Sonila Kaceli: “Për mua, arti është vetë jeta!” - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
Sonila Kaceli jeton prej gati 20 vjetësh në Itali dhe vjen nga një familje shqiptare me traditë muzikore. Është  diplomuar në Universitetin e Bolonjës në Disiplina Muzikore me një tezë mbi "Veglat muzikore shqiptare"
Me "La canzone del Carroccio" të Giovanni Pascolit, Sonila magjepsi publikun me kompozimin e muzikës origjinale të shfaqjes por edhe si këngëtare dhe aktore.

Më 8 Shtator 2011 në Bazilikën Santo Stefano në Bolonjë,  trupa e Teatrit të Poezisë vuri në skenë "La canzone del Carroccio" të Giovanni Pascoli. Ishte ky  kapitulli i tretë i një trilogjie  "Le canzoni di Re Enzo", vepër mbi të cilën kjo trupë po punon që në 2008 dhe i referohej një historie të vërtetë që ka ndodhur në Bolonjë në viti 1251 e ku tregohen ndodhitë e Mbretit Enzo, bir i Federikut II, i cili merr lajmin e vdekjes të babait të tij, gjatë burgimit në pallatin e ri të bashkisë.

Kjo shfaqje, për tre net – 8, 9 e 10 shtator – u vu në skenë nga një trupë aktorësh profesionistë, aktorë me eksperiencë por edhe të rinj. Mes tyre ishte edhe një artiste shqiptare Sonila Kaceli, e cila jo vetëm magjepsi publikun me interpretimin e saj si aktore, por edhe si këngëtare me interpretimin e këngëve dhe si kompozitore e muzikës origjinale të pjesës teatrale. Një rol i shumëfishtë ky i artistes shqiptare, që dëshmoi për talentin e saj të shumanshëm, aftësi  e formim që nuk lanë indiferentë spektatorët, të cilët mbushnin ambientet brenda kapelave të bazilikës ku spektakli zhvendosej si në kërkim të një të fshehte që nuk mbetet vetëm te fjalët, te interpretimi, por dhe te skenat, që ofronin magjinë e antikitetin e tyre duke i shtuar vlera dhe vetë shfaqjes.

Si bashkatdhetare, dashamirëse e artit,  Sonila atë natë më dhuroi emocione të shumta. Pak kush e dinte që ishte shqiptare, por unë për një çast pashë te kjo artiste një trashëgimtare të Aleksandër Moisiut. Ai dikur interpretonte në anglisht... Pas kaq vitesh, Sonila po recitonte e këndonte në italishten e Paskolit në Bolonjë dhe magjepsi publikun. Emocion, krenari për atë që artistët tanë po arrijnë në skenat e huaja por dhe kureshtje për të njohur rrugën e bërë për të arritur deri këtu.

Sonila si i hytë rrugës së artit? Interpretimi juaj i parë?

E nisa me një këngë në një aktivitet në të cilin përfaqësoja shkollën “Fan Noli” të Tiranës ku mësoja. Që nga ai moment u bë normale pjesëmarrja në aktivitetet kulturore.
Pastaj u regjistrova në Shtëpinë e pionierit të Lagjes 2 mbasi shkolla ime bënte pjesë te kjo lagje dhe gjithçka shkonte natyrshëm, unë këndoja.. e vazhdoja të këndoja. Kam kënduar edhe në Festivalin kombëtar të Fëmijëve në Shkodër me Pallatin e Pionierëve të Tiranës. Isha 14 vjeç.

Ndërsa formimi artistik?

Ai nisi me konkurrimin për kanto në Liceun Artistik në Tiranë ku fitova dhe atje përfundova diplomimin.
Pastaj erdha në Itali. Këtu për pak kohë kjo rrugë u ndërpre. Normale, mbasi përparësi mori qëndrimi, puna , banimi etj., probleme të qëndrimit në tokën e huaj. Por studimi ishte një ndër objektivat e mi dhe sapo m'u dha mundësia  e rimora këtë rrugë. U regjistrova  njëkohësisht në Konservatorin e Kozencës  dhe në DAMS (Disiplina të Artit, Muzikës dhe Spektaklit) në Bolonjë.

Në dy degë arti njëkohësisht dhe në dy qytete të ndryshme? Sa vështirësi patët për të ndjekur studimet?

Më pëlqenin të dyja degët dhe nuk doja të lija mënjanë asnjërën. DAMS nga ana teorike e po kështu kanto. Mbase dhe gabova, se të dyja njëkohësisht kërkonin impenjim por, më vinte edhe keq t'i braktisja. Për  këtë arsye, dhe për faktin që ndërkohë punoja koha e studimit u zgjat.

Po transferimi në Bolonjë ndikoi në këtë përzgjedhje?

Siç e thashë, nuk doja të braktisja asnjërën, për këtë u transferova nga Kalabria ku banoja me prindërit e mi në Bolonjë. Kështu studiova DAMS dega muzikë dhe Konservatorin për Kanto po në Bolonjë. Bëra edhe 2 vjet Kompozicion, po në Bolonje.

Interesa të gjithanshëm do të thosha... Sa bukur e sa vështirë njëkohësisht.

Po vërtet, më tërhiqnin shumë gjëra bashkë! E kjo gjë ka anën e saj të mirë dhe një tjetër më pak të pëlqyeshme. Për shembull, nuk të lejon të përqendrohesh te njëra prej tyre.
Duke bërë art skenik në Konservator u dashurova dhe me Teatrin. Edhe teatri ka anën e tij të mirë, bile i detyrohem shumë sepse kam qenë një person shumë i ndrojtur e  me anën e teatrit arrita ta kaloj. Më ka ndihmuar shumë.

Cila është pjesa e parë me të cilën keni debutuar si aktore?

E nisa pikërisht me një shfaqje që trajtonte probleme sociale dedikuar tre kategorive: të miturve të dënuar me burgime, emigrantëve dhe personave të pastrehë. Kjo ishte eksperienca ime e parë me teatrin.  Më pas bëra dhe kurse të tjera formimi, të gjitha me teatro eksperimentale ku mund të përmend: Bologna 2000, Living teater, etj.
Ndër më të rëndësishmit ka qenë një kurs dy-vjeçar teatri që bëhej vetëm për gra i organizuar nga ERT (Emilia Romagna Teatro). Me shumë dhimbje u detyrova ta lë këtë shkollë, pasi ndërkohë po bëja edhe tezën e diplomës dhe kjo kërkonte angazhimin tim të plotë. Me shumë, shumë dhimbje e braktisa …
Por fatmirësisht Bolonja si qytet universitar ofron kurse formimi. Arrita të gjej diçka tjetër për të zëvendësuar atë çka humba. Bëra një shkollë private të Teatrit Colli, të drejtuar nga Emanuela Montagna, që ndjek metodën Stanislavskij-Strasberg (si Actors Studio). Kështu realizova ëndrrën time e ndërkohë bëja shfaqje teatri .

Sonila sa ka ndikuar familja në formimin tuaj artistik?

Babi ishte koreograf  (shënim i redaksise: babai i Sonilës është koreografi i mirënjohur Gëzim Kaceli), muzika ka qenë e pranishme në shtëpi. Por edhe mamaja ime, që nuk është marrë me art, na ka ushqyer me këtë dëshirë. Për më tepër, ajo ka një zë shumë të bukur dhe fare mirë mund të ishte marrë  me art.

Edhe vëllai ka ndjekur rrugën e artit?

Po. Edhe Renis, im vëlla, ka bërë shkollën e Baletit në Shqipëri (ishte dhe solist i TOB). Në Itali pat ardhur me një bursë studimi në Mantova, më pas u transferua ne Kalabri. Vitet e fundit  ka ndjekur  kursin për mësimdhënie baleti në La Scala dhe e ka përfunduar me diplome nderi . Sot ka një shkollë baleti që e drejton bashkë me gruan e tij në Kalabri ku jetojnë.

Studimi në DASM u kurorëzua me diplomën me rezultatin e shkëlqyer 110/110 duke trajtuar edhe një temë shumë interesante  që “thirri” origjinën shqiptare.

Po, e vërtetë, jam diplomuar në DAMS, në degën e Muzikës me një tezë mbi "Veglat muzikore shqiptare". Teza është bazuar mbi përkthimin me nota kritike të një prej veprave më të rëndësishme të organologjisë muzikore shqiptare, "Veglat muzikore të popullit shqiptar " të Ramadan Sokoli dhe Pirro Miso.
Më pas kam ndjekur një kurs  të formimit të lartë (Master) që e organizonte Universiteti i Bolonjës, më saktë Fakulteti i psikologjisë në bashkëpunim me ATER ( Shoqata Shoqata Emilia Romagna Teater) që lidhte artin e kllaunerisë  me situatën e personave që vuajnë nëpër spitale.

Ndoqëm shfaqjen e fundit në Bolonjë  të organizuar nga Teatri i Poezisë në Bazilikën Santo Stefano ku roli juaj ishte i shumëfishtë. Jo vetëm aktore, por edhe kompozitore e këngëve dhe interpretuese e tyre. Ç’paraqesin eksperienca të tilla për karrierën tuaj?

Shfaqja ishte shumë e rëndësishme për mua, pikërisht sepse mu besuan disa role: isha e vetmja këngëtare por edhe aktore në këtë spektakël  e njëkohësisht kisha kompozuar dhe muzikën e këngët mbi bazën e vargjeve të poezisë që Pascoli nuk e ka shkruar për Teatrin, por u vu në skenë dhe kjo më dha mundësi të lidhem akoma më shumë me teatrin edhe nëpërmjet kompozimit. Gjeta frymëzim për t'i bërë vetë këto këngë.

Si e priti kritika?

Nga ana e studiuesve Castoldi (që dhe ka shkruar notat kritike të Re Enzo të Pascolit) kritika ka qenë shumë pozitive. Nuk është e thjeshtë të “muzikosh” Pascolin, dhe mbi të gjitha të mendosh se e ka bërë një shqiptare….

Pas duartrokitjeve të shfaqjes “La Canzone del carroccio” vjen normale pyetja: A do të ketë replika?

Të shpresojmë. Disa nga profesorët e Universitetit, që erdhën dhe në konferencën  për shtypin shprehën dëshirën e tyre  që shfaqja të rivihet në skenë, meqenëse vitin që vjen është 100 vjetori i vdekjes së Pascolit, dhe në Bolonjë, në muajin shkurt do zhvillohet një Konferencë për figurën e Pascolit.

Çfarë përfaqëson Bolonja për ju Sonila? A mbani lidhje me Shqipërinë, qoftë dhe nëpërmjetaktiviteteve me artistë apo me shoqatat shqiptare që veprojnë në territor?

Viti i parë nuk ishte i lehtë në Bolonjë, por këtij qyteti detyrohem shumë: unë jam formuar këtu si artiste. Të gjitha lidhjet artistike i kam këtu jo vetëm përsa i përket teatrit por edhe shfaqjeve koncertiste. Këtu kemi dhe një grup trio ballkanike dhe së shpejti nxjerrim dhe ne treg Cd-në e parë. Ndërsa me shoqatat kam vetëm lidhje të rastësishme, sidomos nëpërmjet kësaj trio mbasi  bëjmë muzikë ballkanike por dhe shqiptare.

Cila është aspirata juaj me këtë  bagazh formimi të shumanshëm?

Dëshira ime është mbi të gjitha të vazhdoj në fushën e artit. Për mua muzika e teatri janë jeta vetë.

Projekte të reja së afërmi?

Një koncert në Bentivoglio me trio ballkanike. Promovimi i Cd-së  me këngët e kësaj trioje. Një spektakël me Teatrin e poezisë në nëntor. E të tjera e të tjera.

Kujt ia dedikoni arritjet e tuaja?

Familjes sime, babit mbi të gjitha, mamit e vëllait. Personat e tjerë që më kanë ndihmuar kanë qënë shumë e nuk mund të veçoj asnjërin prej tyre mbasi u jam mirënjohëse të gjithëve. Arritjet e mia ia dedikoj Artit e Familjes time.

Albana Temali, Bolonjë