Shtëpi në Shqipëri? Do të paguash taksë edhe në Itali - Shqiptari i Italisë

Të jetosh në Itali

Mbërrin taksa edhe për shtëpitë në vendlindje. Parashikohet nga modifikimet e koordinuara me qeverinë e do të godasë të gjithë pronarët e pronave të patundshme jashtë shtetit. Përfshirë imigrantët. Taksa do të jetë sa 0,76% e vlerës, por nga ajo do të zbritet taksa e mundshme e paguar në atdhe.

Romë, 15 dhjetor 2011 – Mes modifikimeve të  manovrës ekonomike të koordinuara të martën mes komisioneve të financave dhe bilancit të dhomës së Deputetëve dhe Qeverisë, është njëri në veçanti që nuk do t’u pëlqejë aspak imigrantëve që kanë një shtëpi në atdhe, të blerë ndoshta me paratë e fituara në mërgim. Tani, edhe mbi atë shtëpi duhet të paguajnë një taksë të re.

Quhet “tatimi mbi vlerën e pronave të patundshme që gjenden jashtë Italisë”, do të godasë të gjithë pronarët rezidentë në Itali, pavarësisht nga përdorimi që i bëhet atyre pronave, dhe do të jetë sa 0,76% e vlerës së saj. Si do të llogaritet? Duke iu referuar kostos në aktin e blerjes apo nëse nuk ekziston një i tillë, “vlerës së tregut në vendin ku gjendet prona e patundshme”.

“Por unë mbi atë shtëpi paguaj taksa” kundërshtojnë më të shumtët, duke marrë në konsideratë të gjithë atë që u derdhin arkave të shtetit në vendlindje. Ngushëllimi i vetëm – nëse mund të jetë i tillë – është se do të kenë të drejtën e një zbritjeje nga taksa e re italiane, në shumë të barabartë “me tatimin e mundshëm mbi pasurinë që i është derdhur shtetit ku gjendet prona e patundshme”.

Si do të marrë vesh Agjencia e mbledhjes së Taksave, kush ka një shtëpi jashtë Italisë? Duke kontrolluar sërish deklaratat e të ardhurave, ku këto prona duhet të shënoheshin edhe më parë, “pavarësisht nëse sjellin apo jo fitime”.

Por është e vështirë të kuptohet se sa prej taksapaguesve harrojnë t’i deklarojnë këto shtëpi shtetit, apo nëse  organet e mbledhjes së taksave do të kenë të gjitha mjetet e nevojshme për t’i zbuluar.

Elvio Pasca

Lexo edhe: Manovra ekonomike e Legës? Kundër imigrantëve