in

Kompensimi për papunësinë

I huaji që pushohet nga punë, nëse përmbush kushtet e parashikuara me ligj, ka të drejtë për një shumë në mbështetje të të ardhurave që quhet kompensim papunësie. Ky kompensim ka për qëllim të mbrojë punonjësin në çaste të caktuara të jetës së tij profesionale, duke i siguruar ndihmë ekonomike që zëvendëson të ardhurat nga puna

Kujt i takon kompensimi për papunësinë
Praktikisht është një shumë në para që i takon punonjësve të varur të siguruar për papunësinë që nuk varet nga vetë punonjësi, i cili papritur gjendet i papunë, pra pa rrogë, për këto motive: licencim, pezullim për mungesë pune, skadim të kontratës. Nuk kanë të drejtë për kompensim ata që vullnetarisht heqin dorë nga puna, me përjashtim të grave me leje lindjeje dhe të punonjësve që japin dorëheqjen për motive të drejta (mosdhënie e rrogës, ngacmime seksuale, modifikim me përkeqësim i detyrave të punës, mobbing). Kompensimi u takon edhe punonjësve që janë pezulluar nga ndërmarrje që goditen nga ngjarje të përkohshme që nuk shkaktohen as nga punonjësit e as nga punëdhënësi (mungesë pune, krizë tregu). Punonjësit e huaj me lejeqëndrim për punë stinore nuk kanë të drejtë për këtë kompensim pasi janë të përjashtuar nga detyrimi i sigurimit për papunësinë.

Kushtet
Për të marrë këtë kompensim është e nevojshme që punonjësi të plotësojë kushtet e mëposhtme:
– të jetë në gjendje papunësie, pra të jetë pa punë. Gjendja e papunësisë fitohet duke u paraqitur personalisht në Qendrën për Punësimin, kompetente për territorin, dhe duke nënshkruar një deklaratë me të cilën punonjësi dëshmon punën e kryer më parë dhe gatishmërinë e menjëhershme për të filluar punë;
– të ketë paguar, në dy vitet që paraprijnë datën e ndërpres së marrëdhënies së punës, kontributin për papunësinë e pavarur nga punonjësi;
– të ketë të paktën një vit kontribute (të barabartë me të paktën 52 kontribute javore në dyvjeçarin që paraprin datën e ndërprerjes së marrëdhënies së punës);
– të jetë i aftë për punë.
Kërkesa
Kërkesa, e përbërë nga formulari DS 21, paraqitet në selinë e INPS-it (ose në Qendrën e Punësimit kompetente për rezidencën ose përmes Patronatit), brenda 68 ditëve nga pushimi nga puna. Kërkesës i duhen bashkëngjitur:
– deklarata e përgjegjësisë e përpiluar nga punëdhënësi i fundit (formulari DS 22). Në alternativë, është e mundur të paraqitet një deklaratë zëvendësuese me të cilën të vetëcertifikohen informacionet lidhur me marrëdhënien e fundit të punës;
– certifikata e regjistrimit në listat e të papunëve;
– kërkesa e zbritjeve fiskale Irpef.
Formularët DS 21 dhe DS 22 dhe kërkesa e zbritjeve Irpef mund të gjenden, përveçse në zyrat e Inps-it, në web-site-in www.Inps.it, në seksionin “moduli”.

Shuma
Kompensimi i zakonshëm që paguhet nga 1 janari 2008 është sa 60% e rrogës mujore bruto për gjashtë muajt e parë, sa 50% për muajin e shtatë dhe të tetë dhe sa 40% për muajt në vazhdim.
Punonjësve të pezulluar u paguhet kompensim sa 50% i rrogës.
Kufiri maksimal i shumës së kompensimit është 858,58 euro që arrin deri në 1.031,93 euro për punonjësit që kanë rrogë mujore bruto mbi 1.857,48 euro.
Këta kufij rriten nga viti në vit sipas ndryshimit të treguesve Istat.

Kohëzgjatja
Nga 1 janari 2008 kohëzgjatja e dhënies së kompensimit të papunësisë është rritur nga 7 në 8 muaj, dhe 12 për ata që kanë moshë mbi 50 vjeç.
Punonjësve të pezulluar u takon, për të shumtën, 65 ditë.

Humbja e të drejtës së kompensimit
Pagesa e kompensimit të papunësisë ndërpritet kur punonjësi:
– ka marrë kompensimin për të gjitha ditët e parashikuara;
– nis një punë të re për një periudhë më të gjatë se 5 ditë të njëpasnjëshme;
– nis të marrë pension (pension për vjetërsi në punë, për mbushjen e moshës);
– hiqet nga listat e të papunëve.

Ankimimi
Në rast se kërkesa për të marrë kompensim papunësie hidhet poshtë, i interesuari mund t’i paraqesë ankimim, në kartë të thjeshtë (pa pullë-taksë) Komitetit Provincial të Inps-it, brenda 90 ditëve nga data e marrjes së letrës me të cilën i njoftohet hedhja poshtë e kërkesës.
Ankimimi mund të bëhet pranë sporteleve të Inps-it, t’i dërgohet Inps-it me postë rekomandé me lajmërim marrjeje, apo të paraqitet përmes një prej Patronateve të njohura me ligj.

Kompensimi i papunësisë me kushte të reduktuara
Ky kompensim është një shumë në mbështetje e të ardhurave që u takon punonjësve që, pasi kanë kryer një punë të varur për një periudhë të kufizuar, nuk kanë 52 kontribute javore gjatë dy vjetëve të fundit por që kanë punuar të paktën 78 ditë gjatë vitit të fundit, përfshirë festat dhe mungesat e paguara (për sëmundje, leje lindjeje etj.).

Kushtet
Për të fituar të drejtën e kompensimit me kushte të reduktuara është e nevojshme që punonjësi të plotësojë kushtet e mëposhtme:
– të ketë të paktën dy vjet sigurime për papunësinë e pavullnetshme (pra duhet pasur të paktën një kontribut javor të paguar përpara dyvjeçarit pararendës të vitit kur kërkohet kompensimi);
– të ketë kryer punë të varur për të paktën 78 ditë në periudhën e referimit.

Kërkesa
Kërkesa për kompensim papunësie me kushte të reduktuara i duhet paraqitur Inps-it (me formularin DS 21) brenda 31 marsit të vitit pasardhës së atij kur ka pushuar marrëdhënia e punës.
Kërkesës i duhen bashkëngjitur:
– deklarata (formulari DL 86/88bis) e punëdhënësve pranë të cilëve është punuar gjatë vitit pararendës;
– kërkesa për zbritjet fiskale Irpef.
Formularët DS 21 dhe DL 86/88bis dhe kërkesa e zbritjeve Irpef janë të disponueshme, përveçse në zyrat e Inps-it, në web-site-in www.Inps.it, në seksionin “moduli”.
Kompensimi është sa 35% e pagës ditore mesatare për 120 ditët e para dhe sa 40%, për ditët në vazhdim, brenda kufijve të një shume mujore maksimale  bruto prej 844,06 euro, që arrin deri në 1.014,48 euro për punonjësit që kanë rrogë mujore bruto mbi 1.826,07 euro.
Kompensimi u takon punonjësve për periudhat e papunësisë gjatë vitit diellor pararendës dhe për një numër ditësh të barabartë me ditët e vitit pararendës kur është punuar, maksimumi deri në 180 ditë, përfshirë edhe ato që mund të jenë kompensuar me kushtet e kompensimit të zakonshëm.

Përgatiti Rosanna Caggiano
www.stranieriinitalia.it

Lexo edhe:

Humba vendin e punës, ç’ndodh me lejeqëndrimin tim?

Karta e qëndrimit: në dhjetor me test gjuhe

Thirrje për lirimin e Muharrem Gashit