Shqiptarët në PD. Dashuri me shikim të parë apo manipulim votash? - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali
Shqiptarët në Asti dolën në shesh për të drejtën e pjesëmarrjes në politikën italiane. Javët e fundit në Partinë Demokratike italiane ka ndezur polemika të shumta anëtarësimi në masë i tyre, është përfolur deri për “ndotjen” e kongreseve PD-së nga rritja fiktive e numrit të anëtarëve. Bulçari: “Kundër nesh qëndrim diskriminues. Nuk kemi ndotur kongresin e PD-së. Kemi votuar sipas ndërgjegjes sonë”

Romë, 11 nëntor 2013 – Mëse 100 shqiptarë në qytetin piemontez të Astit kanë dalë në shesh të shtunën, 9 nëntor, për të mbrojtur të drejtën e tyre të pjesëmarrjes në jetën politike të Italisë. Me flamujt kuqezi e tringjyrësh në dorë dhe atë të AssoAlbania, shoqata e sipërmarrësve shqiptarë në Itali, të gjithë në protestë para prefekturës, gjë që nuk ka kaluar pa u vënë re nga mediat.

Anëtarësimi i tyre në masë në PD në prag të kongresit krahinor të partisë, u përfol si një lëvizje e pilotuar për të siguruar fitoren e kandidatit renzian të zonës. Gjë që solli bllokimin e kongresit provincial dhe pezullimin e dhënies së teserave të reja partiake.

Nga njëra anë eksponentë të PD-së dhe mediat që hedhin dyshimin e blerjes së votës së tyre, nga tjetër janë shqiptarët që nuk pranojnë akuzat, që kërkojnë respektimin e të drejtës së tyre të pjesëmarrjes në politikë dhe që nuk shohin asgjë “të turbullt” në regjistrimet e minutës së fundit.

“Ne qytetarëve të Astit me origjinë shqiptare – thonë ata në një komunikatë që paralajmëroi manifestimin e tyre – nuk na pëlqyen titujt e artikujt e mediave të ndryshme që na konsiderojnë përgjegjës të “ndotjes” së kongresit të PD-së. Manifestimi ynë nuk është pro apo kundër ndonjë pale, por për të afirmuar të drejtën tonë për t’u konsideruar persona që mendojnë me kokën e vet e që veprojnë sipas ndërgjegjes së tyre”.

Manifestuesit kanë shpjegimin e tyre edhe për regjistrimin në masë të shqiptarëve në listat e PD-së të ditëve të fundit: “Kur u mor vesh që dy bashkatdhetarë tanët, Hasan Bulçari dhe Marjan Bjeshkza, u kandiduan për t’u bërë drejtues të PD-s në provincë, vendosëm t’u japim mbështetjen tonë, të kënaqur që statuti i partisë u jep mundësinë edhe imigrantëve të regjistrohen e të marrim pjesë në jetën e saj. Na vjen shumë keq që u vumë në shënjestër vetëm pse jemi të huaj, u konsideruam jo të denjë të marrim pjesë në jetën e partisë, u fyem në dinjitetin tonë”.

I këtij mendimi është edhe vetë Bulçari, që i kontaktuar nga Shqiptariiitalise.com thotë: “Nuk ka asgjë të keqe në regjistrimin e shqiptarëve. Rreth AssoAlbania të Astit kemi krijuar një rrjet të fortë e të gjerë mbështetësish që na përkrahën edhe në këtë rast”. Si e shpjegon që votuan të gjithë për Renzin? “Kush e thotë që votuan të gjithë për Renzin? Nuk është aspak e vërtetë, është keqinformim, ndoshta i qëllimshëm. Këtu, mes shqiptarëve, ka edhe mbështetës të Cuperlo-s, gjë që e di shumë mirë. Secili ka votuar sipas ndërgjegjes së vet. Unë personalisht në zgjedhjet e fundit parlamentare votova për Grillon, Movimento 5 stelle, por u zhgënjeva shpejt prej tyre, nuk pashë pas fjalëve e protestave grilliane kundër politikës, një strukturë, një vazhdimësi propozitive mendimi. U regjistrova në PD pikërisht sepse tek Renzi shoh një frymë të re politike, dhe dëshiroj të jap kontributin tim që ai të shkojë përpara. Dhe për kandidaturën time për në këshillin provincial dhe për atë të Bjeshkzës në atë të qytetit kërkuam mbështetjen e miqve e të njohurve tanë, që na e dhanë, sepse kanë besim tek ne”.

Por ajo që Bulçari nuk kapërdin është qëndrimi brenda partisë më shumë se ai i mediave: “Kishte aktivistë që pengonin regjistrimet e ditëve të fundit, sepse duan të mbajnë gjërat siç janë. Ndoshta janë po ata që sot ngrenë zërin se “po ndotim” kongresin e PD-së. Ky qëndrim na ofendon sepse paragjykohemi. Mendohet se meqë jemi të huaj, pjesëmarrja jonë në politikë duhet të jetë patjetër diçka e manipuluar, dhe jo diçka që na vjen natyrshëm. Jemi rreth 7 mijë shqiptarë në provincën e Astit, jetojmë këtu prej vitesh. Kohët e fundit shqiptarët po organizohen e ndiejnë se duan të marrin pjesë aktivisht në jetën sociale e politike të vendit dhe kjo është shumë pozitive qoftë për komunitetin tonë qoftë për PD-në”.

Si e shpjegon kandidaturën e tij për në këshillin provincial të PD-së? “Gjithnjë kam marrë pjesë në diskutime politike e kam ndjekur nga afër aktivitetin e PD-së këtu në Asti, gjë që u vlerësua nga eksponentë që më ofruan kandidaturën. E pranova me shumë dëshirë sepse dua të bëj diçka, unë dhe komuniteti ynë. Por nuk do të isha i pari shqiptar në Këshillin drejtues të Astit. Nuk e përmend askush këto ditë, por aty kemi prej vitit 2009 një tjetër shqiptare, Anila Gecajn, në Këshillin drejtues të Piemontes”.

“Pjesëmarrja e vota jonë po manipolohet nga ndokush në PD? Nuk më duket kështu, por edhe sikur të jetë, ne nuk kemi gisht në këto pisllëqe. E përsëris, pjesëmarrja jonë në politikë është diçka e natyrshme. Për shumë kohë kemi qenë në hije, në mos të diskriminuar. Tani duam të na dëgjohet zëri e të themi tonën edhe brenda klasës politike”.

Keti Biçoku