Çeku social 2015. Nevojiten mbi 5.830 euro në vit për të qëndruar në Itali - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali
INPS përcakton shumën e re vjetore të çekut social për vitin 2015, që u paguhet nga shteti të moshuarve më në nevojë dhe është shumë referimi themelore edhe për praktikat e imigracionit, ng lejet e qëndrimit te bashkimet familjare

Romë, 12 janar 2015 – Edhe këtë vit rritet pak shuma e çekut social. Është ky një lajm i mirë për të gjithë të moshuarit që jetojnë me vetëm këtë të ardhur por edhe një informacion i dobishëm për të gjithë imigrantët. 

Siç shpjegon INPS në një qarkore të ditëve të para të janarit, këtë vit çeku social është 5.830,76 euro apo 448,52 euro për 13 këste, vlera e çekut social për vitin 2015.

Çeku u takon shtetasve italianë, komunitarë dhe atyre jokomunitarë me kartë qëndrimi, me moshë 65 vjeç e 3 muaj, që jetojnë në Itali prej të paktën dhjetë vjetëve, dhe që nuk kanë të ardhura apo  kanë të ardhura vjetore më të ulëta se vetë çeku.

Edhe pse në të vërtetë janë relativisht të paktë të moshuarit e huaj që përmbushin të gjitha kriteret për të marrë çekun, ai është i rëndësishëm për milionë të huajt që punojnë e jetojnë në Itali pasi është kriteri bazë ekonomik që më shpesh përdoret nga ligji mbi emigracionin për të përcaktuar kapacitetin ekonomik e për rrjedhojë edhe të drejtën për të jetuar në Itali apo për të sjellë këtu familjen.

Të gjithë imigrantët që do të përtërijnë këtë vit lejeqëndrimin, apo të kërkojnë lejeqëndrimin BE për qëndruesit afatgjatë (karta e qëndrimit), për shembull, duhet të tregojnë se kanë të ardhura vjetore jo më të ulëta se çeku: 5.830,76 euro. Kush do të nisë praktikën për të sjellë në Itali bashkëshortin me bashkim familjar do të nevojiten të ardhura sa të paktën 1,5 herë çeku social, apo 8.746,14 euro.

Edhe shtetasit komunitarë, nëse nuk kanë një punë, sidoqoftë, duhet të tregojnë të ardhura mujore të paktën sa shuma e çekut social për të qëndruar në Itali më gjatë se 3 muaj.