Sanatoria 2020. Mbi 2.100 kërkesa legalizimi për shqiptarë - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali
Ministria e brendshme boton raportin me ecurinë e procedurave të legalizimit të të huajve gjatë dy javëve të para
 

Romë, 18 qershor 2020 – Rreth 32 mijë kërkesa nga punëdhënës për legalizim apo lidhje të marrëdhënieve të punës, mbi 1.200 kërkesa nga qytetarë të huaj që duan të pajisen me lejeqëndrimin e përkohshëm për kërkim pune. 

Është ky bilanci zyrtar për 15 ditët e para të procedurave të legalizimit të të huajve me qëndrim të parregullt në Itali i parashikuar nga neni 103 i DL 34/2020 (i ashtuquajturi dekretligji Rinisja) i ofruar nga ministria e Brendshme.

 

Më saktësisht, ministria raporton se deri në orën 13 të 15 qershorit në portalin e saj ka rreth 32 mijë aplikime: 23.950 janë kërkesa të nisura dhe 7.762 janë në fazë përgatitore. Përsa u përket sektorëve, vërehet se pjesa dërrmuese e të huajve që kërkohet të legalizohen punojnë pranë familjeve e vetëm një pjesë e vogël në bujqësi, blegtori e peshkim. Në fakt 91% (apo në vlera absolute 21.695) e kërkesave të nisura dhe 76% (apo 5.906) e kërkesave në fazë përgatitjeje kanë të bëjnë me legalizimin e bashkëpunëtorëve shtëpiakë dhe kujdestarëve për persona të pamundur.

 

Në raportin e ministrisë vërehet se ndër rreth 24 mijë kërkesat e paraqitura, 2.119 janë për shqiptarë: 1.636 (apo 77%) punojnë pranë familjeve ndërsa 483 (23%) në bujqësi, blegtori apo peshkim.

Ministria jep të dhëna edhe mbi prejardhjen e punëdhënësit: nga rreth 24 mijë punëdhënës që kanë aplikuar për legalizimin e punonjësve, 436 janë shqiptarë: 386 kanë aplikuar për legalizimin e bashkëpunëtorëve familjarë e 50 për legalizimin e një kontrate pune në bujqësi, blegtori apo peshkim.

Natyrisht pjesa më e madhe e punëdhënësve, 72%, janë italianë.

 

Përsa u përket kërkesave të të huajve pranë zyrave të postës për lejeqëndrim të përkohshëm, ministria e Brendshme thotë se nga 1 deri më 13 qershor janë paraqitur 1.208. Nuk ka akoma asnjë të dhënë mbi prejardhjen e të huajve që kanë aplikuar.

 

Shkarko: Raporti i ministrisë së Brendshme mbi aplikimet për legalizimin e punonjësve të huaj, nga 1 deri më 15 qershor

 

Për më shumë informacione rreth legalizimit të të huajve të parregullt shko në: 
Speciale sanatoria 2020

 

K.B./Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)