Rotary Club nderon Brindisin për mikpritjen e shqiptarëve - Shqiptari i Italisë

1991 - Edhe unë isha në anije

Romë, 7 qershor 2011 - Sot në mëngjes në një nga sallat e Kështjellës Svevo në Bari, nënkryetarit të bashkisë së Brindisit Mauro D’Attis, si përfaqësues i administratës së qytetit të Brindisit, i është dhënë çmimi “Paul Harrys Felloë”, titulli më i lartë i nderit që jep Rotary Club për merita shërbimesh, në njëzetvjetorin e “mikpritjes zemërgjerë nga brindizinët të mijëra shqiptarëve të mbërritur në portin e Qytetit”.

Në prani të autoriteteve të Rotary Club-it, të autoriteteve civile, ushtarake, fetare, të përfaqësuesve të qytetarëve dhe të shoqatave, nënkryetari D’Attis shprehu “mirënjohje për Rotary që mbajti parasysh rolin e qytetit të Brindisit në mikpritjen e dhjetëra mijëra shqiptarëve që arratiseshin nga vendi i tyre. Ky çmim është njohje e solidaritetit të lartë të shprehur nga shumë brindizinë që në vitet e para ’90 pritën e ndihmuan me të gjitha mjetet e mundshme popullin shqiptar. Një ndjenjë që përtërihet me kalimin e kohës dhe që e ka kthyer Brindisin në simbol të mirëfilltë mbarëbotëror, të angazhimit humanitar”.