Refiela Shoraj, një nga protagonistët e Anno Uno, nga 8 maji në La7 - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
Stilistja dhe blogger-ja e re shqiptare do të jetë një ndër 24 protagonistët e emisionit televiziv Anno Uno,  i lindur nga Servizio Pubblico i Michele Santoros. Refiela do t’i përcjellë publikut të gjerë televiziv historinë e përvojën e saj, të ngjashme me ato të shumë imigrantëve në Itali. Mund ta ndihmojmë duke e ndjekur dhe mbështetur në Facebook dhe Twitter me hashtag-un #StoconReffiela

Romë, 8 maj 2014 – Nis sot në orën 21.30 programi i ri televiziv i kanalit La7. Lind nga Servizio Pubblico i gazetarit Michele Santoro dhe quhet Anno Uno (që edhe në titull jep vazhdimësinë me Anno Zero). 

Anno Uno është një talkshow, do të drejtohet nga Giulia Innocenzi që do të ketë rreth vetes 24 të rinj në përfaqësim të brezit të tyre në Italinë e sotme: gjysma mbështesin idetë e qendrës së majtë, gjysma janë më pranë qendrës së djathtë. Disa prej tyre janë të rinj me prejardhje të huaj, bij imigrantësh, qytetarë të rinj italianë. E pikërisht mes këtyre të fundit gjejmë edhe 24-vjeçaren Refiela Shoraj, blogger dhe stiliste shqiptare (“e sikur të mos mjaftonte shqiptare, edhe invalide” siç thotë vetë, jo edhe me aq shaka) që prej mëse 20 vjetësh jeton në Firence.

Në studio do të jenë të pranishëm edhe gazetarët e Servizio Pubblico: Michele Santoro, Marco Travaglio, Vauro Senesi dhe Gianni Dragoni, “por në një rol të ri” thotë Innocenzi në prezantimin e programit.

Por protagonistët absolutë të emisionit të ri do të jenë njëzetekatër të rinjtë. Në katër të enjtet do të sjellin historitë e tyre, fillimisht do të ballafaqohen me njëri tjetrin mbi një temë të të caktuar e më pas do të diskutojnë për të me një politikan, të ftuarin e mbrëmjes. Sonte do të jetë në studio kryeministri Matteo Renzi.

Pjesëmarrja e 24-vjeçares Refiela Shoraj është padyshim një risi e rëndësishme. Dhënia e mundësisë së rrëfimit të përvojës personale, e diskutimit mbi tema të ditës, përpara publikut të gjerë televiziv, në kuadrin e një talkshow politik, nuk është gjë që haset shpesh në televizionet italiane. Të rinjtë në përgjithësi, e veçanërisht ata të brezit të dytë, bijtë e imigrantëve, qëllon t’i ndeshim në të ashtuquajturit reality apo talent show si Grande Fratello, Amici, X Factor, The Voice.

Në Anno Uno, Refiela mund të ngrejë zërin mbi tema që kapërcejnë kufijtë e profesionit të saj, të diskutojë për çështje që prekin nga afër shumë prej nesh. Në videoklipin e paraqitjes mes të tjerave thotë: “Kur erdha në Itali nuk kishim ujë të ngrohtë, jam rritur me njëmijë halle e sakrifica. Dhe jo vetëm pse isha  e huaj por edhe për shkak të aksidentit që më la invalide… Ndërsa ka të rinj italianë që dëshirojnë të arrijnë majat me minimumin e mundimit”.

Mjafton edhe kaq për të kuptuar se në program Refiela do të sjellë këndvështrimin e saj, si bijë imigrantësh që mes shumë vështirësish ka çarë në Itali, si e re që edhe pse ka jetuar thuajse gjithë jetën e saj në Firence dhe ka theks të fortë toskan, ka marrë shtetësinë italiane vetëm një vit më parë, si person që është parë gjithnjë si “e shkreta shqiptare invalide” dhe jo për aftësitë e saj intelektuale. Nga ana tjetër, Refiela do të sjellë në studio përvojën e personit që ia ka dalë mbanë, që mes qindra hallesh ka ditur të gjejë veten, të rilindë e të shkojë përpara.

E pra, Refiela do të japë në program përvojën e këndvështrimin e shumë prej shqiptarëve të Italisë e të bijve të tyre, që në përvojat e përjetuara nga e ajo do të gjejnë veten, që janë përpjekur si ajo për të çarë përpara duke luftuar përditë me paragjykimet e diskriminimin në gjetjen e shtëpisë, punës, vendit të tyre në shoqëri, për të siguruar një jetë më të mirë, për të realizuar ato ëndrra për të cilat lanë vite më parë vendin e tyre.

Të bindur që Refiela do të dijë t’i përcjellë publikut ide e emocione, t’i tregojë atij historinë e saj e tonën, mund ta ndihmojmë duke e ndjekur e mbështetur në rrjetet sociale Facebook e Twitter me hashtag-un #StoconREFIELA që do ta shoqërojë për të katër javët e programit. “Internet do të ketë një rol të rëndësishëm në program – shpjegon Giulia Innocenzi në konferencën e shtypit për prezantimin e programit – Gjatë emisionit, publiku mund të shprehë mendimin e tij mbi ato që thotë çdo protagonist duke përdorur hashtag-un e secilit”.

“Në Anno Uno do të sjell historinë time – thotë Refiela për Shqiptariiitalise.com – do të përqendrohem mbi tema të rëndësishme si Bashkimi Evropian, hapja e kufijve (e nuk e kam fjalën vetëm për ata mes shteteve, por edhe për kufijtë kulturorë e të mendjes), barazia mes imigrantit dhe pasurimit kulturor dhe ekonomik të vendit, idealet demokratike, të rinjtë dhe puna. Do të këmbëngul edhe mbi shëndetësinë dhe drejtësinë që duhen përmirësuar, gjëra të cilat i njoh nga afër. Kam pasur një aksident të rëndë 15 vjet më parë, por edhe sot e kësaj dite çështja gjyqësore ende nuk është mbyllur. Është çmenduri të shohësh që  gjyqet civile zgjasin mbi dhjetë vjet! Burokracia duhet të ndryshojë, Italia duhet të shkojë përpara!”.

“Këto janë pak a shumë ato pikat kryesore të ndërhyrjeve të mija. Me #StoconREFIELA, kushdo mund të shkruajë në faqet e programit, në rrjetet sociale Facebook dhe Twitter, - përfundon Refiela – të thotë nëse është dakord me mua apo të japë mendimin e vet mbi çështjet në diskutim. Të gjithë janë të mirëpritur”.

Keti Biçoku

In italiano: Refiela Shoraj, tra i protagonisti di Anno Uno de La7