Burgu u rri ngushtë shqiptarëve - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali

Duke u varur me çarçafë si në filmat e fëmijërisë, duke shqyer hekurat e qelive, nëpërmjet tubave të ajrosjes... jemi arratisur me të gjitha mënyrat, të mendueshme e të pamendueshme, nga burgjet e Italisë. Peripecitë e përçapjeve të tilla mbushin mediat italiane, që s'i kursejnë epitetet e metaforat kur flitet për djemtë tanë. Bien në burg për krime të ndryshme: nga shpërndarja e drogës, tek vjedhjet, nxitja e prostitucionit, mbështetja e imigracionit klandestin, për faje e shkelje të ndryshme ligjore... Veçse pas titujve të parë të gazetave të huaja fshihen histori njerëzore, që i kanë fillesat në varfërinë e mjerimin shqiptar.

Përgjigja e shoqërisë ndaj krimit është shteti ligjor, policia, gjykata, burgjet. Kultura perëndimore në shekullin e fundit e ka ndryshuar mjaft qëndrimin e vet ndaj "fajit", dhe si provë e fundme për këtë është heqja në mjaft shtete e dënimit me vdekje. Për pro-të dhe kundra-t e këtij vendimi debati është sot më i ndezur se kurrë. Po aq saç është i ndezur debati mbi shfajësimin e krimit dhe lehtësimin e dënimit për personat që deklarohen "të paaftë të kuptojnë dhe të duan", debati për amnistitë, për moshën dhe përgjegjësinë individuale e kolektive. Shoqëria njerëzore po ndërgjegjësohet paralelisht mbi rëndësinë që ka shkollimi, edukimi, mirëqenia, në zhvillimin dhe ecurinë normale të individit. Në politikat shoqërore deri edhe partitë e majta e të djathta po bien dakord.

Koncepti ynë mbi krimin ndryshoi, por nuk ndryshoi qëndrimi ynë ndaj burgut. "Burgu për burrat është", thuhej ndër ne. Që do të thotë se burrat janë të aftë të përballojnë vuajtje dhe se kjo i bën edhe më burra, i fisnikëron, u rrit famën. Vetëm se ndryshimi është si dita me natën, mes atij që hyn në burgu se beson e lufton për një ide dhe atij që hyn sepse e kapën "me drogë në duar" tek transportonte 5 kile kokainë, dhe si nata me ditën ndryshon edhe burgu i Spaçit nga burgjet moderne, prej ku mund deri edhe të ndjekësh universitetin.

Mes studiuesve të filozofisë së të drejtës mbetet ende i pazgjidhur diskutimi lidhur me dënimin ose jo të një përpjekjeje për t'u arratisur nga burgu, domethënë: a është legjitime ta quash krim arratisjen dhe ta dënosh penalisht? Dhe si gjithnjë si argument sillet rasti ekstrem: nëse një i burgosur dënohet për një X krim me 10 vjet dhe përpiqet të arratiset pa sukses rreth 5 herë, të themi, dhe për këtë akt dënohet 5 herë me nga 2 vjet, ai vuan dënimin jo për krimin që ka kryer në fillim, por sepse është përpjekur t'i shmanget masës së dënimit. Të merremi vesh, nga burgu nuk arratisen vetëm shqiptarët: në 12 mars të 2003 agjencitë e lajmeve sillnin rastin e një italiani të arratisur nga një burg në periferi të Parisit. Aksioni për arratisjen e Antonio Ferrarës, akuzuar në Francë për krime, vjedhje e të tjera, u krye në mënyrën më spektakolare të mundshme: një grup nga jashtë mureve qëlloi me bazuka një nga kullat, një tjetër hyri me armë brenda në burg dhe një grup i tretë priste jashtë. Historia e dytë vjen nga Siberia. Në shkurt të 2003 ANSA rrëfen rastin e një inxhinieri që kryente dënimin në zonën e Novozibirskut, në Siberinë perëndimore. Peçionkini ishte dënuar për një zinxhir abuzimesh në ndërtime me 9 vjet e gjysmë heqje lirie. Meqë konsiderohej i burgosur- model e kishin lejuar të drejtonte punimet në një kantier pranë burgut. Tamam në këtë kantier, siç u zbulua më vonë, së bashku me dy bashkëpunëtorë kish gërmuar një galeri rreth 113 metra të gjatë dhe me diametër rreth një metër. Kur, pas katër muajsh pune, ka kuptuar se galeria kish arritur pranë qelisë së tij, u jep "dy ditë pushim të punësuarve" dhe arratiset i vetëm. Çka na bën të reflektojmë mbi atë që thoshte Sokrati se askush nuk mund të shtrëngohet të vuajë vullnetarisht dënimin për një krim, edhe nëse e ka pranuar atë. Figuriamoci, un albanese! i.s.

Arratisje me çarçafë e shqiptarëve nga burgu i Firences. E nuk është film

Ndalen pas një jave të arratisurit shqiptarë nga burgu i Soliçanos në Firence. Por mënyra e largimit dhe shpeshtimi i rasteve të arratisjes së shqiptarëve u fut ankthin rojeve italiane

Policia priste t'i kapte ndërsa përpiqeshin të ktheheshin në Shqipëri. Por dy shqiptarët e arratisur më 14 maj nga burgu i Firences duhet ta kishin nuhatur e kishin marrë rrugën për në Francë, në atdheun e personazhit të famshëm të arratisjeve nga burgjet, Papijonit. Aventura e Besnik Hysenit dhe Fatos Ferkos përfundoi në stacionin e Ventimiljas më 22 maj, një javë pasi ishin shndërruar në "heronj" të gjithë të burgosurve të Italisë.

Ia kishin dalë të arratiseshin nga burgu në mënyrën më spektakolare, nga ato që kanë hyrë në imagjinatën kolektive vetëm nëpërmjet filmave e që ňdo të burgosuri ndoshta u duken të pamundura: një brimë në tavanin e qelisë, zvarritja nëpër tubin e ajrimit, gjashtë metra litar të bërë me çarçafët e lidhur... Më film se kaq..

Të dy kanë patur ngut të ikin nga burgu. Nuk dihet në ishin bërë miq në atë qeli apo njiheshin që më parë. Hyseni kishte arritur aty në mars, as dy muaj para se të arratisej, tjetri ishte në Soliçano që në janar. I pari ishte dënuar me dy vjet e gjysmë për blerje sendesh të vjedhura, priste të apelonte vendimin e sidoqftë do të dilte në janarin e 2005-ës. Tjetri priste ende gjykimn pasi ishte arrestuar nga karabinierët e Bolonjës për shitje droge me doza të vogla.

Ata duhet të kenë studiuar të gjithë perimetrin e burgut të Soliçianos dhe duhet të kenë evidentuar pikat kryesore nga mund të dilnin. Besnik Hyseni, 18 vjeç dhe Fatos Ferko, 25 vjeç, fillimisht kanë zbuluar një "vrimë" në hapësirën ku qëndronin të mbyllur. Një tub i vjetër ajrimi lidhte qelinë e tyre me çatinë e godinës së burgut. Për disa orë rresht ia kanë dalë të çajnë tavanin me mjete të forta dhe kanë arritur deri tek tubi i ajrimit, e pastaj duke u zvarritur deri në çatinë e burgut. Duke përfituar nga errësira e natës, Hyseni dhe Ferko, e kanë patur të gjithë kohën të tyren. Fillimisht kanë lidhur çarçarët e krevatëve duke formuar një litar rreth gjashtë metra të gjatë. Çarçafët i kanë lidhur më pas në një hekur në tarracë dhe kanë realizuar zbritjen. Sipas policisë italine, lartësia e burgut është e madhe dhe çarçafët e lidhur ua ka lehtësuar punën dy shqiptarëve. Pasi kanë zbritur nga tarraca janë ndodhur në oborrin e burgut. Duke përdorur disa tuba që ndodheshin në një kantier të vogël ndërtimi në oborr, kanë arritur të kapërcejnë murin rrethues të burgut.

Zyrtarët e burgut e kanë zbuluar mungesën e dy të burgosurve vetëm mëngjesin e të mërkurës. Menjëherë kanë dhënë alarmin duke angazhuar të gjithë policinë e qytetit të Firences për gjetjen e Hysenit dhe Ferkos. Rastësisht, janë ndaluar në Ventimilja.

Kishte njëmbëdhjetë vjet që nga burgu i Soliçanos nuk ishte arratisur dot njeri. U deshën dy shqiptarë e tre çarçafë për të thyer sërish rekordin.

Dy muaj më parë pesë shqiptarë ishin arratisur nga burgu i Riminit

Ka ndodhur të hënën e 7 prillit të këtij viti dhe ka patur si personazhe pesë shqiptarë që ndodheshin të gjithë në të njëjtën qeli në burgun e Riminit ku mbahet i arrestuar edhe humoristi shqiptar Koço Devole. Tre prej tyre ishin pjesëtarë të një bande që vidhte në vilat e Romanjas, dhe që ishin kapur nga skuadrat e policisë italiane gjatë periudhës mes shkurtit dhe marsit të po këtij viti. Të pestë kanë zgjeruar hekurat e dritares duke përdorur një peshë të marrë nga palestra. Me t'u gjendur në oborr, janë drejtuar për në pjesën e burgut që ndodhet më pranë autostradës A14, kanë prerë rrjetën rrethese dhe janë larguar, - mundet me ndihmën e bashkëpunëtorëve që i prisnin jashtë me makinë. Mes tyre ndodhej edhe "i famshmi" Lim Kaci, vetëm 17 vjeç, që me parë ia kish dalë të arratisej nga qendra e pritjes për të miturit në Bolonjë. Një muaj më pas janë kapur tre nga të arratisurit ndërsa dy të tjerët janë zhdukur pa lënë gjurmë.

Bota shqiptare 85 – maj 2003