Ministri i Jashtëm Haxhinasto: Do të reagojmë për shërbimin e prenotimit me pagesë në Konsullatën e Milanos - Shqiptari i Italisë

Tema mërgimi

Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto zhvilloi dje pasdite në Romë një vizitë gjatë së cilës u takua me Ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë Giulio Terzi di Sant'Agata. Sipas deklaratave, dy ministrat diskutuan mbi forcimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve, zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve e të tjera. Në fund të takimit Terzi dhe Haxhinasto dhanë një konferencë për shtyp. Shqiptari i Italisë, i pranishëm në konferencë, e pyeti Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë mbi çështjen e ngritur në këto faqe mbi shërbimin e prenotimit me pagesë të Konsullatës Shqiptare në Milano.

Shqiptari I Italisë: Zoti Ministër, duhet të jeni në dijeni që vënia e një shërbimi prenotimi me pagesë për gjithë shërbimet konsullore nga Konsullata e Përgjithshme në Milano, ka sjellë  një haraç të veçantë për ata që i drejtohen kësaj konsullate, duke ngritur dritëhije edhe mbi përfitimet jo të shpërfillshme që nga xhepi I emigrantëve u shkojnë drejtpërdrejtë privatëve të panjohur. Cili është qëndrimi i Ministrisë ndaj këtij vendimi, sipas nesh arbitrar, të Konsullatës së Milanos?
Shërbimet ndaj komuniteteve shqiptare kudo që jetojnë, dhe komuniteti shqiptar në Itali, kanë në mënyrë të padiskutueshme vëmendjen e vazhdueshme të qeverisë në përgjithësi dhe të Ministrisë së Punëvë të Jashtme në veçanti. Edhe rasti që përmendni ju, për sa i takon shërbimit me call-center për personat e interesuar për marrjen e pasaportës pranë Konusullatës sonë në Milano, është një çështje të cilën ne jemi duke e shqyrtuar, duke parë mundësinë për të reaguar në mënyrë të tillë që shqiptarët të mos kenë asnjë kosto shtesë në shërbimet që u ofrohen, qoftë dhe ai për dhënien e pasaportave. Prandaj shumë shpejt do të kemi një ndërhyrje për sa i përket ndryshimit të këtij regjimi që ekziston aktualisht.

Po thoni që do ta pezulloni e që shqiptarët në Milano s’duhet të paguajnë më shumë se ata në Romë apo gjetkë?
Shërbimi do të vazhdojë kështu siç është deri në marrjen e një vendimi të dytë, e përsëris për ndryshimin e mënyrës se si aplikohet dhe se si secili shqiptar që jeton në Itali e dëshiron të marrë një pasaportë, afrohet në Konsullatë, caktohet në një listë të posaçme dhe pastaj realizon futjen e të dhënave në sistemin përkatës për lëshimin e pasaportës.

Procedurat dhe çmimet e pasaportave janë të përcaktuara me ligj, problemi që ne ngremë është pagesa shtesë, deri 15 euro, që shqiptarët duhet t’I paguajnë një call-centeri privat dhe të panjohur për të prenotuar një takim në konsullatën e Milanos, për çdo shërbim konsullor.
Unë dua të them që kjo tarifë për të cilën flisni është çështje e shërbimit të call center, kjo nuk është një tarifë që vendoset nga konsullata, pra është jashtë shërbimit konsullor.  Tarifa të tilla që kërkojnë call center-et nuk janë pjesë e procedurave të vendosura nga ministria e Puneve të Jashtme më bashkëpunim më kompaninë që jep pasaportat.

Pra, meqë nuk është tarifë që u është nështruar procedurave, po shqyrtoni ta hiqni?
Ne jemi duke analizuar të gjithë sistemin, të gjithë zinxhirin e shërbimit që i duhet dhënë çdo shqiptari me banim në Itali, dhe e përsëris, shumë shpejt do të kemi një reagim, një reflektim mbi këtë procedurë, mbi këtë mënyrë të marrjes së pasaportave.

Kur mendoni se do të mbërrijë ky reagim nga ana juaj?
Unë besoj se ju përgjigja.

Bisedoi Keti Bicoku