vetëvrasjes do të shndërrohen në objekte argëtuese që do të humbasin vlerën fillestare, por duke ruajtur grotesken e përmasave të tyre dhe të atmosferës së vendit anonim ku do të konsumohej lamtumira me këtë botë.

Mesazhi është bindës, gjithçka vërtitet rreth dashurisë, dhe shpresës që lidhet me të, buron e çon tek ajo në një rreth vicioz që lejon të kesh arsye për të jetuar. Mesazhi i fortë ka bërë që të jetë më shumë se një psiko-dramë edhe një lloj terapie për një shoqëri të pasur postmoderne kur shumëçka vërtitet rreth të hollave duke shtyrë larg shpirtëroren.

Por nuk mbaron këtu. Të tjera projekte vazhdojnë të ngjizen e të propozojnë tema të reja, duke iu shtuar repertorit tejet dinamik të kompanisë së re shqiptare. Në skenat italiane do të afishohen sërish shfaqjet e tyre, ndërsa ende mungojnë skenave shqiptare, edhe pse Quarta Parete personifikon teatrin shqiptar në trajtën e tij më të mirë.

 

Shqiptari i Italisë: Është vështirë të bësh teatër në Trentino?

Dardana Bërdyna: Trentino ka një realitetet teatral shumë të pasur dhe shumë dinamik. Ka numrin më të lartë të kompanive teatrale në raport me popullsinë, të paktën kështu thonë statistikat. Ka shumë shkodardana-berdyna.giflla teatri, zhvillohet stina e prozës e një niveli shumë të lartë, vijnë kompani nga gjithë Italia e nga jashtë shtetit, emrat më të rëndësishëm të teatrit ndërkombëtar. Në Trentino vijnë njerëz nga vende të ndryshme dhe fakti që ne kemi hyrë në jetën teatrale trentine nuk është një e re absolute sepse kjo botë është e mësuar me prurje nga më të ndryshme për sa i përket gjeografisë dhe kulturës. Nuk kemi pasur asnjë vështirësi për të hyrë në botën teatrore trentine e madje kemi pasur shumë mbështetje nga komuna nga provinca e Trentos që na kanë dhënë dorën e parë për të realizuar pjesët tona. Edhe publiku na ka treguar shumë interes dhe kemi pasur një kënaqësi të jashtëzakonshme.


Fillimisht pjesa e parë që vutë në skenë ishte diçka që kishte të bënte me migrantët dhe tëhuajtjen e dyfishtë, kurse pjesa e Mrozhekut ka të bëjë me një temë universale. Cili është kriteri për zgjedhjen e temave?

Dardana: Ne në përgjithësi kemi dëshirë të trajtojmë tema që kanë të bëjnë me jetën tonë, me emigracionin, integrimin që karakterizon ne si qytetarë të rinj të kësaj shoqërie në mos konservatore, pa dyshim të pamësuar me emigracion siç është Italia në përgjithësi dhe Trentino në veçanti. Megjithatë ky nuk është një kufizim për zgjedhjet tona. Është natyrisht boshti qendror i temave tona, sepse kjo na personifikon më mirë, reflekton jetën tonë, ëndrrat tona, problemet tona dhe bën që t'i përcjellim më mirë mesazhet publikut në këtë drejtim. Është e rëndësishme që teatri të ketë një tematikë më të gjerë dhe duke qenë fjala mjeti komunikues pret tema nga më të ndryshmet dhe shkon përtej temave të migracionit dhe të jetës ku ne marrim pjesë.

albert-dedja2.gifAlbert Dedja: Kjo pjesë është zgjedhur në këtë fazë kur kemi një tjetër pjekje nga ana profesionale. Në këtë pjesë të Mrozhekut nëpërmjet autorit gjetëm një botë të ngjashme me të tonën sepse Mrozheku ka jetuar në Poloni në vitet e komunizmit. Ai shkonte botën perëndimore dhe atë lindore pothuaj nga pikëpamja jonë sepse kjo pjesë është jashtëzakonisht biografike këtij autori. Një nga personazhet, nuk e di nëse për rastësi apo me dashje, një nga personazhet quhet Sfor si Sfortunato. Ne të kemi munduar të personifikojë figurën e Mrozhekut që përfaqëson atë përqendrim që kishin njerëzit gjatë komunizmit tek utopia, duke besuar në atë që është e parealizueshme. Kështu i largoheshin realitetit. Kjo ndodhte ne shoqërinë që kemi njohur ne në Shqipëri. Kurse personazhi tjetër quhet Fortunato sepse është ai që ka pasur fat, në jetë i ka pasur të gjitha, pasuritë çfarëdolloj gjëje, e vetmja gjë është që gjithçka ka kërkuar ka qenë e sferës materiale, pra ka harruar të ëndërrojë. Jeta e tij është përqendruar vetëm tek grumbullimi. Kurse tjetri ka ëndërruar gjithmonë gjëra që nuk realizoheshin asnjëherë. Të dy janë të zhgënjyer nga jeta pikërisht sepse kanë ndjekur objektiva që i kanë larguar nga jeta. Janë dy aspekte që nëse përndiqen në mënyrë ekstreme bën që të harrosh lumturinë e jetës, lumturinë e gjërave të vogla, e realitetit ku mund të kthesh kokën e të shikosh më me pozitivitet gjërat. Kjo është ajo që na lidh me Mrozhekun sepse kështu kemi mundësi të krahasojmë jetën tonë të mëparshme në shoqërinë shqiptare dhe atë të sotmen këtu. Siç tha edhe Dardana, pasuria nuk e ndryshon aspak këtë lloj statike. Fakti që vende perëndimore si Suedia, janë vende me numrin më të lartë të vetëvrasjeve, ndërkohë që aty mirëqenia është më e larta në Evropë. Kjo do të thotë që të synosh vetëm anën materiale mund të sjellë në një varfërim të anës shpirtërore dhe kjo mund të çojë në ndonjë zgjedhje ekstreme. Këto dy personazhe përplasin dy filozofi jete. Kjo na lidh neve me Mrozhekun.


Përse tani së fundi zgjodhët këtë pjesë të Mrozhekut?

Dardana: Kishim lexuar disa pjesë të tij. Është një autor që merret shumë me probleme të emigracionit. Ndërsa po kërkonim vepra për pjesët tona na ra në dorë edhe kjo dramë që fliste për vetëvrasjen si një mënyrë për të folur për jetën. Kjo na u duk një temë shumë interesante sepse vetëvrasja është një fenomen që jo vetëm këtu ku ne jetojmë në Trento por edhe në Shqipëri, është një temë shumë delikate. Kjo na dha shtysë të reflektonim për vlerat që duhet të zgjedhë njeriu në jetë. Ajo që del nga kjo pjesë është se si nga njerëzit që janë më të emargjinuar mund të bëhen disa reflektime shumë internate për vlerën e jetës dhe rëndësinë e gjërave pas të cilave njeriu duhet të kapet për të jetuar.


Ishte pra një temë universale, nuk kishte të bënte ngushtësisht me emigracionin?

Dardana: Po, është një temë universale që ka të bëjë me njeriun në përgjithësi, me psikologjinë e njeriut në momente të vështira. Veçanërisht të njeriut që gjendet në situata si kjo ku gjendet vendi ynë, si pasojë e këtyre ndryshimeve masive që i kanë ndodhur shoqërisë sonë. Është interesante se i njëjti fenomen është shumë i pranishëm në shoqëritë perëndimore, në shoqëritë e mirëqenies ku pasuria bashkëjeton me depresionin, por edhe në shoqëritë si e jona që ka pësuar ndryshime të rënda e tronditëse, dhe që gjendet në një transformim të vazhdueshëm. Gjithë vendet e lindjes janë vende ku ndiqet utopikisht ëndrra dhe nuk realizohet asnjëherë, ndërsa nga ana tjetër është shoqëria perëndimore me ëndrrën materiale dhe të konsumit por që nuk arrin të plotësojë nevojat e tjera të njeriut. Dy personazhet e pjesës përfaqësojnë këto dy botë të vendosura përballë njëra-tjetrës, me probleme të ndryshme të cilave synojnë tu japin të njëjtën zgjidhje nëse kjo mund të quhet kështu. Janë dy njerëz që e gjejnë veten të shtyrë drejt një zgjedhjeje kaq ekstreme. Në të vërtetë nuk i jemi larguar shumë tremave që në përgjithësi na pëlqen të trajtojmë si kompani teatrale. Pjesa përmblidhet ne ekzistencën e dy personazheve kryesore që janë si dy përfaqësuese të dy botëve me natyrë të ngjashme, por që në rrugëtimin në jetë kanë pasur drejtime të ndryshme. Përfaqësuesi i realitetit tjetër siç ishte ai i botës së lindjes ku synimi i gjërave ishte një ëndërr, por realizimi i ëndrrës ishte një utopi. Tjetri synon realizmin e nevojave të veta materiale por pa asnjë aspekt emotiv. Bëhet fjalë për dy personazhe që plotësojnë njëri-tjetrin sepse janë botë për të cilat njerëzit kanë nevojë njëkohësisht në mënyrë të harmonishme.


Ju sapo jeni kthyer nga Festivali i Monodramës në Kosovë. Si ishte kjo përvojë?

Dardana: Ishte hera e parë që ne merrnim pjesë në një festival ndërkombëtar dhe për ne ishte një emocion i jashtëzakonshëm. Morëm pjesë me punën tonë të vjetshme "La mano che non mordi". Ky ishte një festival ndërkombëtar dhe ne në Kosovë shkuam si përfaqësues të Italisë. U krijua një situatë disi absurde sepse na u desh të recitonim italisht duke qenë shqiptarë. Gjithkush fliste gjuhën e vendit prej nga vinte dhen e nuk kishim si të bënim ndryshe. Duket pak absurde, sepse kthehesh në vendin tënd duke përfaqësuar një vend tjetër dhe duke folur në një gjuhë tjetër. Por u prit shumë mirë si nga publiku si nga komisioni që vlerësonte pjesët. Kritika e shtypit të Kosovës vlerësoi si temën shumë aktuale si mjetet stilistike.


dardana-berdyna2.gifNë Shqipëri organizohen disa festivale teatrore, keni menduar të merrni pjesë në to?

Dardana: Duke qenë një kompani e re, nuk kemi shumë përvojë në organizmin e pjesëmarrjes në festivale por pjesëmarrja në këto festivale është diçka që do të na pëlqente jashtëzakonisht shumë.


Sa rëndësi ka shkolla shqiptare prej nga vini në këtë integrim në botën teatrore trentine?

Dardana: Shkolla shqiptare siç pamë këtu na ka dhënë shumë, edhe pse na mungon disi pjesa e teatrit modern që jemi munduar ta përmbushim duke jetuar këtu, duke gërmuar shumë. Baza e shkollës sonë është shumë e fortë dhe na ka formuar me mjete shumë të mira, për të përballuar këtë lloj teatri që bëhet këtu. Nuk e kemi ndier veten aspak inferiorë. Përkundrazi tashmë është krijuar bindja për cilësinë e shqiptarëve në teatër, dhe ata njihen e vlerësohen jashtëzakonisht.


Alberti: Zgjedhjet tona skenografike dhe regjisoriale priten me shumë interes sepse këtu ka shumë shkolla teatrore, që vënë në krahasim midis tyre programet, dhe teknikat dhe ngelen gjithmonë shumë të tërhequr nga ajo që shikojnë. Herë pas here krijohen debate sepse ne e përpunojmë shumë pjesën. Krijohet një atmosferë shumë pozitive. Ne sjellim në të vërtetë edhe një lloj tradite diktatoriale në drejtimin e pjesëve sepse imponojmë pikëpamjen regjisoriale. Ka disa shkolla ku aktori lihet i lirë të shprehë vetveten kurse ne nuk preferojmë këtë ndoshta sepse i ngelemi besnikë traditës diktatoriale.


Cili është mesazhi i kësaj pjese?

Alberti: Këto personazhe që përfshihen në një pjesë shumë filozofike. Doli në të vërtetë një pjesë shumë e lodhshme. Ne kemi synuar shumë në anën e mesazhit, për të bërë që të reflektohet. Është një komedi dramatike, nuk kemi kërkuar, si të thuash, "risata facile" si në Zelig. Kemi kërkuar nëpërmjet kësaj të reflektojmë për vetëvrasjen duke shtyrë në largimin nga ideja e vetëvrasjes, duke u përqendruar tek dashuria që largon nga vetëvrasja. Njeriu nëse harron dashurinë për veten, për të tjerët për natyrën, për jetën, përfundon në një gjendje vetmie totale dhe kjo çon në zgjedhje ekstreme si kjo. Mesazhi është tek një frazë në fund me të cilën mbyllet pjesa, palumturia dallohet nga fakti se mund të jetojmë shumë mirë pa të, por ne e kultivojmë atë me fanatizëm. Pjesa me sa duket ka arritur të përcjellë më së miri këtë mesazh sepse këtu në Trento, Asl-i (Ndërmarrja shëndetësore), ka pasur idenë të na përfshijë në projektin Invito alla vita që është një projekt që synon parandalimin e vetëvrasjes. Dhe nëpërmjet pjesës sonë kanë vendosur të përcjellin këtë mesazh.

 

Kohët e fundit ju keni dhënë një intervistë për D di Repubblica. Përfundimi i gazetës ishte "disa shqiptarë kanë ardhur në Itali në kërkim të jetës së patinuar që shikonin televizioneve italiane, e disa të tjerë për të gjetur atdheun e Calvinos e të de Chiricos". Ç'ishte për ju Italia në atë periudhë duke vazhduar këtë temë?

Alberti: Ne kemi qenë më me fat se një pjesë e mirë e të afërmve apo miqve tanë sepse kemi pasur fatin të studiojmë e më pas edhe të punojmë në punë të kënaqshme. Kjo bënte që ne në një farë mënyre të kishim të tjera nevoja. Kishim një farë kurioziteti e interesi për atë që ndodhte jashtë vendit tonë sepse edhe vetë natyra e këtij profesioni bënte që të largoheshim qoftë ehe në mënyrë virtuale nga realiteti i Shqipërisë së atëhershme, sepse na duhej të merrnim informacionet mbi artin modern, edhe pse të filtruar nga censura. Ne në televizion gërmonin të gjenim informacionet që na nevojiteshin për artin modern, për pikturën, për muzikën. Kishim nevojë të zgjeronim horizontet tona. Ëndrra për të njohur perëndimin nuk mbaronte vetëm me anën ekonomike. Kishte shumë artistë të artit, të pikturës, të muzikës që na frymëzonin e na ngjallnin kureshtje. Ishim shumë të rinj, ishim studentë dhe kjo shkrihej me një entuziazëm dhe një nevojë për t'iu bashkuar artit bashkëkohor. Ndienim nevojën për të zbuluar atë lidhjen e natyrshme që mund të ketë një njeri me artin e kohës së vetë. Ne vinim nga një shoqëri e varfër, e kufizuar për shkak të ideologjisë dhe nëpërmjet televizionit gjenim një dritare në këtë pjesë që na ishte cunguar. Kjo na solli një liri mendore, një liri virtuale, jetonim kështu me shpresën se edhe ne një ditë do t'i bashkoheshim kësaj bote. Natyrisht njerëzit kanë objektiva të ndryshme në jetë. Ka njerëz që kanë ardhur për arsye ekonomike, ka të tjerë si ne që nuk kishin parësore anën ekonomike sepse ne punonim në teatër në atë kohë dhe nuk kishim probleme ekonomike. Ajo që ne synonim ishte hapja, arritja e atyre objektivave që nuk mund të arrinim në Shqipëri.


Fakti që gazeta si D di Repubblica, ju intervistojnë, bën që ju të merrni pjesë në fenomenin anti-fobi si të thuash "Ja fytyra tjetër e shqiptarëve".

Alberti: Rezultati që kemi arritur vjen nga një punë e pareshtur mes mijëra vështirësish. Kemi kaluar vite shumë të vështira veçanërisht në fillim të jetës sonë këtu. Por jemi munduar të rezistojmë e të mos largohemi asnjëherë nga arti. Fakti që intervistohemi dhe që ka të tilla komente kaq pozitive është një kënaqësi e jashtëzakonshme për ne por që në njëjtën kohë na vë përpara përgjegjësish të tjera dhe na bëjnë të mbajmë këmbët në tokë. Na bën të kërkojmë të jemi pozitivë dhe të gjitha gjërat që kërkojmë të përpunojmë nga ana profesionale, të materializohen në pjesët që ne zgjedhim. Ajo që ne zgjedhim është ajo që ne mendojmë, janë pjesë e atyre që ne akumulojmë në jetën tonë reale. Kur zgjedhim pjesët mundohemi të reflektojmë aty pikëpamjen tonë për këto gjëra. Fakti që ne vazhdojmë akoma të merremi me emigracionin do të thotë se ne nuk kemi mbaruar ende së treguari për emigracionin. Kemi ende gjëra për të thënë në këtë drejtim, do të thotë se ka ende gjëra që na ngacmojnë, fantazinë, apo kritikën dhe na shtyjmë të përcjellim mesazhe. Me kalimin e kohës patjetër kjo temë do të humbasë rëndësi, sepse do të vijë një ditë kur do ta gjejmë veten bosh në këtë drejtim, e atëherë kuptohet do të merremi me të tjera tema.


Cili do të jetë projekti i ardhshëm?

Alberti: Kemi një projekt shumë interesant që i kthehet përsëri historive tona shqiptare, por nuk do të zbulojmë të gjithë projektin këtu. Nëse shkon ashtu siç mendojmë ne do të jetë diçka shumë e fortë. Me këtë pjesë synojmë t'i kthehemi sërish jetës sonë, traditave, Shqipërisë. Është një rishikim i një historie mesjetare shqiptare që lidhet edhe me problemet tona aktuale. është një pjesë shumë angazhuese, me shumë aktorë dhe që do të kërkojë shumë investim financiar. Në kohë krize si kjo e sotmja kjo nuk është thjesht një fjalë goje, por projekti ekziston.


Marjola Rukaj

Shqiptari i Italisë i muajit maj 2009