Lejeqëndrimi me pikë. Nisin verifikimet për marrëveshjen e integrimit - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali
Pas dy vjetësh nga hyrja në Itali, imigrantët e ardhur gjatë vitit 2012 duhet të tregojnë se kanë respektuar angazhimet e marra dhe se njohin gjuhën dhe kulturën italiane. Testet në Sportelet Unike të imigracionit

Romë, 7 mars 2014 – Ke mësuar italishten? Njeh mjaftueshëm Italinë? I çon fëmijët në shkollë? Ke pasur ndonjë problem me drejtësinë? Mos je dënuar gjë me heqje lirie apo je gjobitur? Për mijëra të huajt të ardhur në Itali nga 10 marsi 2012 e këtej, po afrohet çasti i verifikimit.

Kanë kaluar dy vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes së integrimit dhe tani duhet të tregojnë se kanë mbajtur angazhimet e marra në çastin e vënies së firmës. Dhe vetëm kush mbledhë një numër të caktuar pikësh mund të qëndrojë në Itali.

Të huajve “u janë dhuruar” 16 pikë në fillim, që mund të jenë shtuar apo pakësuar në bazë të sjelljes dhe të njohurive të mbledhura. Nëse pas dy vjetësh, pikët janë të paktën 30 pikë, marrëveshja konsiderohet e respektuar dhe e mbyllur. Kush ka nga 1 deri në 29 pikë konsiderohet "i mbetur në klasë" dhe i jepet një vit tjetër për përmbushjen e marrëveshjes dhe nëse nuk ka asnjë pikë të huajit i jepet dekreti i dëbimit.

Sportelet Unike për imigracionin do t’u kërkojnë të interesuarve të paraqesin dokumentacionin që provon përparimet e bëra deri tani, si për shembull dëshmi të ndjekjes së një kursi të gjuhës dhe edukatës qytetare, kontratën e qirasë apo të blerjes së shtëpisë, që rrisin thesarin e pikëve. Ndërkaq Sporteli unik nuk do të detyrojë të huajin të mbledhë dokumente që tregojnë se ka bërë shkelje që i ulin numrin e pikëve: do të verifikojë vetë përmes kartotekës së gjykatës, komunave, agjencisë së Tatim-taksave nëse të huajit i duhet hequr ndonjë.

Kush nuk ka dokumente lidhur me njohjen e gjuhës dhe të kulturës qytetare mund t’i kërkojë sportelit unik për imigracionin një takim për mbajtjen e testit.

Kërkesa paraqitet në internet përmes faqes http://accordointegrazione.dlci.interno.it/, duke shkuar në butonin “Richiesta prenotazione” e duke u futur me kodet që i janë dhënë të huajit në çastin e nënshkrimit të marrëveshjes.

Sipas llogarive tëministrisë së Brendshme, vetëm 26 mijë të huaj do të verifikohen gjatë gjithë vitit 2014. Relativisht pak. Dhe në këtë aspekt, luan rol të rëndësishm fakti që hyrjet për punë kanë rënë ndjeshëm vitet e fundit, dhe që kush ka ardhur për bashkim familjar, edhe po të mbetet pa pikë, është i padëbueshëm ndaj edhe për të nuk verifikohet përmbushja  marrëveshjes së integrimit.

Elvio Pasca

Speciale. Lejeqëndrimi me pikë dhe marrëveshja e integrimit

Shkarko qarkoren e ministrisë së Brendshme nisur prefekturave:
Ministero dell’Interno: Circolare n. 824 del 10 febbraio 2014. DPR 14/09/2011 n. 179 recante "Regolamento concernente la disciplina dell'accordo integrazione tra lo straniero e lo stato a norma dell'art. 4 bis, comma 2 del Testo Unico sull'Immigrazione. Indicazioni operative per la verifica dell'accordo

(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)