Çeku social edhe për të moshuarit që jetojnë në një familje që ka të ardhura - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali
Gjykata e Lartë i njeh të drejtën e çekut social emigrantit edhe pse jeton me të birin që ka të ardhura. “Të ardhurat që duhen konsideruar për të njohur ose jo të drejtën e çekut social janë vetëm ato të personit që e kërkon këtë ndihmesë”

Romë, 31 maj 2013 – Një i huaj i moshuar titullar i një karte qëndrimi për bashkim familjar, pa të ardhura, apo me të ardhura vjetore nën 5.749,90 euro, ka të drejtën e çekut social edhe nëse jeton në një familje që ka të ardhura më të larta se vetë çeku.

Kështu ka vendosur Gjykata e Lartë  që ka vënë në dukje se “të ardhurat që duhen marrë në konsideratë janë ekskluzivisht ato të personit që kërkon çekun social”. Seksioni i Punës i gjykatës së Lartë, me sentencën 13.576 ka hedhur poshtë ankimimin e INPS-it kundër vendimit të gjykatës së Diktimit të Milanos që në shtator 2007 i kish dhënë të drejtë emigrantes Dnayat B. me kartë qëndrimi në Itali duke vendosur që ajo ka të drejtën e pensionit social pasi nuk ka asnjë lloj të ardhure.

INPS ka ngritur ankimim kundër këtij vendimi duke iu drejtuar gjykatës së Lartë. Sipas institutit të sigurimeve shoqërore, gruaja nuk ka të drejtën e pensionit social sepse jeton me familjen e të birit që i ka bërë bashkimin familjar, e që ka të ardhura për ta mbajtur nënën.

Gjykata e Lartë ka hedhur poshtë ankimimin e INPS-it, sepse bazohet në norma jo-juridike, dhe ka sqaruar që “të ardhurat e referimit janë ekskluzivisht ato të personit që kërkon çekun social, duke marrë në konsiedratë edhe të ardhura të mundshme të bashkëshortit apo të ardhura të tjera (nga shtëpi apo prona të tjera – shënim i redaksisë) që në këtë rast nuk ekzistojnë”. Gjithsesi, shton gjykata e Lartë, është e qartë që e moshuara e huaj “nuk gëzon asnjë lloj të ardhure personale dhe mbahet falë bashkëjetesës me familjen e të birit”.