mer 16 aprile 2014

Ultimi aggiornamenti12:31:12 PM GMT

Universitetet. Në shtator provimet e pranimit për fakultetet me numër të mbyllur studentësh

Kalendar i ri për provimet e pranimit në Arkitekturë, Mjekësi, Odontoiatri dhe Veterinari. Më shumë kohë në dispozicion edhe për studentët e ardhshëm që mbërrijnë nga jashtë Italie

Romë, 18 qershor 2013 - Më shumë kohë e më pak ankth për t’u përgatitur për testin e pranimit në fakultetet me numër të mbyllur studentësh. Një lajm i mirë edhe për të gjithë të rinjtë që, për t’u paraqitur në provim, duhet të bëjnë valixhet e të vijnë nga vende të ndryshme të botës në Itali.

Është i 7 qershorit lajmi që ministri i Arsimit Maria Chiara Carrozza ka vendosur të shtyjë për në shtator provimet që pararendësi i saj kishte afruar për në korrik. Për të prenotuar provimin e pranimit online do të jepet një mundësi e re pasi në bazë të kalendarit të mëparshëm të testeve, sistemi pranoi prenotime deri në orën 15 të 7 qershorit.

Sipas kalendarit të ri të ministrisë së Arsimit, testet do të mbahen më 3, shtator për Arkitekturën, më 4 shtator për profesionet sanitare; më 9 shtator për Mjekësi, Kirurgji Odontoiatri dhe Proteza dentare dhe më 10 shtator për Veterinari. Universitetet do të hapin sërish prenotimet brenda 25 qershorit dhe skadenca e re do të fiksohet më 18 korrik. Për pagesën e kontributit të regjistrimit pranë universiteteve do të ketë kohë deri më 25 korrik.

Vendimi i ministrit u përgjigjet protestave të studentëve. Me testin në korrik, në fakt ata kishin vetëm pak kohë për t’u përgatitur (këto ditë janë të ngarkuar deri në grykë me provimet e maturës).

Shtyrja e datave të testeve të pranimit është edhe për studentët e ardhshëm që jetojnë jashtë Italisë e që duan të frekuentojnë fakultetet me numër të mbyllur. Në rastin e tyre mbetet sidoqoftë në fuqi afati i fundit i 21 qershorit për paraqitjen e kërkesës së pararegjistrimit pranë konsullatave, që tani do të kenë më shumë kohë për lëshimin e vizave të hyrjes: ashtu si vitet e shkuara, e rëndësishme do të jetë t’u mundësohet të regjistruarve në një universitet italian të vijnë në Itali ditët e para të shtatorit.

In italiano: Università. Slittano a settembre i test per le facoltà a numero chiuso