Emigrantët në Atdhe, në radhë për dokumentet e reja - Shqiptari i Italisë

Tema mërgimi

5 korrik 2010 – Ndërsa nga ambasada shqiptare në Romë sigurojnë se duke nisur nga vjeshta, në Itali e Greqi, do të mund të aplikohet pranë ambasadës e konsullatave për letërnjoftime elektronike dhe pasaporta biometrie, në zyrat e aplikimit për këto dokumente në qytete të ndryshme të Shqipërisë ka nisur një rritje e ndjeshme e punës për shkak të kthimit në atdhe të emigrantëve. Kështu, që sot, ATSh bën të ditur se në qytetin e Korçës, janë regjistruar sot radhë të gjata, për shkak të kthimit të emigrantëve nga Greqia dhe kërkesave të tyre për t'u pajisur me to. Qytetarë të ndryshëm kërkojnë që, tashmë kur kërkesat janë të  shumta, të shtohen sportelet e aplikimit.

Një emigrant nga Greqia ka treguar se kishte zënë radhë që në orën 6.00 dhe se deri 12.00 nuk kishte shpresë t'i vinte radha, ndërsa i duhet që shpejt të kthehet në vendin e tij të punës. Një tjetër qytetare tha se kishte zënë radhë edhe javën që kaloi, por nuk kishte mundur të aplikonte për pasaportë biometrike për nipin e saj 3-vjeçar, ndërsa edhe sot nuk priste t'i vinte radha. Por vonesat e radhat e gjata duket se shkaktohen, më shumë se nga fluksi i lartë i njerëzve, nga keqfunksionimi i zyrave dhe reduktimi i burimeve të vëna në dispozicion të publikut: gjithnjë sipas ATSh-së, në zyrat e aplikimit për pasaporta biometrike dhe karta identiteti të Korçës punohet vetëm me dy kompjutera nga tetë që ka pasur në punë në fillim të procesit.

Sipas të dhënave që jep filiali i Postës Shqiptare në Korçë, deri tani në shkallë qarku janë shitur 177.100 kupona për karta identiteti dhe 75.200 kupona për pasaporta biometrike. Ndërsa ministria e Brendshme shqiptare bën të ditur që në shkallë kombëtare deri në fund të qershorit është aplikuar për 2.156.000 letërnjoftime elektronike dhe për 744.000 pasaporta biometrike.

Informacion mbi pajisjen me dokumente identiteti sipas ministrisë së Brendshme të Shqipërisë

Letërnjoftime elektronike deri më 25.06.2010
Aplikimi total                                2 156 000
Shpërndarje në ZGJC                    2 143 000
Tërhequr nga  qytetarët               1 962 000

Pasaportat biometrike deri më 25.06.2010

Aplikimi total                                744 000
Shpërndarje në Rajone policie         741 000
Tërhequr nga  qytetarët                640 000

Lexo edhe: Pasaportat biometrike do të bëhen edhe në ambasadë apo konsullata