Emergjenca koronavirus. Zgjatet vlefshmëria e dokumenteve të qëndrimit  - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali
Risitë e ardhura në fuqi nga 30 prilli lidhur me shtyrjen e skadencës së dokumenteve të qëndrimit: lejeqëndrimet për sezonalët të vlefshme deri më 31 dhjetor, për të gjithë të tjerët deri më 31 gusht

 

Romë, 10 maj 2020 – Nga 30 prilli ka hyrë në fuqi ligji i konvertimit të dekretit “Cura Italia” që sjell risi lidhur me qëndrimin e të huajve në Itali: si shtyrja e vlefshmërisë së lejeve të qëndrimit, autorizimeve dhe konvertimeve deri më 31 gusht 2020.

I vetmi përjashtim vlen për lejet e qëndrimit për punë sezonale me skadencë nga 23 shkurti deri më 31 maj 2020, vlefshmëria e të cilave shtyhet, akoma më shumë, deri në 31 dhjetor 2020.

 

Lejeqëndrimet për të cilat shtyhet skadenca deri më 31 gusht janë ato për punë të varur apo të pavarur, për motive familjare, për studime dhe për azilkërkuesit.  

Zgjatja e vlefshmërisë nënkupton që të huajt mund të kërkojnë përtëritjen (për lejet jo sezonale) brenda 60 ditëve duke filluar nga 31 gushti 2020.

 

Skadenca shtyhet edhe për:

- dokumentet e udhëtimit të personave me statusin e refugjatit;

- autorizimet (nullaosta) për bashkimet familjare, për punë sezonale, për raste të veçanta si Karta blu, kërkim shkencor, transferimet brenda korporatave. Në këto raste, koha e vlefshme për pajisjen me vizë do të nisë nga 31 gushti 2020;

- konvertimin e lejeve të qëndrimit nga motive studimi në punë të varur e nga punë sezonale në punë të varur josezonale. Procedurat përkatëse mbeten të pezulluara deri më 31 gusht 2020;

- autorizimet e lëshuara nga një tjetër shtet i BE-së që lejon qëndrimin në Itali.

 

Të gjitha këto parashikohen në dekretin legjislativ 18/2020, të koordinuar me ligjin e konvertimit 27/2020, të botuar më 29 prill në Gazetën Zyrtare (neni 78 paragrafi 3-sexies dhe neni 103 paragrafi 2 quarter).