Shtetësi nderi për shtatë fëmijë shqiptarë - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
Komuna e vogël Montescudaio në provincën e Pisas ka miratuar me të gjitha votat në favor një vendim për dhënien e shtetësisë dymbëdhjetë të miturve, bij imigrantësh. Shtatë prej tyre janë fëmijë shqiptarë

Romë, 9 shkurt 2012 – Montescudaio është komuna e parë italianë që u jep shtetësi nderi bijve të imigrantëve të lindur në territorin italian, duke aplikuar kështu “ius soli”.

Kështu kanë vendosur  anëtarët e këshillit komunal të qendrës së vogël të Pisas duke votuar që të gjithë në favor një vendim për lëshimin e shtetësisë 12 fëmijëve me prindër shqiptarë, marokenë dhe moldavë.

Shqiptarët, 27 vetë, janë komuniteti më i vjetër në komunë, ndaj edhe nga 12 fëmijët që do të marrin shtetësinë shtatë janë bij emigrantësh nga Shqipëria: Danieli e Marigleni (të lindur në 2010 dhe  2007) e Bledi, Bleona, Ellisoni, Migena e Mirko (që të gjithë kushërinj të lindur nga viti 2001 deri në vitin 2009).

“Nuk e konsiderojmë një revolucion, por një veprim të rëndësishëm – shpjegon Aurelio Pellegrini, kryetari i komunës – që përfshin një komunitet jo aq të vogël: Montescudaio ka 2.050 banorë, nga të cilët 168 janë imigrantë, pra 8% e popullsisë. Janë njerëz të integruar që punojnë. Babai i njërit prej fëmijëve është edhe këshilltar i të huajve në komunë”.

Ceremonia zyrtare do të mbahet më 16 mars në orën 10.30 dhe emrat e fëmijëve do të shkruhen në një targë që do të vihet në sallën e Këshillit të institutit Griselli.

Nisma e Komunës dëshiron t’i japë shtysë edhe fushatës “Italia jam edhe unë” lidhur me shtetësinë e brezave të dytë. “Besoj se ky argument nuk duhet të mbetet thjesht një objekt debati vetëm për disa mendjendritur. I kemi hyrë kësaj fushate edhe për të detyruar në njëfarë mënyre njerëzit të reflektojnë mbi këtë temë” e mbyll kryetari i Komunës.

shqiptariiitalise.com