Sara e Enes Habilaj, vogëlushët kampionë të lojës së damës në Itali - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
Enes 10 vjeç, Sara 12 vjeçe, vëlla e motër janë kampionë në damë për moshat përkatëse. Në fund të korrikut do të përfaqësojnë Italinë në kampionatin evropian të damës që do të zhvillohet në Ukrainë.

Sara e Enes Habilaj, motër e vëlla,  janë dy fëmijë emigrantësh shqiptarë që jetojnë prej vitesh në Velletri, pranë Romës. Edhe pse janë dhjetë dhe dymbëdhjetë vjeç, ata flasin një shqipe shumë të bukur, që nuk ndryshon fare nga fëmijët që jetojnë në Shqipëri edhe pse ata nuk kanë jetuar asnjë ditë në vendin e tyre. Brenda shtëpisë së tyre flitet vetëm shqip, madje edhe  si fjalëkalim i kompjuterit të tyre është emri i një kodrine nga vendi i origjinës. Dy fëmijët janë ta parët në klasat ku mësojnë dhe ndihen krenarë kur thonë se janë nga Shqipëria.

Pak javë para mbarimit të vitit shkollor, Sarës iu desh të mbronte me forcë përpara shokëve dhe shoqeve të klasës, pamjen e stemës së qytetit ku jetojnë. Kur mësuesja e saj e pyeti pse po e mbron me kaq pasion stemën e një qyteti i cili nuk është qyteti i saj, ndërsa shokët e shoqet e saj që janë të gjithë italianë ishin indiferentë ndaj kësaj steme, ajo iu përgjigj fare shkurt: “E mbroj sepse ngjan me stemën e vendit tim”. Dhe pas kësaj mësuesja vetëm kishte heshtur, duke parë me habi dy sytë e kësaj vogëlusheje që nuk dihet se çfarë ëndërronin në ato çaste.

Vëlla e motër kanë një pasion të përbashkët: Enes është sot kampion në lojën e damës për të gjithë Italinë për moshën e tij, po ashtu edhe Sara është kampione për femra, po për moshën e saj.

Ata të dy kanë marrë pjesë në të gjitha aktivitetet që janë bërë, dhe jo vetëm në qytetin e tyre, në lojën e damës, dhe i kanë fituar të gjitha duke filluar që kur ishin shtatë vjeç. Emri i tyre është shkruar në historikun e lojës së damës për të gjithë Italinë dhe sot ata janë kampionë të vërtetë.

Vetëm pas tri javësh, dhe pikërisht në fund të muajit korrik, do të përfaqësojnë Italinë në kampionatin evropian të damës që do të zhvillohet në Ukrainë.

Gjatë kësaj periudhe ata janë duke u përgatitur që të përfaqësohen sa më denjësisht në këtë aktivitet të rëndësishëm. Dhe përsëri sytë e tyre ndizen plotë dritë, ndërsa pyesin, pse të mos luajmë për Shqipërinë ne?

Ata sot janë thjesht fëmijë. I gëzohen pasionit, vullnetit dhe lumturisë që u jep loja e bukur e damës. Ëndërrojnë që të dalin të parët. Ëndërrojnë që të bëhen dikush në jetë, e ndoshta edhe kur thonë “Pse të mos përfaqësojmë Shqipërinë” nuk e kuptojnë deri në fund problemin. Por ndërsa dëgjojmë shqipen e tyre të bukur, nuk mund të mos kuptojmë që ëndrrat e tyre janë të lidhura ngushtë me vendin prej nga vijnë prindërit e tyre.

Robin Koka