Sanatoria 2020. Në qershor, rreth 6.400 kërkesa legalizimi për shqiptarë - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali
Ministria e Brendshme boton detaje mbi ecurinë e procedurave të legalizimit gjatë muajit të parë

Romë, 3 korrik 2020 – Gjatë muajit qershor, punëdhënës të ndryshëm në bujqësi, blegtori, peshkim e familje kanë paraqitur çdo ditë mesatarisht mbi 210 kërkesa legalizimi për punonjës shqiptarë. Janë gjithsej 6.379, një pjesë e vogël e gjithë atyre që jetojnë në hije e punojnë në të zezë në Itali e që tani kanë shumë shpresë të pajisen me një dokument qëndrimi.

Kjo del në dritë nga Raporti i dytë i Ministrisë së Brendshme italiane mbi ecurinë gjatë muajit të parë të procedurave të legalizimit të të huajve të parregullt që punojnë në bujqësi, blegtori, peshkim e pranë familjeve, të parashikuar nga neni 103 i DL 34/2020 (i ashtuquajturi dekretligji Rinisja).

Në përgjithësi, deri orën 20:00 të 30 qershorit në portalin e ministrisë ka mbi 80.000 aplikime: 69.712 janë kërkesa të nisura dhe 10.645 janë në përgatitje e sipër. Përsa u përket sektorëve, ashtu si edhe në Raportin e parë, vërehet se pjesa më e madhe e të huajve që kërkohet të legalizohen punojnë pranë familjeve dhe vetëm një pjesë e vogël në bujqësi, blegtori e peshkim. Në fakt 88%, apo 61.411 nga kërkesat e nisura dhe 76%, apo 8.116 nga kërkesat në fazë përgatitore kanë të bëjnë me legalizimin e bashkëpunëtorëve shtëpiakë dhe kujdestarëve për persona të pamundur.

Përsa i përket komunitetit shqiptar, është për ta numri më i lartë (1.783) i kërkesave të legalizimit të nisura për punonjësit në bujqësi, blegtori apo peshkim. Ndërsa si bashkëpunëtorë familjarë është paraqitur kërkesë  legalizimi për plot 4.596 shqiptarë, duke u renditur në këtë sektor të pestët, pas qytetarëve të Marokut, Ukrainës, Bangladeshit dhe Kinës.

Gjithnjë sipas ministrisë së Brendshme italiane, nga ndër 70 mijë punëdhënës që kanë aplikuar për legalizimin e punonjësve, pjesa më e madhe, mbi 53 mijë, janë italianë. Por ndër të huajt, spikasin edhe punëdhënësit shqiptarë. Janë 1.231 vetë. Nga këta, 1.013 kanë aplikuar për legalizimin e bashkëpunëtorëve familjarë e 218 për legalizimin e një kontrate pune në bujqësi, blegtori apo peshkim.
Duke qenë komuniteti shqiptar i vjetër e i integruar, një pjesë e emigrantëve më të hershëm duket se po ndihmojnë emigrantët e rinj të pajisen me dokumente. Është e logjikshme të mendohet që punëdhënësit shqiptarë të kenë aplikuar për shqiptarë të tjerë, çka do të thotë se thuajse 20% e kërkesave për legalizimin e shqiptarëve janë nisur nga familjarë e miq të tyre me qëndrim të rregullt prej vitesh në Itali.

Përsa u përket aplikimeve pranë zyrave të postës për lejeqëndrim të përkohshëm, ministria e Brendshme thotë se nga 1 deri më 29 qershor janë paraqitur 3.231, por nuk jepen detaje mbi prejardhjen e të huajve që kanë paraqitur kërkesë.

Për procedurat për legalizimin e pajisjen me lejeqëndrim të përkohshëm mund të aplikohet deri më 15 gusht 2020. Për legalizimin e marrëdhënieve të punës kërkesat paraqiten online nga punëdhënësit përmes portalit të ministrisë së Brendshme në https://nullaostalavoro.dlci.interno.it/. Të huajt që kanë pasur lejeqëndrim deri në fund të tetorit 2019 mund të paraqesin kërkesë për lejeqëndrim të përkohshëm pranë sporteleve “Amico” të 5.700 zyrave Postare në mbarë Italinë,

Shkarko: Raporti i ministrisë së Brendshme mbi aplikimet për legalizimin e punonjësve të huaj deri më 30 qershor 2020

Për më shumë informacione rreth legalizimit të të huajve të parregullt shko në: 
Speciale sanatoria 2020

K.B./Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)