Merrnin pension padrejtësisht. Paditen 26 shqiptarë rezidentë në Pistoia - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali

Paditen 26 të moshuar shqiptarë sepse merrnin pensionin social në Pistoia por jetonin  në vendlindje

Romë 19 shkurt 2012 – Me diçka më shumë se 400 euro në muaj, në Itali mund të mbijetosh, por në Shqipëri (ku pensionet janë më të vogla se 200 euro) mund të jetosh mirë. Këtë mendojnë të gjithë ata që bëjnë çmos që të përmbushin kriteret për të pasur të drejtën e pensionit e që pastaj nuk jetojnë më në Itali pranë fëmijëve por kthehen të kalojnë pleqërinë në atdhe, duke harruar që kriteri parësor i pensionit social është ai i qëndrimit të vazhdueshëm në Itali. Pasi në thelb të këtij lloji pensioni  qëndron parimi i ‘ndihmesës nga anë e shtetit të gjithë të moshuarve në nevojë që ata të kenë një shumë të vogël për të përballuar jetën në Itali’. Dhe në fakt pensioni përllogaritet mbi bazën e kostos së jetesës në Itali, dhe nuk u takon më as vetë italianëve nëse këta nuk jetojnë më këtu.

E nëse vite më parë kontrollet mbi rezidencën e vazhdueshme nuk ishin të zakonta, tani, në kohë krize, kur çdo euro është i vyer për arkat e INPS-it, institutit të sigurimeve shoqërore që e lëshon pensionin, këto kontrolle po bëhen gjithnjë e më të shpeshta.

Në fillim të shkurtit u bë publike historia e pleqve në Bra të Cuneos që merrnin pensionin pa qenë në Itali, ndërsa këtë fundjavë, për të njëjtën gjë zënë faqet e gazetave 38 të moshuarit e huaj të Pistoias të zbuluar nga një hetim i Karabinierëve. Të ardhur kryesisht me bashkim familjar me fëmijët, kërkojnë rregullisht përtëritjen e lejes së qëndrimit deri në marrjen e kartës së qëndrimit, ruajnë rezidencën e kur mbushin moshën 65 vjeç kërkojnë edhe pensionin social. Dhe në rastin e 38 të moshuarve të fundit të paditur nga karabinierët, që të gjithë nuk jetojnë më në mënyrë të vazhdueshme në Itali.

Kështu 38 të moshuarit rezidentë në Pistoia, nga të cilët 26 shqiptarë, 4 marokenë, 2 argjentinas, 2 brazilianë dhe një kolumbian, një kuban, një filipinas dhe një polak është zbuluar se nuk jetonin në Itali pasi kishin kërkuar e fituar të drejtën e pensionit social. Që të gjithë janë paditur për mashtrim ndaj shtetit pasi kanë përfituar prej tij në mënyrë të paligjshme 266 mijë euro. Inps, jo vetëm ka bllokuar tashmë dhënien e pensionit, por ka nisur praktikat për kërkimin mbrapsht të shumave nga secili prej tyre, edhe pse vështirë se do të arrijë të marrë gjë.

Në Pistoia hetimi ka nisur në vitin 2001 kur karabinierët kanë filluar të kontrollojnë rezidencën efektive të 205 të huajve që përfitonin pensionin. Kanë zbuluar që 38 vetë (apo 18% e të kontrolluarve) nuk kishin të drejtë të merrnin pensionin social. Nga 38 personat, 12 kanë rezultuar se ishin larguar përfundimisht nga Italia, ndërsa të tjerët shkonin e vinin. Rastet më të bujshme ato të dy brazilianëve të kthyer në atdhe prej 15 vjetësh njëri e 5 vjetësh tjetri, që ndërkohë kishin futur në xhep nga Inps-i përkatësisht 73 mijë euro dhe 25 mijë. Edhe një argjentinas, që nuk jetonte më në Itali prej tetë vjetësh ka marrë, sipas karabinierëve, rreth 51 mijë euro. Ndërsa një makoren i kthyer në atdhe prej të paktën dy vjetësh, ka marrë nga Inps rreth 19 mijë euro pension.

Për sa u përket 26 të moshuarve të tjerë të paditur, janë që të gjithë persona që ktheheshin në atdhe për periudha pak a shumë të gjata. Ndërkohë që ligji flet qartë: nëse largohesh nga Italia për më shumë se një muaj rresht duhet të lajmërosh Inps-in që ai të pezullojë dhënien e pensionit social.

Lexo edhe: