Tema mërgimi - Shqiptari i Italisë

Nëse bileta për në Rinas apo Kukës të ishte njësoj si biletat në aeroportet e Malit të Zi apo Maqedonisë, me mijëra mërgimtarë do të zgjidhnin të kalonin fundjavën në mëmëdhe. Sa të ardhura do t’i sillnin ekonomisë shqiptare, të andej e këndej bjeshkëve, sidomos nëse hapet Kukësi, e pse jo, nëse bëhet realitet edhe premtimi i Kryeministrit për hapjen e Aeroportit të Vlorës. E ku do të kishte më mirë që Pandeli Majko si më i veçanti, të niste detyrën si Ministër Diaspore me çlirimin e Rinasit.
Nga Petrit Kuçana, The albanian

Fenomeni “Rinas” mbetet personifikimi më i përpiktë i legjendës së kuçedrës, që ka zënë burimin e ujit, duke i lënë të djerra tokat shqiptare. “Vapa iku me gushtin” por zagushia e Rinasit vazhdon të mbetet frymë-ndaluese, ku nuk duket as shenja më e vogël e ndonjë lajmi prej aeroportit të vetëm, që qëndron me kryeneçësi të paepur si më i shtrenjti në rajon dhe më gjerë.

Mbetet e lebetitshme çdo vizitë lundruese virtuale, kur kërkon për ndonjë biletë drejt mëmëdheut  andej nga Rinasi, ndërsa motorët e kërkimit të ofertave vazhdojnë të fundosin “kalimin Rinas”  drejt fundit. Nuk është çudi e madje është kthyer në normalitet që kthesa nga Beogradi, shfaqet si alternativë joshëse për të mbërritur në vendin e shqiponjave, ku për shtatë palë qejfe shtrin krahët AirSerbia. 

Rinasi mbetet dështimi më spektakolar i gjthçkasë shqiptare në lidhje me “shtegtarët” (miliona shqiptarë) anë e mbanë botës. I vetmi lajm që ndez sadopak dritë shprese, që dikush “t’i hedhi një sy” mërgimtarëve, mbetet pasja e një ministri shteti për diasporën në krye të së cilës është i shumëpëlqyeri Pandeli Majko.  Mbase duhet gjendur forcë për të anashkaluar të famshmin samit të diasporës që, ndonëse po bëhet një vit nga organizimi i tij nuk gjendet një rezultat konkret, një produkt sado i papërfillshëm prej tij.

Mund të ketë pafundësi sfidash me të cilat do të përballet Majko,  por të gjitha kanë një emërues të përbashkët, një pikëtakim përtej gjithçkasë së harrueshmërisë së paskaj, Rinasin.

Ka qenë një ngërç kaq kokëshkretë gjatë këtyre viteve, saqë  justifikimi i “trashëgimisë së qeverisë Nano” u duk se mori fund me marrëveshjen e para dy viteve, që çliroi Kukësin.

Do të mjaftonte një kërkim jo shumë i ngeshëm për të gjetur edhe deklarata të ish-ministrave “se shumë shpejt do të hapet aeroporti i Kukësit, se kompani të ndryshme kanë treguar interes për të filluar fluturimet e tyre nga ky aeroport” etj; të thëna këto me zë dhe figurë, por që mbetën të denja vetëm për të parin e prillit.

Nuk është fort çudi që fenomeni Rinas nuk zë shumë hapësirë në lajmet e ububushme të mediave shqiptare dhe aspak çështje që ngrihet nga grupe të caktuara interesi apo përfaqësime politike, dhe mjerisht, duket si  dorëzim (në mos një pajtim) me “kuçedrën”  që mban peng burimin e ajrit që do t’i jepte frymëmarrje tjetër gjithçkasë shqiptare.

Vazhdon të mbetet në mejdan pyetja, se pse duhet që aeroporti i Rinasit të jetë më i shtrenjti në rajon dhe nuk mund të gjendet asnjë PR nga ata më të shkëlqyerit, që të justifikojë këtë katraurë, të turpshme në fund të fundit, por që mërgimtarët e përballojnë në kurrizet e tyre halleshumë në çdo stinë, në çdo sezon...

Nuk është aspak shqetësues flamuri kinez, që struket mes flamujve Kuq e Zi në aeroportin e Rinasit sesa ngërçi, paraliza deri në pamundësi për të qenë konkurrues, njësoj si rajoni.

Kaq e rrezikshme mbetet “kuçedra” saqë duket se ka trembur kaq shumë edhe kompanitë lowcost dhe duket se nuk guxojnë të “hedhin” një sy nga andej nga vendi i shqiponjave...

Si është e mundur që Mali i zi që ka pak më shumë se gjysmën e banorëve të kryeqytetit, Tiranës të ketë dy aeroporte funksionale dhe që në çdo sezon fluksi dhe jo vetëm, kthehet në destinacion të mërgimtarëve shqiptarë.

Nuk është shumë e vështirë të gjendet shifrat e shqiptarëve që kthesën për në mëmëdhe e marrin nga Tivati apo Podgorica duke i shpëtuar  “mallkimit” të Rinasit.

Të njëjtën gjë mund të bëjë edhe për aeroportet e Maqedonisë apo veriut të Greqisë.

Pyetja se “Kur do të hapet Aeroporti i Kukësit”, do të ishte më normalja e mundshme për miliona shqiptarë jashtë kufijve shtetërorë, bazuar edhe në deklarimet e ministrave (ish-aleatëtë Majkos) , më tepër se të anojë nga “pse”-ja e pakuptueshme, për të gjithë ata mërgimtarë që jetojnë në perëndim dhe që nuk janë të prirur të besojnë në teoritë konspirative, por që e shikojnë si gjënë më normale të mundshme. (Për kijamet kryeministri as nuk e përmend Aeroportin e Kukësit)

Vetëm për një moment të imagjinojmë nëse bileta për në Rinas apo Kukës të ishte njësoj si biletat në aeroportet e Malit të Zi apo Maqedonisë, (sa një dreke jo fort luksoze në Londër) me mijëra mërgimtarë do të zgjidhnin të kalonin fundjavën në mëmëdhe. Mbase është e tepërt të komentohet për të ardhurat që do t’i sillnin ekonomisë shqiptare, të andej e këndej bjeshkëve, sidomos nëse hapet Kukësi, e pse jo edhe premtimi i Kryeministrit për hapjen e Aeroportit të Vlorës  do të ishte plotësimi i dëshirës-ëndërr të miliona mërgimtarëve shqiptarë.

E ku do të kishte më mirë që Pandeli Majko si më i veçanti, të niste detyrën si Ministër Diaspore me çlirimin e Rinasit.

A do të mundet  Majko të bëhet “Gjergj Elez Ali”, duke përmbushur kështu mision e tij padyshim historik? 

Nëse vota e mërgimtarëve do të lejohet (më në fund) duhet të jetë qartësisht e kuptueshme, se çdo retorikë politike do të thyente hundë e buzë në shtegun e vetëm të mërgimtarëve drejt mëmëdheut; në Rinas.

Nuk dihet nëse do e ndihmojë pozicioni Ministër Shteti (sipas Ramës është rol zv-kryeministri), në përballjen me ata që ushqejnë apo përkëdhelin kuçedrën, por një gjë është e sigurtë; miliona shqiptarë anë e kënd botës do të jenë përkrah tij.

 

Mbështetja e shtetit ndaj diasporës nuk duhet të jetë vetëm me fjalë. E kjo vlen së pari për mësimin e gjuhës shqipe, për diçka konkrete, që preket me dorë
Nga Rando DEVOLE

Në një intervistë të shkurtër, Presidenti pohon: “Mbështes të drejtën e votës. Ministria e Diasporës element pozitiv”

Në kuadrin e vizitës së tij zyrtare në Itali në 11-12 shtator, gjatë të cilës u prit nga Presidenti i Republikës italiane Sergio Mattarella, nga Kryetari i Senatit italian, Pietro Grasso, dhe Kryetarja e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit italian, Laura Boldrini, Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta zhvilloi një bisedë të shkurtër edhe me bashkëpunëtorin tonë Gjergji Kajana.
Urojmë që kjo traditë të vazhdojë nga Presidenti e gjithë politikanët shqiptarë, në mënyrë që komuniteti shqiptar në Itali të jetë i përditësuar me mënyrën sesi trajtohen interesat e tij prej institucioneve të atdheut.

Shqiptari i Italisë: Do të donim të dinim nëse tema qe kemi veçanërisht për zemër do të përparojnë gjatë axhendës së presidencës suaj. Një prej tyre është e drejta e votës së emigrantëve shqiptarë.

Presidenti Ilir Meta: Përsa i takon të drejtës së votës të qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë, nga ana ime kjo do të ketë mbështetjen maksimale, në bashkëpunim edhe me qeverinë edhe me opozitën. Kjo sepse këto janë çështje që kanë të bëjnë me zgjedhjet, me kodin zgjedhor dhe duhet një dakordësi për arsye se, ju e dini, që ne edhe për çështje të zgjedhjeve brenda vendit shpesh kemi probleme të panevojshme, kështu që duhet një mirëbesim në radhë të parë dhe jo vetëm vullnet sepse nuk është se mungon vullneti nga njëra palë apo tjetra. Duhet një mirëbesim për të garantuar këtë të drejtë dhe standardet që e mundësojnë realizimin e saj.

Një tjetër problem i emigracionit është mbrojtja sociale dhe njohja e kontributeve pensionistike...

Lidhur me njohjen e pensioneve apo një marrëveshje në fushën e sigurimeve shoqërore, këtë e kemi ngritur edhe sot gjatë takimit me Presidentin, ku ishte edhe ministri i Jashtëm Alfano, dhe kemi gjetur një angazhim për të ecur në këtë drejtim. Nuk ka ndonjë pengesë parimore. Shpresojmë të ecim drejt konsultimeve dhe negociatave në këtë fushë, që nuk është e lehtë. Bëhet fjalë për një numër të konsiderueshëm përfituesish. Sigurisht është një marrëveshje e domosdoshme sepse është një e drejtë elementare dhe jetike. Kemi gjetur një predispozicion pozitiv dhe do ta ndjekim që ta shtyjmë përpara për t’u konkretizuar.

Mendoni se ministria e re e Diasporës, nga ju e sapodekretuar para dy ditësh, do të ndihmojë që institucionalisht shqiptarët jashtë Shqipërisë të afrohen me atdheun tonë?

Mendoj se ngritja e ministrisë së Diasporës është një element pozitiv. Është e rëndësishmë që të koordinohen më mirë të gjitha përpjekjet jo vetëm nga ana e qeverisë por e të gjitha institucioneve për të qenë më pranë shqiptarëve jashtë, që ata të mbajnë lidhje më të forta me vendin, për të krijuar më shumë mundësi për mësimin e gjuhës shqipe e krijimin e qendrave kulturore, aktiviteteve kulturore dhe përgjithësisht për t’i mbajtur të integruar me gjithë zhvillimet në vend dhe, nga ana tjetër, për të përfituar sa më shumë nga kontributi dhe mundësitë e tyre për zhvillimin e Shqipërisë.

Një pyetje si urim për Shqipërinë: integrimi në Bashkimin Evropian. Ju a keni shpresa se brenda 2022-shit, viti i fundit i mandatit tuaj, do të kemi ecur fort e do të qendrojmë tek dyert e Bashkimit? Vendi ynë është në prag të negociatave, të cilat shpresojmë të hapen së shpejti.

Kjo është kryesorja, që negociatat të fillojnë sa më parë të jetë e mundur. Natyrisht procesi i vazhdimit të tyre deri në anëtarësim nuk do të jetë një proces kaq i thjeshtë jo vetëm duke u nisur nga përvoja e vendeve të tjera para nesh por njëkohësisht duke patur në konsideratë që edhe vetë Bashkimi Evropian ka mjaft sfida me të cilat duhet të ndeshet dhe që duhet t’i zgjidhë. Për ne është e rëndësishme të nisin negociatat sa më shpejt dhe të përmbushim detyrimet tona si një vend që është mjaft i interesuar për t’u anëtarësuar në BE sa më shpejt të jetë e mundur.

Bisedoi Gjergji Kajana

 

 

 

 

 

 

 

Policia dhe Prokuroria Holandeze kërkojnë pezullim të lëvizjes së lirë në zonën Schengen për shqiptarët

Policia dhe Prokuroria Holandeze kanë hartuar një raport me të cilin kërkojnë rikthimin e detyrimit të vizave për shtetasit shqiptarë në hapësirën Schengen. Lajmin e ka bërë të ditur në Shqipëri ABC News që ka siguruar raportin. 

Autoritetet holandeze kërkojnë rivendosjen e regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë, duke kushtëzuar kështu lëvizjen e tyre në hapësiren Shengen. 

Pas problematikave në rritje të kriminalitetit nga bandat shqiptare në Holandë, Policia holandeze në bashkëpunim me Prokurorinë kanë këshilluar Qeverinë e vendit të kërkojnë rivënien e regjimit të vizave për të gjithë shtetasit shqiptarë në zonën Schengen. Këtë e konfirmon një memo e brendshme që përshkruan raportin në fjalë, që i është nisur për këshillim qeverisë.

Nga policia e Amsterdamit është konfirmuar për ABC News ekzistenca e këtij raportit, dhe është shpjeguar fuqizimi i elementëve kriminalë në Holandë: numri i të dyshuarve për vepra penale me kombësi shqiptare përgjatë një viti është dyfishuar. Ata operojnë kryesisht në trafikun e drogës, pastrimin e parave dhe në trafikun e qënieve njerëzore. Për Policinë dhe Prokurorinë holandeze, mënyra më e mirë për të luftuar këtë fenomen është rikthimi i detyrimit për pajisjen me vizat në mënyrë që shtetasit shqiptarë të mos hyjnë më lirisht në zonën Schengen dhe në Holandë. (Sipas ABC News)

“Sepse fuqia e diasporës shqiptare në mbështetje të zhvillimit ekonomik dhe social të vendit, përbën një potencial të pashfrytëzuar që nuk mund të vazhdojmë ta trajtojmë si një peizazh të bukur në një kartolinë urimi nga larg dhe s’mund të vazhdojmë ta jetojmë si një marrëdhënie që kurorëzohet në festa kombëtare apo në takime sporadike të përfaqësuesve të qeverisë shqiptare me shqiptarët jashtë vendit”. Fjalët e kryeministrit pasi pohoi përpara diplomatëve shqiptarë të mbledhur më 24 gusht në Tiranë se një anëtar i qeverisë së re do të jetë ekskluzivisht për diasporën

Tiranë, 25 gusht 2017 – Ndërsa çdo ditë në media flitet për qeverinë Rama 2, për reduktim të numrit të ministrive e bashkim të atyre ekzistuese, përfliten e “digjen” emra ministrash të mundshëm, dje kryeministri Edi Rama ka deklaruar publikisht diçka në këtë aspekt. “Qeveria e re do të ketë dhe një ministër shteti ekskluzivisht për shqiptarët jashtë atdheut”. Janë tekstualisht fjalët e tij gjatë një takimi me ambasadorët dhe konsujt e Shqipërisë në botë, që trajtoi temën “Roli i ri i Shërbimit të Jashtëm në Ekonominë e vendit”.

Në takim, Rama u shpreh me tone jo fort të buta ndaj diplomatëve të mbledhur, për mangësitë e mefshtësinë e deritanishme të ndikimit të diplomacisë në ekonominë e vendit qoftë përmes pasqyrimit të zhvillimeve në vend jashtë kufijve, qoftë përmes tërheqjes së sipërmarrësve të huaj.

“Në harkun kohor të 4 viteve, të këtij mandati që po mbyllet, – u shpreh Rama – e kam shumë të vështirë të gjej në kujtesën time, rastin e fundit kur kam takuar në zyrën time operatorë ekonomikë, sipërmarrës, përfaqësues ndërmarrjesh, apo prospektues të sjellë apo të inkurajuar nga ju, për të ardhur dhe për të parë, nëse apo si mund të bëhet biznes në Shqipëri”.
“Po si ka mundësi që keni qenë kaq  të avashtë, ose për ta thënë shqip, kaq të leshtë, për të ndjerë urgjencën e domosdoshmërisë, për të gjetur mekanizmat e duhur, – ka theksuar ai mes të tjerash - për të ndërtuar platformat, për të hartuar formulat, skicuar rrugët e nevojshme, në mënyrë që realiteti ynë, ky vend që ndryshon me muaj dhe me javë, të pasqyrohet me zhdërvjelltësinë e  duhur, angazhimin e vazhdueshëm, aftësinë dhe shprehitë e nevojshme, jashtë kufijve tanë, ku na njohin pak, s’na njohin fare ose më keq akoma, na njohin keq”.

E gjithnjë të lidhur ngushtë me zhvillimin ekonomik të vendit e pjesë të diplomacisë ekonomike, kryeministri theksoi edhe bashkëpunimin me diasporën: “Nga ana tjetër, pjesë e kësaj teme, po kaq e rëndësishme sa kjo temë, është dhe bashkëpunimi me diasporën që lë jashtëzakonisht shumë për të dëshiruar, me organizatat e diasporës, me forcat e reja të krijuara në diasporë, në mënyrë që të ecim më tutje, jo thjesht për të konkretizuar më tej angazhimet e Samitit të parë të Diasporës, por për të bërë dhe këtu përputhjen mes kohës së re që jetojmë, forcave të reja në fushë dhe shërbimit tonë të jashtëm në funksion të Shqipërisë së re që duam. Dua t’ju informoj që në funksion të këtij aspekti themelor të kësaj qasje të re, qeveria e re do të ketë dhe një ministër shteti ekskluzivisht për shqiptarët jashtë atdheut”.

E pas premtimit të një ministri shteti, kryeministri ka kujtuar rëndësinë e ushtrimit të të drejtës së votës, “tanimë një detyrim i paanashkalueshëm më nga një qeveri shqiptare” dhe marrëdhëniet mes shqiptarëve në rajon, të cilat “kërkojnë një vëmendje shumë më të fokusuar dhe intensive nga niveli më i lartë i qeverisë”. Ndaj, një ministër shteti është figurë e domosdoshme, sepse “Ministria e Jashtme ka nevojë për një krah shumë të fortë, për një forcë të re, me fuqi të plotë politike që buron drejtpërdrejt nga niveli i kryeministrit”.

Nga ana tjetër, “bota shqiptare e dijeve jashtë kufijve ka marrë përmasa të reja, dhe distanca jonë me atë botë dijesh që zhvillohet, ndërkohë që ne kemi mbetur pre e kontakteve të vjetra dhe e marrëdhënieve me disa organizata që megjithë respektin janë shumë pak në krahasim me këtë botë të re dijesh shqiptare, – theksoi Rama – duhet të ngushtohet çdo ditë, çdo muaj, çdo vit si hendek”.

“Sepse fuqia sot e diasporës shqiptare në mbështetje të zhvillimit ekonomik dhe social të vendit, përbën një potencial të pashfrytëzuar që nuk mund të vazhdojmë ta trajtojmë si një peizazh të bukur në një kartolinë urimi nga larg dhe s’mund të vazhdojmë ta jetojmë si një marrëdhënie që kurorëzohet në festa kombëtare apo në takime sporadike të përfaqësuesve të qeverisë shqiptare me shqiptarët jashtë vendit, të cilat janë takime shumë të rëndësishme, por krejt periferike dhe krejt pa fryt, po të shohim gjerësinë e dijes shqiptare sot jashtë kufijve”.

E sërish një kritikë për diplomatët, për komunikimin aspak në nivel si me të huajt ashtu edhe me komunitetin shqiptar në vendet ku ata shërbejnë: “Vendosja e një figure qendrore Ministër Shteti pranë Kryeministrit ndihmon, besoj shumë por nuk mjafton fare, sepse ndërkohë komunikimi ynë jashtë, përshirë përmes rrjeteve sociale të ambasadave, konsullatave apo edhe përmes ekseseve të drejtpërdrejta të medias apo dhe në forma të tjera kontaktesh, nuk është as i pasur, as dinamik, as tërheqës, është një komunikim për t’u skuqur nga sikleti! Me të huajt po e po, por edhe me diasporën nuk bënë asnjë dallim. Ndërkohë që ne jemi një vend i vogël, jemi një komb i vogël dhe nuk e kemi luksin të lëmë jashtë vëmendjes dhe të lemë pa u përpjekur të përfshijmë çdo qelizë të zhvilluar të trurit shqiptar nëpër botë. Çdo qelizë, e jo më pjesë të tëra të këtij truri që janë jashtë kontakteve me Shqipërinë, në kuptimin institucional dhe në kuptimin e bashkëfunksionimit, s’po flas për kontaktet e tyre individuale, familjare që janë pjesë e jetës të çdo individi.
Duhet të ndryshojë ky komunikim dhe jam i bindur që së bashku do ta ndryshojmë  dhe do të fillojmë ta ndryshojmë në një kohë relativisht të shpejtë se s’kemi rrugë tjetër” e mbylli këtë kapitull kryeministri.

Të jenë edhe këto fjalë si premtimet e fushatave zgjedhore? Apo si premitimi i para katër vjetëve i Veliajt që deklaronte se “Çështjen e emigracionit do ta trajtonin në nivel ministror”? Apo si shumë fjalë të bukura që u thanë në Samit? muaji i ardhshëm do ta tregojë.
E nëse vërtet do të ketë një ministër shteti për shqiptarët jashtë vendit, të urojmë që ai të mos mendojë vetëm si t’i nxisë të investojnë në Shqipëri, por të ketë vesh për të dëgjuar e mundësi për t’u ofruar zgjidhje çështjeve të ngritura prej kohësh, nga e drejta e votës te mësimi i gjuhës shqipe, nga mbledhja e viteve të punës për pension te dhënia e informacioneve e ndihmesës për ata që kthehen, qofshin ata të sapodiplomuar, apo njerëz me familje që konsiderojnë të mbyllur (jo rrallë me dhimbje) përvojën e emigracionit.

K.B. Shqiptari i Italisë

(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

 

 

Kalohet me ndonjë lajm sesi po ikin e po ikin shqiptarët, sesi nga BE-ja vetëm vitin e kaluar janë kthyer, pra riatdhesuar mbi 40 mijë shqiptarë...
Diaspora hesht nuk bzan. Nuk bzan as kur kryeministri i Shqipërisë në asnjë prej fjalëve nuk e shqipton fjalën diasporë, emigrant, refugjat, qoftë edhe për ato që ka premtuar, jo të drejtën e votës por as regjistrimin e tyre.  Nuk bzan edhe kur shikon që radhët e saj po stërmbushen, që Shqipëria po zbrazet
Nga
Petrit Kuçana, The albanian

Ata rikthehen nga të katër anët e globit sërish në muajt e ngrohtë atje ku u nisën, si një ritual shtegtimi e që rëndom quhen pushime. Ritual i përvitshëm ky, ku me patjetër do të shikojnë se çmimet rriten, që shikohen dhe trajtohen ndryshe, si parelinj në rastin më të mirë,  dhe “mbijetesa” varet nga aftësia e përshtatjes në vendin ku janë rritur...

Spektatorë të paepur mbeten mërgimtarët, jetimë gjithësesi dhe e gjitha çfarë mund të bëjnë është ndonjë rresht me mendimet e tyre në ndonjë media apo në rrjetet sociale, (pa përfshirë mllefet apo shitmendjen që konsiderohen më tepër si dëshmi mllefi sesa arritje, ja unë mundem!) ku asgjë nuk ndryshosh përveç specifikave të përshtatjes.

Asgjë nuk ndryshon edhe pse mërgimtarët shqiptarë (të Shqipërisë amë) janë të vetmit në rajon dhe më gjerë që nuk kanë të drejtën e votës dhe mbetet sfidë në vetvete përballimi me “argumentet” e qeveritarëve, që qëmtojnë “arsyet” se pse nuk u është dhënë kjo e drejtë, ndonëse u është premtuar me zë dhe me figurë se në zgjedhjet e tjera (të kurrëmosardhura) kjo do të bëhej realitet.

Diaspora hesht, nuk bzan.

Nuk bzan edhe kur shpeshherë në kurriz të saj majmen e majmen, (ata që ishin, janë e që duket që do të jenë) ministra,  deputetë, zyrtarë, apo që kanë marrë përsipër të jenë përfaqësues, (të diasporës kurrsesi) dhe mbase dikush bën ndonjë llogari nga ato të thjeshtat, se si është e mundur të vihet ajo pasuri e atij/asaj, me ato të ardhura që merr ai tipi/tipja nëpunëse apo zyrtare, e zgjedhur apo e komandur?

Thjesht ndonjë shfryrje dhe një pezm që kalon në sfidat e tjera të xhunglës, ku leqet janë shpesh të ngritura për parelinjtë, që nga çmimet e pa faturë, e deri tek rezervimet e tjera që janë ekstra speciale dhe ku nuk gjendet asnjë vend ankimi.

Diaspora hesht, nuk bzan.

Nuk bzan as kur mendon e stërmendon për aeroportin e vetëm të dheut të tyre, që pranohet botërisht se i ka çmimet më të larta në rajon dhe më gjerë, por nëse xhepi mbetet i ngushtë për apetitet e aeroportit (sidomos në ciklin e rikthimit) atëherë gjenden rrugët alternative, nga aeroportet e fqinjëve, apo mbetet alternativë ndërmarrja e odisesë së turravrapit që shkon disa ditë deri në mbërritje. Dhe askush nuk pëpëtin, nuk flet për të ikurit, të shpërngulurit, rrefugjatët, emigrantët...

Dhe ata heshtin, nuk bzajnë, qoftë edhe ata që ua përplasën dyert turinjëve, kur u rikthyen në mëmëdhe, pasi kishin mbaruar studimet në universitetet e perëndimit (se) pse ishin të papërshtatshëm në xhunglën e madhe, ku shërbyesit partiakë vendosin edhe për fatin e tyre.

Diaspora hesht, nuk bzan.

Nuk bzan edhe kur akuzohen se janë shkaktarët e ngritjes së çmimeve të gjithçkaje, edhe kur nuk ka një institucion të vetëm apo qoftë edhe shoqatë që “të përkujdeset” për ta, siç ndodh me shoqatat e mbrojtjes së shpendëve... dhe si spektatorë të devotshëm shohin ndonjëherë tek përbëjnë lajm sesi kanë rënë remitancat, pra të ardhurat e dërguara prej tyre, sesi janë bërë shkaktarë të shtimit të trafikut, të aksidenteve dhe loja tragji-komike se fëmijët e tyre nuk e fliskan aq mirë shqipen, e  vazhdon deri në absurditet, sidomos në ciklin e rikthimit atje ku u nisën, në truallin që quhet atdhe.

Nuk u arrit asnjëherë që shteti i Shqipërisë amë të ngrihet në nivelin qoftë edhe të shtetit të Kosovës, jo thjesht për pasjen e dikasteri, qoftë edhe si Ministri e Diasporës por edhe në angazhimin për “të bërë diçka” për diasporën.

Në të gjithë Kosovën edhe falë një tradite organizohen ditët e diasporës, ku me gjithë problematikat e ndryshme mërgimtarët nuk ndjehen aq të huaj sa në Shqipëri, ku nuk ka qoftë edhe një aktivitet të vetëm për diasporën. Keni dëgjuar për ndonjë qoftë një të vetëm?

Në Kosovë organizata Germin organizon kaq shumë aktivitete saqë nuk ka mbetur qytet pa shijuar aktivitetet e saj.

Në Shqipëri nuk gjen qoftë edhe një iniciativë të tillë apo të ngjashme, dhe kushedi sa në gjynah hyjnë ata që presin ndonjë gjë nga Ministria e Jashtme që po shijojnë pushimet pas fushatës së ethshme elektorale....

E mbase shumëkujt i kujtohet Samiti i Diasporës, ata mërgimtarët që dalloheshin me çantat e kuqe nëpër rrugët e Tiranës ato ditë Nëntori.
Askush prej tyre nuk ka parë gjë akoma, se pse u bë ai samit apo çfarë u arrit prej tij dhe më kot vetmevetshëm mund të shtrojë pyetjen se pse të mos bëhej diçka e ngjashme në verë kur vijnë emigrantët.

Thjesht s’bëhet, e kalohet me ndonjë lajm sesi po ikin e po ikin shqiptarët, sesi nga BE-ja vetëm vitin e kaluar janë kthyer, pra riatdhesuar mbi 40 mijë shqiptarë dhe qiqrat në hell vazhdojnë të reflektojnë çdo lloj tendence për ndonjë përçapje të diasporës, se dikush dikur mund dhe duhet të mendojë edhe për ta.

Diaspora hesht, nuk bzan.

Nuk bzan as kur kryeministri i Shqipërisë në asnjë prej fjalëve nuk e shqipton fjalën diasporë, emigrant, refugjat, qoftë edhe për ato që ka premtuar, jo të drejtën e votës por as regjistrimin e tyre.  Nuk bzan edhe kur shikon që radhët e saj po stërmbushen, që Shqipëria po zbrazet, që burgjet e Evropës po mbushen me të rinj shqiptarë.

E kushedi sa kohë do të kalojnë, sa breza do të rriten në mërgim ku në ADN-në e tyre do të vazhdojë të ruhet si amanet më shumë se si instikt, rikthimi në dheun e të parëve, ku shtegëtimi do të vazhdojë të mbetet i tillë, pa mundur të jenë pjesë vendimmarrjeje, qoftë edhe për të bërë pak zhurmë... Por diaspora jonë mbetet ajo e heshtura që s'bzan... Dhe nëse dikush mendon se potencialet e diasporës janë jashtëzakonshme dhe përfshirja e saj mbetet një domosdoshmëri, kjo ngjason më tepër me një dëshirë të kahershme sesa një realitet që preket, ose që pritet të preket. Duket se kështu është edhe më e lehtë udhëheqja e atyre që marrin votëbesimin e njëzet e ca përqind të votuesve...
Deri më tani diaspora është ajo që s'bzan, si e braktisur dhe braktisëse njëkohësisht... 

 

Artikuj te tjere...