Bonus bebe. Çifti shqiptar fiton gjyqin kundër INPS-it - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali
Edhe me lejeqëndrim të thjeshtë të vlefshëm për punë mund të përfitohen ndihmesat si bonusi bebe. E pohon përsëri një gjykatë, këtë radhë ajo e Fermos që urdhëron INPS-in “t’i japë  fund qëndrimit diskriminues” dhe t’i paguajë çiftit jo vetëm bonusin por edhe shpenzimet legale
 

Romë, 6 tetor 2017 – Nga Fermo vjen sërish një lajm i mirë. Gjykatësi përsëri pohon që mospasja e kartës së qëndrimit nuk mund të bëhet pengesë për marrjen e bonusit për foshnjet, për të cilin INPS që e lëshon, vazhdon ta kërkojë si dokument të domosdoshëm pa u mjaftuar me një lejeqëndrim të vlefshëm për punë siç parashikon normativa evropiane. “INPS t’i japë fund qëndrimit diskriminues dhe t’i njohë çiftit bonusin, për kohën e masën e përcaktuar nga ligji” shkruhet e zezë mbi të bardhë në vendimin e gjykatës civile të Fermos të 28 shtatorit 2017. INPS detyrohet gjithashtu “t’i paguajë çiftit edhe shpenzimet gjyqësore”.

Rasti në fjalë është ai i një çifti të rinjsh shqiptarë, burri 30 vjeç, e shoqja 25, që kur u bënë me fëmijë i kërkuan INPS-it të merrnin bonusin bebe.

Edhe pse me lejeqëndrim dyvjeçar e burri në marrëdhënie pune, familja ka të ardhura të ulëta e plotëson të gjitha kriteret ekonomike për të përfituar çekun.  Është fjala për çekun 80 euro në muaj (familjeve që kanë “tregues të situatës ekonomike të barasvlefshme” (ISEE) jo më të lartë se 25 mijë euro në vit) ose 160 euro në muaj (nëse ISEE është maksimumi 7 mijë euro), nga lindja deri sa foshnja të mbushë 3 vjeç, ose nga dita e ardhjes në bërthamën familjare të fëmijës së birësuar për tre vjet rresht.

Por INPS hedh poshtë kërkesën e çiftit sepse nuk kanë kartën e qëndrimit apo lejeqëndrimin BE për qëndruesit afatgjatë, që Instituti italian i sigurimeve shoqërore vazhdon të mbajë mes kushteve të domosdoshme kur aplikuesit janë të huaj. Ky qëndrim – siç e kanë pohuar edhe gjykatat në raste të ndryshme – bie në kundërshtim me normat evropiane që përcaktojnë barazinë e trajtimit me shtetasit italianë në përfitimin e të gjitha ndihmesave të disiplinuara nga Rregullorja BE 883/2004 (mes të cilave bën pjesë edhe bonusi) të të gjithë të huajve me leje qëndrimi për punë apo që u lejon të punojnë (pra aktualisht lejeqëndrimi unik sipas dekretit legislative 40/2014), të titullarëve të statusit të refugjatit politik apo të mbrojtjes humanitare dhe të mbajtësve të “Kartës blu” (pra të lejes së qëndrimit për të huajt me kualifikim të lartë).

Edhe këtë radhë, gjykata u jep të drejtë prindërve të rinj të mbrojtur nga avokati Arjol Kondi.
“Nuk është herë e parë që kam ndjekur personalisht të tilla çështje, që gjithnjë përfundojnë me sentencë që detyron INPS-in të paguajë të huajt edhe pa pasur kartën e qëndrimit. – thotë avokati Kondi për Shqiptariiitalise.com – Është e papranueshme që edhe pas shumë vendimesh gjykate të këtij lloji, në të katër anët e Italisë, INPS vazhdon të mbajë këtë qëndrim diskriminues ndaj imigrantëve e nuk heq kriterin e kartës së qëndrimit”.

“Në këtë rastin e fundit, – vazhdon të sqarojë avokati –  burri punon rregullisht, por megjithatë, treguesi ekonomik i familjes është aq i ulët sa i takon bonusi i dyfishuar, pra 1.920 € në vit, për tre vjet”.

“Për më tepër, gjykatesi në këtë rast shkon drejt e në thelb të çështjes dhe jo vetëm që e dënon INPS-in t’i paguajë bonusin familjes, por edhe t’i mbulojë shpenzimet ligjore” përfundon avokati Arjol Kondi.

Shkarko vendimin e Gjykatës së Fermos të 28 shtatorit 2017

Keti Biçoku
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në 
Facebook
 dhe Twitter)