Kushëriri nga Amerika - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali

Parti të tipit të Lega Nord e kanë ndërtuar kapitalin politik pikërisht duke i mëshuar këtij ekzorcizimi bombastik të së keqes, ose projeksioni të problemeve tek Tjetri: jugorët, terronët, imigrantët

Nga Foto Çasti, shkurt 2006

Kritikët e këtij koncepti të ri "amerikan" për vetëmbrojtjen e qytetarit e ngritën zërin, përkundrazi, për amoralitetin e një koncepti juridik që lejon, ndër të tjera, të merret një jetë njeriu për krime kundër pronës. Me këtë rast, u përmend edhe perspektiva, krejt e padëshiruar, e shndërrimit të provincës italiane në një "far west" ku rendi publik t'u lihet në duar pronarëve të armëve të zjarrit; çka don të thotë edhe dështim virtual i asaj shoqërie që përgjegjësinë për ruajtjen e rendit ua beson qytetarëve të vet.

Nëse modifikimi i ligjit për mbrojtjen vetjake është frymëzuar vërtet nga realiteti amerikan, ose nga nevoja për t'u dhënë më shumë hapësirë shtetasve në çështje të prandalimit të kriminalitetit dhe luftës kundër krimit ndaj personit dhe pronës, atëherë krahasimi midis rendit publik në të dy vendet, Itali dhe SHBA, vjen në vështrim vetvetiu. Në të vërtetë, në Amerikë e drejta për mbajtje armësh konsiderohet si e drejtë civile themelore dhe e garantuar me kushtetutë (nga i mirënjohuri amendament i dytë), edhe pse mbijetesa e këtij amendamenti u detyrohet më shumë rrethanave historike të ngjizjes dhe përftimit të kombit amerikan gjatë këtyre dyqind vjetëve të fundit. Brenda federatës, shtete të mëdha dhe të urbanizuara të dy brigjeve oqeanike, me një profil kulturor të afërt me Evropën, kanë adoptuar prej kohësh ligje të rrepta për kontrollin dhe përdorimin e armëve që, praktikisht, e shpërfillin amendamentin në fjalë. Përkundrazi, në shtete tradicionalisht rurale të zemrës së kontinentit, me popullsi të rrallë dhe pak a shumë homogjene, zotërimi i një arme zjarri konsiderohet si atribut i pjekurisë morale dhe shenjë parësore e qytetarisë publike. Vitet e fundit, për shkak edhe të disa krimeve të përcjella me bujë prej mediave, lëvizja për forcim të mëtejshëm të ligjeve të kontrollit të armëve ka fituar terren, por lobi i kundërt i të gjithë atyre që armëmbajtjen e quajnë komponente esenciale të lirisë amerikane mbetet gjithnjë mbizotërues në Washington.

Zakonisht debati për zotërimin dhe përdorimin e armëve nga individët në Amerikë përqendrohet rreth ndikimit frenues dhe kontrollues që ruan armëmbajtja ndaj kriminalitetit. E vërteta është se shtetet me kontroll më të rreptë të armëve të zjarrit, janë edhe shtete me kriminalitet më të lartë, me numër më të madh vrasjesh dhe grabitjesh me armë, numër më të madh të burgosurish për krime të rënda kundër personit e kështu me radhë. Mirëpo kjo shpjegohet më lehtë me shkallën e lartë të urbanizimit të zonave me kriminalitet të lartë, si dhe me karakterin heterogjen të popullatës së atjeshme. Kritikët e amendamentit të dytë, nga ana e tyre, rikujtojnë se çdo armë zjarri që mbahet në shtëpi ka 43 herë më shumë të ngjarë të përdoret për të vrarë një pjesëtar të familjes, sesa një kusar, grabitës ose vrasës të ardhur nga jashtë. Funksioni themelor i një arme zjarri, theksojnë këta kritikë, nuk është të mbrojë individin ose familjen ose rendin publik, por të vrasë njerëz pa dallim.

Funksioni i armës si atribut i individit të lirë amerikan megjithatë nuk mund të ftillohet jashtë ngarkesës simbolike të këtij atributi në kuadrin e kulturës hipermaskiliste të provincës amerikane dhe kultit të dhunës si mekanizëm për zgjidhjen e konflikteve midis individëve dhe grupeve. Sado të ngjashme të jenë SHBA dhe Italia për nga koncepti i organizimit politik dhe natyra liberale-demokratike e qeverisjes, qytetërimi në të dy vendet ka ndjekur rrugë krejt të ndryshme për të konverguar në të sotmen. Pesha e grupeve dhe e formacioneve paraushtarake të djathta, të tilla si milicitë, në jetën e provincës rurale amerikane nuk është për t'u shpërfillur; as lidhjet e tyre të tërthorta me dukuri më të vjetra si Ku-Klux-Klan-i, ose të ashtuquajturit "vigilantes", e deri tek autorët e atentatit të rëndë me eksploziv në Oklahoma City në vitet 90. Këto grupe, vitet e fundit, i kanë dhënë vetes të drejtën të patrullojnë të armatosur deri edhe kufirin meksikano-amerikan në Arizona, për të ndaluar me çdo mjet depërtimin e qyqarëve meksikanë të paligjshëm në truallin amerikan. Në përgjithësi, raportet e ndërsjella midis ithtarëve të lirisë për të mbajtur dhe për të përdorur armë zjarri nga njëra anë dhe racistëve anti-emigracion nga ana tjetër janë krejt evidente.

Kjo don të thotë edhe që, përballë politikave të dyerve të hapura ndaj emigracionit - ndjekur e zbatuar shekullin e kaluar nga praktikisht çdo administratë në Washington - e drejta për të mbajtur dhe për të përdorur një armë zjarri praktikisht është kthyer tanimë në një shenjë informale të amerikanizmit të kulluar, në kundërvënie me zvetënimin kozmopolit të metropoleve të mëdha të brigjeve. Është ende herët të pyetet nëse i njëjti mekanizëm qëndron në bazë edhe të entuziazmit të së djathtës provinciale italiane përkarshi modifikimit të tanishëm të ligjit për mbrojtjen vetjake. Koncepti i ri që lejon përdorimin vdekjeprurës të një arme zjarri në rrethana që përdoruesi i percepton ose i gjykon si kërcënuese për atë vetë ose familjen e tij do të shpjerë doemos në një armatosje të përshpejtuar të një shtrese të caktuar italianësh, dhe pikërisht të sipërmarrësve të provincës dhe të gjithë atyre që ndihen të pambrojtur nga shteti, por të kërcënuar nga një valë kriminaliteti në rritje e të frikësuar nga një frymë e papërgjegjshme rreziku që mbillet prej mass mediave. Po kush fajësohet vallë sistematikisht për këtë valë kriminaliteti në rritje, për grabitjen e vilave, përdhunimin e vajzave, vjedhjen e makinave dhe kronikën e zezë në përgjithësi? Natyrisht, imigrantët; dhe mes imigrantëve - shqiptarët.

Për një numër italianësh me simpati të djathta, politikat e sotme të Romës dhe të Bashkimit Evropian mbeten tepër tolerante e zemërbuta ndaj degradimit të rendit publik dhe shthurjes së strukturave të bashkëjetesës si pasojë e ndryshimeve demografike që ka sjellë me vete imigracioni masiv. Në një kohë që forcat e ruajtjes së rendit nuk kanë arritur dot t'i përgjigjen në mënyrë adekuate sfidave që kanë të bëjnë me këto ndryshime demografike dhe sociale, ose me heterogjenizimin e popullsisë italiane, parti të tipit të Lega Nord e kanë ndërtuar kapitalin politik pikërisht duke i mëshuar këtij ekzorcizimi bombastik të së keqes, ose projeksioni të problemeve tek Tjetri: jugorët, terronët, imigrantët. Këmbëngulja për armatosje të "qytetarëve" për të përballuar krimin është në pajtim të plotë me logjikën fashistoide të Legës, e cila mbështetet pikërisht në këtë shtresë ose kastë pronarësh macho të titulluar për të ushtruar dhunë dhe të armatosur, jo vetëm me armë zjarri por edhe me krejt arsenalin e filistinizmit provincial aq karakteristik. Italisë së qytetëruar dhe evropiane, nga e cila shqiptarët vetë i kanë kthyer sytë gjithnjë me të vetmen shpresë, nuk pritet t'i vijë ndonjë e mirë nga një zhvillim politik kësisoj.

Foto Çasti. Botuar fillimisht në Bota Shqiptare nr. 145, 9 shkurt 2006