Shqiptarë të Serisë A - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
Nga Berisha te Manaj, ja kush zbriti në fushën e gjelbër javën e parë të kampionatit italian

Nisi fundjavën e shkuar kampionati italian i kategorisë më të lartë të futbollit, ajo që njihet si “Serie A”. E si prej disa vjetëve tashmë, nuk ishin të paktë futbollistët shqiptarë që zbritën në fushën e gjelbër.

Të shtunën, shqiptari i parë që luajti në serinë A ishte Etrit Berisha, portiere i Lazios dhe i Kombëtares kuqezi. Edhe pse nuk arrin të shpëtojë portën nga topi i qëlluar nga Mancosu i Bolognas, duhet të jetë i kënaqur pasi skuadra e tij fitoi 2-1 ndeshjen e parë të këtij kampionati. Dhe në fitore ai ka meritën e tij: në minutën e 91-të shpëtoi për mrekulli portën nga gjuajtja me kokë e Brighit.

Berisha vesh për të tretin sezon radhazi fanellën e skuadrës kryeqytetase ku ka mbërritur më 1 shtator 2013.

Në ndeshjen e parë të Lazios mungonte Lorik Cana, me Lazion prej vitit 2011. Këtë verë u fol shumë për ikjen e tij në drejtim të Francës, Anglisë apo Gjermanisë, por deri tani mbetet me shqiponjën e Lazios, në pritje të një sistemimi në një skuadër të re ku të ndihet edhe atje i rëndësishëm e lider, siç është ndier këto vite mes futbollistëve të skuadrës kryeqytetase.

Në ndeshjen Sassuolo-Napoli, ka zbritur në fushë me këtë të fundit edhe Elseid Hysaj. Nuk mund të jetë i kënaqur nga rezultati (Napoli u mund për 2-1) por padyshim 21-vjeçari duhet të jetë i lumtur për performancën e tij e realizimin e një ëndrre: "të luajë me një nga skuadrat më të forta të Serisë A italiane". Në fakt, mbrojtësi kuqezi këtë verë ka lidhur një kontratë 5-vjeçare me Napolin.

Që i vogël ai ka jetuar me familjen në Empoli dhe ka lozur gjithnjë me të njëjtin klub, atë të Empolit, fillimisht me të rinjtë e më pas me të rriturit. Me atë skuadër luajti më 31 gusht 2014 edhe ndeshjen e parë në Serinë A. 

Në ndeshjen Empoli-Chievo që përfundoi me rezultatin 1-3, ka zbritur në fushë edhe Përparim Hetemaj, qendërfushori 28-vjeçar i Chievos, që luan me Kombëtaren finlandeze.

Hetemaj luan me Chievon prej qershorit 2011, ndërsa në kampionatin italian të futbollit mbërriti më 1 shkurt 2010 në radhët e Brescias. Golin e parë në Serinë A të kampionatit italian e shënoi pikërisht me fanellën e Brescias kundër Romës më 22 shtator 2010.

Në ndeshjen Inter-Atalanta luajti pak minuta në fund të ndeshjes edhe sulmuesi Rej Manaj, futbollisti i parë shqiptar në radhët e Interit. I lindur në Lushnje më 24 shkurt 1997, i ardhur në Itali që i vogël me familjen, është rritur si futbollist në radhët e të rinjve të Piacenzas dhe Sampdorias. Ka kaluar me Interin më 15 korrik 2015.

Në mars 2015 ka debutuar me kombëtaren shqiptare Under-21.

Për të riun shqiptar mediat sportive flasin fjalët më të mira. Edhe pse në moshë shumë të re, ka dëshmuar se është sulmues shumë i talentuar. Tashmë ka vendosur edhe një rekord në Itali: në Lega pro, me golin e shënuar më 11 tetor 2014, kur ishte vetëm 17 vjeç e 7 muaj, është bërë edhe golashënuesi më i ri i kësaj kategorie.

Në ndeshjen Palermo-Genoa, në stol ishte edhe Samir Ujkani. Por këtë radhë, jo në atë të Palermos, por të Genoas me të cilën ka lidhur kontratë trevjeçare në 19 korrik të këtij viti. Ia vlen të kujtohet që Samir Ujkani pasi ka qenë pjesë e përfaqësueses së Shqipërisë për disa vjet, nga 2 marsi 2014 ka zgjedhur të mbrojë portën e përfaqësueses kosovare.

K.B./Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)