Fabriano{br}Marrin padrejtësisht pensionin social. Probleme për 15 të huaj - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali
Për tetë muaj, karabinierët e Fabrianos hetojnë mbi 45 të huaj që merrnin pensionin social e zbulojnë që 15 prej tyre, shqiptarë, maqedonas, marokenë, dhe  rumunë e merrnin padrejtësisht sepse nuk jetojnë në Itali

Romë, 16 gusht 2012 – Sërish një rast shqiptarësh e të tjerë të huaj që paditen për mashtrim e vjedhje ndaj Institutit italian të sigurimeve shoqërore sepse kanë marrë pensionin social edhe pse nuk jetojnë realisht në Itali. Këtë radhë lajmi vjen nga Fabriano në krahinën e Marcheve.

Në nëntor 2011 karabinierët kanë nisur verifikimin e plotësimit të kritereve për marrjen e pensionit social të dhënë nga INPS edhe të moshuarve të huaj me kusht që pëveç moshës, kartës së qëndrimit (në rastin e jokomunitarëve) dhe të ardhurave të ulëta të kenë rezidencë “efektive dhe të vazhdueshme” në Itali. Hetimet janë përqendruar në një kampion prej 45 personash (emrat e adresat i janë marrë INPS-it) të cilëve u është shkuar derë më derë për të parë nëse jetojnë apo jo në adresën e dhënë. Shpesh pasi lajmëroheshin nga të afërmit që ishin kërkuar, të moshuarit ktheheshin e paraqiteshin te karabinierët duke sajuar lloj-lloj justifikimesh për largimin “e shkurtër” nga adresa ku deklaronin se jetonin. Por një kontroll i pasaportave mbi vulat e hyrje-daljeve nga Italia përgënjeshtronte versionet e tyre.

Pas hetimeve që kanë zgjatur tetë muaj, karabinierët kanë zbuluar kështu që në 15 raste, pleqtë (shqiptarë, maqedonas, marokenë, dhe  rumunë) u kishin lënë prokurë të afërmve të tyre të tërhiqnin pensionin dhe ishin kthyer përfundimisht në vendlindje apo kalonin atje pjesën më të madhe të vitit, në një kohë kur ligji në fuqi parashikon që INPS të lajmërohet edhe nëse i huaji largohet për më shumë se 30 ditë rresht.

INPS po verifikon dëmin e pësuar – përllogaritjet e para flasin për rreth 200 mijë euro nga viti 2010 e këtej – dhe më pas do të nisë procedurat për rikuperimin e shumave që i janë marrë padrejtësisht. Për 15 personat që kanë përfituar padrejtësisht pensionin  është informuar Prokuroria e Ankonës që mund t’i padisë për mashtrim e vjedhje të vazhdueshme në dëm të shtetit në rrethana rënduese. Por njëkohësisht po verifikohet pozita ligjore edhe e të afërmve që kishin prokurë për tërheqjen e pensionit, që mund të paditen për bashkëpunim në veprën penale të mashtrimit.