Shpendi Ndreu e Danjel Delishi mes 15 finalistëve të Moneygram Award 2016 - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
Jepen sot çmimet Moneygram për sipërmarrësit e huaj më të mirë të vitit

Romë, 16 qershor 2016 – Për të tetin vit rresht, MoneyGram, gjiganti i transferimit të parave, promovon më të mirët mes qindra mijërave sipërmarrësve të huaj në Itali. Sot në Romë, mbahet ceremonia për shpalljen e fituesve të pesë kategorive (Rritje, Punësim, Novacion, Sipërmarrje e të Rinjve dhe Përgjegjësi Sociale) si edhe  fituesi i çmimit të madh “Sipërmarrësi i vitit”.

Janë edhe dy sipërmarrës shqiptarë, Shpendi Ndreu dhe Danjel Delishi, ndër 15 finalistët e këtij viti, tre për çdo kategori, të përzgjedhur nga mëse 200 kandidatura.

Në kategorinë e Punësimit gjejmë Shpendi Ndreun, 46 vjeç. Në Itali prej vitit 1991, ka hapur në Parma, ku jeton, aktivitetin e tij, në një sektor për të cilin qyteti është i famshëm e jo vetëm në Itali: prodhon sallame dhe proshutë. Nga viti 2002 kur ka themeluar Ditta Lira di Shpendi Ndreu C.& S.a.s, ka rritur vazhdimisht xhiron vjetore e sot ka 20 punonjës.
Shqiptarët e Parmës e njohin mirë Shpendin jo vetëm si sipërmarrës të suksesshëm për edhe për angazhimin e tij në jetën e komunitetit. Kryetar për disa vjet i shoqatës Scanderbeg dhe president i skuadrës së Futbollit Scanderbeg, ai ka mbështetur financiarisht me bujari e vazhdimësi veprimtaritë e tyre.

Ndërsa në kategorinë e Novacionit, mes tre finalistëve është edhe 28-vjeçari Danjel Delishi.  Në Itali nga viti 2004, në korrik 2014 themelon në Varese SocialLibreria që juria e Moneygram Award e përzgjedh mes tre finalistëve të kategorisë me vlerësimin “një start-up që përdor mjetet informatike për përhapjen e kulturës në të gjitha format e saj. Duke shfrytëzuar teknologjitë më të reja por edhe më të përdorura, shumë prej të cilave me kosto zero, u ofron të gjithëve mundësinë të studiojnë, të azhornohen e të rriten, duke ulur ndjeshëm kostot e duke qëndruar gjithnjë “të lidhur” me kulturën”.