Lejeqëndrimet. “Me ‘cedolino’ mund të punohet” - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali

Dekretligji i qeverisë modifikon tekstin unik mbi imigracionin, duke shpjeguar se kush ka kërkuar lëshimin apo përtëritjen e lejes së qëndrimit është imigrant i rregullt. Nëse policia i hedh poshtë kërkesën duhet të lajmërojë punëdhënësin

Romë, 7 dhjetor 2011 – Dekreti “Salva Italia“ i sapo miratuar nga qeveria Monti, vendos njëherë e përgjithmonë që i huaji në pritje të lëshimit apo të përtëritjes së lejes së qëndrimit është me qëndrim plotësisht të rregullt në Itali. Pra mund të punësohet si të gjithë shtetasit e tjerë të huaj që kanë lejen e qëndrimit në xhep.

Nga viti 2006, falë një direktive të ministrit të Brendshëm të asokohe Giuliano Amato, u provua t’i jepej vlerë të ashtuquajturit ‘cedolino’, kuponi postar që për muaj mbetet në xhep të imigrantëve që kërkojnë lejen e qëndrimit apo e përtërijnë atë. Nëse zyrat e administratës publike e mësuan me vështirësi vlerën e kuponit, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për ndërmarrjet e familjet që shpesh kanë dyshime mbi punësimin e dikujt me lejeqëndrim të skaduar.

Për t’u qartësuar më mirë gjërat, mbërrin më në fund modifikimi i tekstit unik mbi imigracionin. Ky modifikim parashikohet në manovrës e fundit ekonomike të firmosur edhe nga presidenti i Republikës më 6 dhjetor 2011, në nenin 40, që flet për masat kushtuar “Reduktimit të detyrimeve administrative për ndërmarrjet”.

Në tekstin përfundimtar lexohet “në pritje të lëshimit apo të përtëritjes së lejes së qëndrimit punonjësi i huaj mund  të qëndrojë me të drejtë të ligjshme në Itali dhe të punojë”. Kjo vlen “deri në një komunikim të mundshëm të Autoriteteve të Sigurisë Publike, që duhet t’i komunikohet zyrtarisht punëdhënësit, me shënimin e pranisë së motiveve penguese për lëshimin e lejes apo për përtëritjen”.

Për të përfituar nga kjo mundësi, punonjësi duhet të ketë kërkuar lejen e parë të qëndrimit kur ka nënshkruar kontratën e qëndrimit apo të ketë paraqitur kërkesë për përtëritjen brenda gjashtëdhjetë ditëve nga skadimi i dokumentit. Natyrisht, për ta treguar, duhet të ketë me vete kuponin me datë, pra të famshmin “cedolino”.

Risia nuk është ide e Montit apo e profesorëve të tjerë të qeverisë së tij, por ishte futur rreth dy muaj më parë në një bocë të dekretit të famshëm për zhvillimin që qeveria Berlusconi nuk arriti të aprovonte. Por tani, kjo risi është kthyer më në fund në ligj, duke u dhënë siguri më shumë qindra mijëra imigrantëve që kanë në xhep kuponin postar të kërkesës së lëshimit apo të përtëritjes së lejeqëndrimit.

Elvio Pasca