The Voice. Vullkani Elhaida Dani shpërthen në Adagio e shkon në gjysmëfinale - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
Këndon, emocionon e emocionohet, përlotet e meriton pa asnjë dyshim televotën e publikut. Për rjetet sociale në internet është The voice italian i vitit

Romë 17 maj 2013 – Në mbrëmjen e katërt live të The voice of Italy të transmetuar drejtpërdrejt mbrëmë në RAI2, Elhaida Dani ka lënë mbresa të jashtëzakonshme. Ishte ajo protagonistja e programit, më e duartrokitura nga publiku në sallë.

Me një interpretim rrëqethës e plot pasion të një kënge të vështirë si Adagio e Laura Fabian-it, 20 vjeçarja shkodrane ka nxjerrë më së miri në pah vlerat e zërit të saj.

Riccardo Cocciante e kish këshilluar të gjente te muzika identitetin e saj e të përpiqej të bënte të sajën këngën Adagio të zgjedhur për përformancën e mbrëmshme. Elhaida hipën në skenë e nis të këndojë. Pa trupën e baletit ta shoqëronte, mjaftoi ajo: me zërin e saj të fuqishëm me interpretimin e saj të mrekullueshëm e tronditës mbushi studion me emocione. Interpretimi i Elhaidës ish aq i ndier sa në fund të këngës nuk arriti të përmbajë lotët, ndërsa publiku i studios në këmbë brohoriste e duartrokiste për të.

“Tek Elhaida shoh diçka të mrekullueshme. Dha gjithçka në nivel emotiv dhe teknik” thotë Riccardo Cociante, shumë i kënaqur nga prova e dhënë nga nxënësja e tij. “Mamma mia! Teknikë e fortë në shërbim të një emocioni të madh” nuk përmbahet Noemi. “Sot vure motorin turbo” i thotë anëtari i jurisë Pelù duke vlerësuar fuqinë e zërit të vajzës nga Shkodra e duke pranuar që kënga e interpretuar prej saj ishte shumë e vështirë. “Do të kesh thyer 4-5  llambadarë në shtëpitë e italianëve” vlerëson në mënyrën e saj zërin e Elhaidës Rafaella Carrà.

Jepet verdikti: i pari ai i publikut, më pas ai i Cocciante-s.

Më e votura nga publiku është Elhaida dhe duartrokitjet e zjarrta në sallë e sytë e qeshur të katër anëtarëve të jurisë shprehin më së miri se janë edhe ata të të njëjtit mendim: ajo meriton të jetë gjysmëfinaliste e The Voice of Italy.

E të njëjtin mendim shpreh, shqip e italisht populli i rrjeteve sociale në internet. “Fantastike”, “Straordinaria”, “Splendidamente stupenda, non ci sono parole”, “Një performancë e shkëlqyer” “Grandissima, komplimenti, urime” “Na nderove, të lumtë. Por na bëre të gjithëve për të qarë”, “Da brividi! Deve vincere lei” janë vetëm disa nga qindra komentet e vëna mbrëmë nën lajmin e kalimit të saj në gjysmëfinale të shpërndarë nga dymijë vetë në facebook.   Për shumëkënd Elhaida është padyshim “The voice” i këtij viti dhe ia urojmë të gjithë.

Nëse epitetet e përdorura në këtë shkrim për Elhaida Danin duken të tepruara këshillojmë të ndiqni edhe njëherë interpretimin e saj Adagio-s. Gjithkush do të kuptojë se nuk ka fjalë për të përshkruar emocionin e fortë që përcolli Elhaida me interpretimin e mbrëmshëm.

Shqiptari i Italisë

In italiano: The Voice of Italy. Il vulcano Elhaida Dani esplode Adagio