Karta e qëndrimit. Sa duhet fituar për ta kërkuar për vete e familjarët - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali
Të ardhurat janë shumë të rëndësishme për të pasur të bekuarin lejeqëndrimin BE për qëndrues afatgjatë. Shumat e reja të vlefshme për vitin 2018 sipas familjarëve në ngarkim

Romë, 19 shkurt 2018 – Lejeqëndrimi BE për qëndrues afatgjatë, apo dokumenti që vazhdojmë të quajmë kartë qëndrimi, është më i ëndërruari nga emigrantët pasi u jep mbajtësve jo vetëm të drejtën e qëndrimit të përhershëm në Itali por edhe një sërë të drejtash të barabarta me italianët në disa aspekte, nga punësimi në administratën publike deri te përfitimi i shërbimeve sociale. Për "vjetërsinë" e qëndrimit në Itali, 71,3% e 441.838 shtetasve shqiptarë me leje qëndrimi e ka tashmë këtë dokument.

Kriteret bazë që duhen përmbushur për ta kërkuar, janë lejeqëndrim prej pesë vjetësh, strehim i përshtatshëm dhe të ardhura të mjaftueshme.

Për këtë të fundit, parametri bazë i referimit është gjithnjë shuma e çekut social, që për vitin 2018 ka në vlerën 5.889,00 euro. Siç parashikohet nga neni 9, paragrafi 1 i dekretit legjislativ 286/98, kush aplikon për kartën e qëndrimit duhet të ketë të ardhura vjetore jo më të ulëta se shuma e çekut social për vitin kur paraqet kërkesën.
E për përmbushjen e kriterit të të ardhurave llogariten jo vetëm ato që vijnë ga rroga, por edhe ato që vijnë nga pensione të mundshme (ai i invaliditetit për shembull), ndaj duhen shënuar.

Në rast se kërkesa për kartën e qëndrimit bëhet edhe për familjarë bashkëjetues, të ardhurat e kërkuara rriten në përpjestim me numrin e familjarëve që deklarohen në ngarkim. Është e mundur që të shumohen e të llogariten së bashku të ardhurat e të gjithë familjarëve bashkëjetues e me qëndrim të rregullt në Itali. Llogaritja që duhet bërë është e njëjtë me atë për bashkimet familjare (në përgjithësi, gjysmë çeku social shtesë për çdo familjar). Nëse kërkohet karta e qëndrimit për vete e dy apo më shumë bij nën 14 vjeç, të ardhurat e kërkuara janë sa dyfishi i çekut social.

Ja disa shembuj kufijsh minimalë të ardhurash që duhen mbajtur parasysh, në rast se kërkon kartën edhe për familjarë në ngarkim:
Kërkuesi + 1 familjar: 8.833,50 €
Kërkuesi + 2 familjarë: 11.
778,00
Kërkuesi + 3 familjarë: 14.722,50 €
Kërkuesi + 4 familjarë: 17.667,00 €
Kërkuesi + 2 apo më shumë bij të mitur nën 14 vjeç: 11.778,00 €
Kërkuesi + 2 apo më shumë të mitur nën 14 vjeç dhe 1 tjetër familjar: 14.722,50 €
Kërkuesi + 2 apo më shumë të mitur nën 14 vjeç dhe 2 familjarë të tjerë: 17.667,00 €.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)