Pensioni italian i shqiptarëve të kthyer, falë INAS Albania po bëhet realitet - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali
Me ndihmën e zyrës shqiptare të patronatit italian, 44 të moshuar shqiptarë po marrin pension në bazë të kontributeve të derdhura në Itali. Drejtuesja e këtij patronati, Beskida Aliaj, tregon si të veprojnë të interesuarit
 

Shqiptarët që kanë jetuar dhe punuar në Itali kanë mundësinë të fitojnë pensione sipas kohës që kanë paguar edhe kontributet. Është fjala për pensionin e të riatdhesuarve, i parashikuar nga ligji italian edhe për vende si Shqipëria që nuk kanë marrëveshje dypalëshe mbi mbrojtjen sociale.

Në rast riatdhesimi përfundimtar, punonjësi jokomunitar me kontratë pune të ndryshme nga ajo sezonale, ruan të drejtat e pensionit e të sigurisë sociale të maturuara në Itali e mund t’i përditojë këto të drejta edhe në rast se nuk ka marrëdhënie dypalëshe mes vendlindjes dhe Italisë” parashikon qartë ligji italian. Por dallohen dy raste, që varen nga fakti nëse pensioni llogaritet mbi bazën e kontributeve të derdhura apo mbi bazën e rrogës:

1. nëse punonjësit jokomunitarë të riatdhesuar, ishin punësuar pas 1 janarit 1996, mund të marrin pension të llogaritur në bazë të kontributeve me mbushjen e moshës, edhe nëse nuk kanë përmbushur kriterin minimal të 20 vjetëve kontribute;
2. nëse punonjësit jokomunitarë të riatdhesuar, ishin punësuar para 1 janarit 1996,  mund të marrin pension të llogaritur në bazë të rrogës dhe me sistemin e përzier (rrogë-kontribute) me mbushjen e moshës por nëse kanë derdhur të paktën 20 vjet kontribute
”.

Ky pension nuk ka të bëjë aspak me atë që prej shumë vitesh shqiptarët e Italisë kërkojnë të arrihet, që është një marrëveshje dypalëshe mbi mbrojtjen shoqërore për mbledhjen e viteve të kontributeve të derdhura në Shqipëri dhe Itali, për të pasur një pension dinjitoz për të gjitha vitet e punës të marra së bashku. Deri tani kjo gjë është arritur me disa shtete, marrëveshja më e fundit është ajo me Gjermaninë që ka hyrë në fuqi më 1 dhjetor të vitit të shkuar (këtu teksti i plotë i kësaj marrëveshjeje).
Praktikisht, sipas ligjit italian, për emigrantët e kthyer në atdhe e që kanë qenë të punësuar para 1996-tës, është i vlefshëm pensioni minimal për italianë e të huaj si të ishin në Itali. Interesant mbetet rasti i parë, i të kthyerve që janë punësuar në Itali nga 1 janari 1996 e këtej, të cilët përfitojnë të drejtën e pensionit pa pasur vjetërsinë minimale që u kërkohet italianëve e të huajve rezidentë në Itali. Nuk u bëhet ndonjë dhuratë, ta kemi të qartë, marrin atë çka u takon sipas për aq kontribute sa kanë derdhur.

Gjithsesi e drejta e fitimit të një pensioni të vogël (për ata që janë punësuar nga 1996 e këtej) apo relativisht të konsiderueshëm (ata që janë punësuar par 1996-tës dhe kanë derdhur 20 vjet kontribute në Itali) është shumë e rëndësishme, por shpesh pak e njohur dhe shumë e vështirë për t’u realizuar. Në fakt, praktikisht kjo e drejtë duhet kërkuar nga Shqipëria – flitet për të moshuar të kthyer përfundimisht në vendlindje – e nuk është aspak e lehtë. Vjen në ndihmë të të gjithë të moshuarve që e kanë këtë të drejtë INAS Albania, patronat i hapur në Shqipëri nga sindikata italiane CISL. Drejtuesja e tij Beskida Aliaj shpjegon për Shqiptarin e Italisë si po ndihmojnë që të marrin pensionin që u takon dhjetëra e dhetëra të moshuar që kanë punuar për ca vjet në Itali por edhe për

Drejtuesja e INAS Albania, Beskida AliajÇfarë kushtesh duhet të përmbushin pensionistët shqiptarë për të marrë pension edhe nga Italia?

Ashtu si edhe në Itali, kriteri i parë ka të bëjë me moshën. Për të marrë pensionin e të riatdhesuarve, i interesuari duhet të ketë mbushur 66 vjeç e 7 muaj.  Dhe kushti i dytë është minimumi 5 vite kontribute,  në rast se ka filluar punë për herë të parë me kontribute në Itali pas datës 1 janar 1996. Në këtë rast flitet për  llojin e pensioneve të emigrantëve të rikthyer përfundimisht në Shqipëri, pra të atyre që kanë hequr rezidencën nga Italia.

Sa raste keni ndjekur?

Puna rritet dita ditës. Janë të shumtë shqiptarët e kthyer nga Italia pasi kanë punuar atje për njëfarë periudhe e që tani, në moshë pensioni, kanë trokitur në derën tonë për të pasur informacion dhe asistencë. Nga shtatori deri tani kanë nisur ta përfitojnë pensionin e të riatdhesuarve 44 të moshuar. Ndërkohë jemi duke u marrë me rreth 100 praktika pensionesh të tilla.

Ju si i ndihmoni?

Verifikojmë nëse përmbushin kriteret, u tregojmë ç’dokumentacion duhet të mbledhin, e si çdo patronat në Itali, aplikojmë për ta pranë INPS-it për pensionin.

Italia e Shqipëria akoma nuk e kanë lidhur nj marrëveshje dypalëshe për mbrojtjen sociale. Nëse një marrëveshje e tillë do të nënshkruhet e vitet e punës në Shqipëri e Itali do të mblidhen, cili shtet do të paguajë pensionin për emigrantin, në rastin tonë, Shqipëria apo Italia?

Po të supozojmë një emigrant shqiptar që ka punuar në Itali 19 vjet dhe në Shqipëri 14 vjet; në Itali nuk përfiton pension se nuk ka plotësuar 20 vjet për tu futur në kushte pensioni; në Shqipëri nuk përfiton pension sepse ka 14 vjet dhe nuk ka plotësuar 15 vite për të paktën pension të pjesshëm në Shqipëri. Pra 33 vite djersë e tij nuk reflektohet në të ardhurat që mund të ketë. Kështu që në rast të bashkimit të periudhave kontributive; në rast të një marrëveshjeje dypalëshe, krijohet tërësisht mundësia për të marrë përfitime nga të dy shtetet, kudo që ai vendos të pleqërojë, Shqipëri apo Itali. Çdo shtet do të kontribuojë në shumën e pensionit në proporcion me periudhën gjatë të cilës i interesuari i ka derdhur kontributet. Pra në rastin e mësipërm,  Shqipëria do të japë kontributin për 19 vitet që qytetari ka punuar në Shqipëri, dhe Italia për 14 vitet që ka punuar atje.

Për të gjithë ata që nuk e dinë, çfarë përfaqëson Patronato INAS-CISL në Shqipëri?

Patronati INAS është krijuar para 60 vjetësh. Ky institucion lindi si nevojë e domosdoshme për mbrojtjen e sindikatave dhe sindikalistëve, për të mbrojtur punonjësit para padrejtësive që mund ti bëheshin nga administrata shtetërore qoftë për probleme të sigurimeve shoqërore, qoftë për probleme të tjera sociale. Ajo ka në Itali rreth 700 zyra, po ashtu ka edhe përfaqësi në vende të tjera, ku ka emigracion italian. Me këto vende janë lidhur marrëveshje bilaterale ku emigrantët italianë pa qenë nevoja të vijnë në Itali bëjnë bashkimin e  viteve kontributive dhe përfitojnë pension në vendet ku punojnë dhe jetojnë. Dhe duke qene se në Itali jetojnë e punojnë një numër i lartë shqiptarësh, para disa vjetëve u pa e nevojshme që në mbështetje të tyre, të ngrihet një përfaqësi e INAS-it në Shqipëri, përfaqësi që natyrisht tutelon edhe punëdhënësit dhe punonjësit italianë që punojnë në vendin tonë.

Si mund të lidhen me ju pensionistët e interesuar apo familjarët e tyre për t’u informuar për  të drejtat e tyre në lidhje me përfitimin e një pensioni Italian?

Zyra jonë ndodhet në Tiranë, në zonën e Bllokut, në rrugën Andon Zako Cajupi, mbrapa shkollës Edith Durham. Kemi edhe një profil zyrtar në Facebook dhe një numër ku mund të telefonojë kushdo: 0683448188.

In italiano: La pensione dei rimpatriati albanesi: grazie all’INAS Albania sta diventando realtà
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Advertisement