Punonjësit stinorë: firmoset dekret fluksesh për 80 mijë hyrje - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali

Ministri i Bujqësisë Zaia: “Kështu luftojmë punësimin e klandestinëve”. Për të nisur kërkesat duhet pritur më parë botimi në Gazetë Zyrtare

Romë, 7 prill 2010 – Më në fund u bë! Pas muajsh të tërë pritjeje dhe kërkesave këmbëngulëse të bujqësisë dhe të hotelerisë, qeveria ka firmosur dekretin e flukseve për stinorët, që nga sot pret vetëm të shpallet në Gazetën Zyrtare.

“Edhe për këtë vit është konfirmuar mundësia e hyrjes së rregullt për 80 mijë jokomunitarë për punë të karakterit stinor në sektorin e bujqësisë dhe të hotelerisë” është shprehur ministri i Bujqësisë Luca Zaia.

“Edhe pse qarkullimi i lirë i punonjësve që vijnë nga shtete tashmë anëtare të BE-së, si Rumania dhe Bullgaria, do të kishte mundësuar, teorikisht, reduktim të numrit të programuar të hyrjeve – ka shpjeguar ministri – kemi vendosur që sidoqoftë të mbajmë një fluks të konsiderueshëm të rregulltish nga Shtete jo evropiane, veçanërisht ato afrikane, për t’iu kundërvënë punësimit të klandestinëve”.

“Pas ngjarjeve të Rosarnos – ka shtuar Zaia – është rritur vigjilenca dhe kundërvënia ndaj punës së parregullt. Për këtë arsye u ofrojmë të gjithë sektorëve mundësinë që të kenë imigrantë të rregullt për aktivitetet stinore për çdo fazë produktive kur këta nevojiten”.

Ministri ka kujtuar gjithashtu që gjatë vitit 2010 do të jetë e mundur të thirren të njëjtët punonjës që kanë qenë punësuar edhe gjatë tre vjetëve të mëparshëm. Pra nuk qëndron më asnjë alibi për ata që u drejtohen organizatave ‘të paautorizuara’ për rekrutimin e krahut të punës.

Edhe këtë vit kërkesat e punësimit për stinorët paraqiten on-line, vetë apo me ndihmën e shoqatave të kategorisë (që kanë filluar të mbledhin kërkesat), por për t’i nisur duhet pritur më parë botimi në Gazetën Zyrtare, që parashikohet të bëhet ditët e ardhshme. nuk është e nevojshme të bëhet garë: kuota e 80 mijë hyrjeve është mëse e mjaftueshme për të përmbushur kërkesat e të gjithë punëdhënësve.

Elvio Pasca