Emigrantët në krizë - Shqiptari i Italisë

Tema mërgimi

Nga Artan Mullaj

Me sa duket, emigrantët nuk do të jenë më shpresa e gjallërimeve sezonale të ekonomisë sonë, as në pushimet verore, dhe as në festat e fundvitit, kur ata vërshojnë zakonisht. Tronditja botërore e ekonomisë, ka pështjelluar një krizë të re edhe në komunitetin e tyre. Për pasojë, ndihma ekonomike për familjet në Shqipëri, është po kaq e pamundur, sa edhe i hidhur është  ky realitet për ata. Për herë të parë në historinë e emigrimit shqiptar, bujaria e tyre sot është e brishtë,  aq sa nuk mund të thuhet që dashuria e tyre për vendin e tyre vazhdon të jetë, si ka qenë gjithmonë, motivi i ngushëllimeve të ardhshme. Deri dje, shumë njerëz,  mendonin se këta shpëtimtarë modestë të tregjeve të sfilitura shqiptare, ishin si "diga e parë mbi të cilën përplasen dallgët e antishqiptarizmit tradicional". Kurse sot, janë të paktë ata që mendojnë se heroizmi i tyre përballë shkulmeve raciste, është çështje e ditës. Dhe kjo, edhe për shkak se morali i ditës shqiptare është marrë peng nga paqartësia e gjërave.

Shqiptarët, brenda vendit edhe jashtë, sot janë të kërcënuar nga zymtësia e së ardhmes. Ndërsa të parët kanë dëshpërim sigurimin e vështirë të bukës së gojës, të dytët kanë frikë të shpresojnë kthimin në vendin e  tyre, ku mbretëron dëshpërimi i të parëve.

Por jo vetëm shqiptarët. Edhe grekët, edhe italianët, edhe fqinjët e tjerë, duket se e quajnë luks të ushqejnë ende si dikur në shpirtrat e tyre, fobinë për të huajt, për emigrantët, sepse hallet e botës sot janë më të mëdha se shkulme e krenarisë. Ndoshta edhe për shkak të krizës, është e dukshme një rënie e furisë nacionaliste sidomos në Ballkan, ku dhe kur, kriza e botës është afruar si tajfunet shkatërruese në verë,në brigjet e Floridës apo Meksikës. Ndërsa stuhia ka prekur Greqinë, as ajo, as fqinjët e saj nuk kanë profetë në gjirin e tyre, të parashikojnë çka mund të ndodhë më pas në të ardhmen.

Në fakt racizmi ndaj emigrantëve është tulatur kohët e fundit, dhe kjo jo vetëm falë shpërqendrimit dhe frikës nga fatalitetit ekonomik, që sjell trokitja e pashmangshme e krizës, por edhe falë reflekseve të civilizimit të rrezatuara nga njerëzit tanë ne vendet ku jetojnë. Të gjithë e dimë se kjo ka qenë një aventurë e vetmuar e shqiptarëve në mërgim për të vërtetuar me vlerat e tyre, vlerat kombëtare në sytë e botës.

Por ndërsa janë lehtësuar njëfarësoj prej rëndesës së huaj, përkundrazi, shpërfillja e shtetit shqiptar sot është e dyfishtë. Aq më pak politika e Tiranës ka interes për ta, sepse sot ata nuk mund të ndihmojnë vendin e tyre. (Madje, ata kishin qenë të harruar e të lënë mënjanë për vite me radhë, edhe atëherë kur dërgonin kursimet e djersës familjeve të tyre për vite me radhë). Sot që ata nuk mund të ndihmojnë, aq më pak qeveria shqetësohet për problemet e tyre, vetminë e tyre, papunësinë e tyre dhe vështirësitë e tyre, në kushtet e krizës. Dhe kjo gjë është e natyrshme. Pasi e kanë administruar me babëzi dhe mediokritet këtë vend, për njëzet vjet me radhë, çka e ka e shtyrë dinjitetin kombëtar edhe atë drejt greminës,  pushtetarët janë shqetësuar jo aq për problemet e shumëfishuara të emigrantëve, sa për kthimet e tyre masive.

Sepse ata e dinë, ashtu si e dinë të gjithë se dërrasat janë zbërthyer dhe Shqipëria nuk mund të përballojë papunësi të re, dhe të papunë të rinj, në mes të rrënimit. Të gjendur mes dy të këqijave (sa e kobshme të hezitosh të shpresosh tek baza jote), emigrantët tanë sot janë personazhe të një drame të re. Nëse vështrimet do të bien mbi ta, drama përsëri do të vazhdojë, sepse kjo do të ndodhë vetëm kalimthi dhe vetëm dinakërisht, dhe vetëm djallëzisht në fushata elektorale. Në çdo rast,  në çdo kohë, në çdo analizë, zhgënjimi është i pamatshëm!

Vëmendja për dilemat e emigrantëve, ka pak gjasa të ndodhë. Të kthehen në vendin e tyre, të vuajnë me njerëzit e tyre, apo të durojnë deri në fund në emigrim. Më shumë se përbuzjet dhe antishqiptaritë e të huajve, shpërfillja e Tiranës, që është aq më e qartë sa më të mëdha janë problemet për ta, është ajo që ka diskriminuar shtetasit e vet në perëndim me këtë braktisje të përjetshme që nuk mund të shpjegohet. Emigrantët ishin lënë dhe vazhdojnë të janë vetëm në hallet e tyre, sot më shumë se kurrë, si një komunitet rrugëhumbur. Lënia në mugëtirën e tyre, dhe poshtërimi social që ju bëhet,  ndërkohë që ata janë absolutisht pjesa më e pastër, më e painfektuar dhe më e qytetëruar e shqiptarëve, është dëshmi e sigurt e krizës së vetëdijes kombëtare, që qëndron mbi të tjerat. Prandaj, shpërfillja shtetërore ndaj problemeve të tyre dhe ndaj civilizimit të sigurt që ata kanë fituar gjithë këta vjet në perëndim, nëse deri sot ka sjellë zhgënjim komunitar, sot po provokon një agresivitet të ndërsjellë dhe të shkujdesur ndaj politikës në vendin e tyre...
E veç këtij zhgënjimi, shqiptarët perëndimorë, të lodhur e të vetmuar në durimin e përbindshëm për të  pastruar fytyrat e tyre, sot janë po aq indiferentë ndaj politikës në Shqipëri, sa mospërfillëse ka qenë edhe politika e shtetit ndaj tyre gjithë këta vjet.  Fatkeqësia është se askush në Tiranë nuk gjykon që zhgënjimi i këtij komuniteti është fillimi i një drame të re kombëtare. Ata dalëngadalë po ndalojnë së fabrikuari dashuri për vendin e tyre, jo vetëm sepse kjo dashuri nuk ju është kthyer kurrë, por edhe sepse asgjë nuk duket se do mund të sjellë shpresën e ndryshimit në të.

Me fjalë të tjera, zhgënjimi vazhdon! Pak gjëra thuhen e shkruhen për emigrantët, kurse shteti, ashtu si edhe për shqiptarët brenda vendit, edhe në ditë të mira, edhe në krizë, realisht nuk ka ekzistuar dhe vazhdon të mos ekzistojë për ata.  Nuk është bërë asgjë asnjëherë për të përmirësuar imazhin e njeriut shqiptar nëpër botë, nuk po bëhet dhe mbase nuk do të bëhet. Ky është një gabim historik, dhe është gjithashtu i pafalshëm, po të llogaritet që për disa bindje të të huajve ne vazhdojmë të jemi një realitet i rëndomtë, i ulët, një vend pa histori, pa vlera, pa kujtesë, ndonëse ato ekzistojnë.