Mashtrimet me reformën e shtetësisë - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali
Pasaktësi, shtrembërime, gënjeshtra, keqinformime që bazohen te frika  dhe e ushqejnë atë, shoqëruan këto ditë nisjen e diskutimit të reformës së ligjit për njohjen e shtetësisë në sallën e Senatit.
Ja ç’parashikon në të vërtetë teksti i miratuar një vit e tetë muaj më parë në Dhomën e deputetëve që tani është në Senat

Më në fund, më 15 qershor, reforma e ligjit të njohjes së shtetësisë ka mbërritur në sallën e Senatit. U prit me luftë të hapur të legistëve në sallë, që filluan të zbresin nga vendet e tyre drejt qendrës së sallës duke përdorur një fjalor të ulët deri edhe me kryetarin Grasso, duke ngritur lart fletushkat e tyre me të shkruar “Ndal pushtimit” e duke ushtruar edhe dhunë (ministrja e Arsimit përfundoi në infermieri). Ndërsa jashtë Senatit u mbanin ison trimat e Casa Pound dhe të Forza Nuova.

Në sallë, për reformën u fol shumë pak, por mjaftueshëm për të përbërë lajm të mirë për qindra mijëra të interesuarit e drejtpërdrejtë, brezat e dytë, fëmijë, të rinj e të reja, që ndihen italianë por ligji i tanishëm i trajton si të huaj. E lajmi pozitiv është që u pranua kalimi i reformës nga komisioni në Senat e këtu do të merret sërish në dorë pas balotazheve administrative të 25 qershorit.

Salla e Senatit më 15 qershor 2017E ndërsa Lega e Forza Italia janë kundër reformës, eksponentë të PD-së tregohen të gatshëm të vënë edhe votëbesimin mbi reformën po të jetë nevoja. Lëvizja 5 Yjet, do të abstenojë, njësoj si në Dhomën e Deputetëve, “për të qenë koherente me veten”, sepse nuk shohin urjencë në ndryshimin e ligjit, sepse “fëmijët janë të tuteluar, me apo pa shtetësinë italiane”.

Ajo që bie veçanërisht në sy këto ditët e fundit është fakti se po dëgjojmë shumë pasaktësi e gënjeshtra rreth reformës së shtetësisë. Jo vetëm nga personalitete të të djathtës, të Legës, por edhe nga gazetarë, që duhet të informojnë publikun.

Duke nisur nga mënyra si i bien shkurt: “Duan të sjellin në fuqi Ius Soli e të hedhin poshtë Ius Sangiunis”. Aspak e vërtetë. Shtetësia sipas të drejtës së gjakut (Ius sangiunis) as që preket fare, ndërsa ius soli është shumë i zbutur e mbetet shumë larg atij të pastrit amerikan që parashikon që kushdo që lind në truallin amerikan është shtetas amerikan. Nuk është rasti i reformës sipas të cilës fëmija që lind nga prindër të huaj bëhet italian vetëm nëse njëri jeton këtu prej të paktën disa jetëve.

Grenë zërin në sallën e Senatit, jashtë tij e nëpër studiot televizive në mbrojtje të Italisë që për faj të të majtës nga nesër do të mbushet me italianë që italianë nuk janë. Aspak e vërtetë, janë italianë njësoj sa bashkëmoshtarët e tyre me prindër italianë, me të cilët janë rritur e shkolluar. E thonë mijëra të rinjtë e të rejat që po ndjekin me padurim që më në fund Italia të ketë mundësinë t’i njohë për atë që ata janë, bijtë e saj.

Jo pak vetë përziejnë qëllimshëm zbarkimet, frikën e “pushtimit të Italisë” me reformën. Nuk duhen shumë mend për të kuptuar se nuk ka asnjë pikë takimi mes dy gjërave: asnjë prej të sapozbarkuarve që kërkojnë strehim politik, asnjë e atyre që vijnë ilegalisht të kërkojnë punë të zezë në Itali nuk kanë ndonjë mundësi përfitimi nga reforma e shtetësisë. 

Ka nga ata që thonë se reformën e bëjnë për fëmijët që pastaj edhe prindërit ta kenë më të thjeshtë të marrin shtetësinë italiane. Një tjetër gënjeshtër, mashtrim i trashë. Reforma nuk prek fare njohjen e shtetësisë sipas kriterit të Ius Sangiunis që thotë e do të vazhdojë gjithnjë të thotë që e drejta e shtetësisë shkon vetëm nga lart poshtë, nga prindi te fëmija, nga paraardhësi te pasardhësi e kurrë në të kundërt. Shtetësinë italiane e kanë marrë shumë argjentinas sepse kanë pasur gjyshe apo stërgjysh nga Molise o Campania, do të vazhdojnë ta marrin në të ardhmen bijtë e nipërit e italianëve që sot janë (e vendosin të mos kthehen) në Tiranë apo Londër, dhe po të kalojë reforma, do ta marrin edhe bijtë e nipërit e të rinjve që do të përfitojnë prej saj, por kurrsesi nuk do ta marrin prindërit e gjyshërit e dajallarët e tetot e tyre e këtyre të rinjve.

Për kë nuk e ka lexuar reformën që pritet të miratohet në Senat (këtu gjeni tekstin e plotë në gjuhën italiane) e për kë nuk do të marrë gënjeshtrat për flori të kulluar, kujtojmë pikat kryesore të saj:

Fëmijët e lindur në Itali do të jenë italianë që kur vijnë në jetë nëse një prej prindërve ka kartën e qëndrimit. Bijtë e lindur në Itali nga prindër që nuk zotërojnë kartën e qëndrimit dhe fëmijët e tjerë që kanë ardhur Itali pa mbushur 12 vjeç, do të duhet të ndjekin më parë një apo më shumë cikle shkollore për të paktën pesë vjet e po të jetë fjala për filloren, duhet ta mbarojnë me sukses, për të pasur shtetësinë italiane.
Për fitimin e shtetësisë do të nevojitet një "deklaratë dëshire" e paraqitur në Komunë nga prindërit, para mbushjes së moshës madhore të fëmijës, përndryshe ky mund ta paraqesë vetë nga mosha 18 deri në 20 vjeç.

Të tjera rregulla për të rinjtë që kanë ardhur në Itali brenda moshës 18 vjeçare. Do të mund të kërkojnë shtetësinë italiane pas gjashtë vjetësh rezidencë të rregullt dhe pasi të kenë ndjekur dhe përfunduar një cikël shkollor apo një rrugëtim shkollimi dhe formimi profesional.

Në tekst ka edhe një normë kalimtare për ata që në çastin e ardhjes në fuqi të reformës i kanë mbushur 20 vjeç, dhe që ndërkohë i plotësojnë kriteret e parashikuara nga ligji i ri. Në fakt, do të mund të bëhen italianë të lindurit në Itali ose të ardhurit kur ishin nën moshën 12-vjeçare, nëse kanë ndjekur këtu për të paktën pesë vjet një apo më shumë cikle shkollore e kanë jetuar “në mënyrë të ligjshme e të pandërprerë gjatë pesë vjetëve të fundit në territorin italian”. Kush hyn në këtë kategori për të cilën është e vlefshme norma kalimtare, do të ketë vetëm një vit kohë nga ardhja në fuqi e reformës për të paraqitur në Komunë “deklaratën e dëshirës” për t’u bërë italian. Më pas do të duhet të presë që brenda gjashtë muajve ministria e Brendshme të japë pëlqimin e saj, pasi kjo të ketë verifikuar që në ngarkim të kërkuesit të shtetësisë në të kaluarën të mos ketë pasur mohim të shtetësisë, dëbim apo largim me forcë nga Italia për motive të sigurisë kombëtare.

Keti Biçoku