Tema mërgimi - Shqiptari i Italisë

Instituti shqiptar i sigurimeve nënshkran një marrëveshje bashkëpunimi me ministrinë e Jashtme shqiptare për t'u dhënë mundësi shqiptarëve jashtë atdheut të paguajnë kontributet vullnetare pranë përfaqësive konsullore

Më 13 dhjetor në Ministrinë e Punëve të Jashtme u nënshkrua “Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore në fushën e sigurimit shoqëror të shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë vendit”. Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto dhe Drejtoresha e Përgjithshme e ISSH Evelina Koldashi.

Protokolli në fjalë ka të bëjë me sigurimet vullnetare që emigrantët mund të dëshirojnë të derdhin për të plotësuar vitet e vjetërsisë dhe për të mos humbur kuotat e sigurimeve shoqërore që kanë derdhur gjatë viteve të punës në Shqipëri. Ministria e Jashtme, nëpërmjet përfaqësive diplomatike do të japë informacion të plotë, dhe në një farë mënyre përfaqësitë do të luajnë rolin e agjentëve të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Drejtoresha e këtij instituti, Evelina Koldashi, deklaroi se “nëpërmjet kësaj marrëveshjeje synohet shtrirja e infrastrukturës në shërbim të emigrantëve shqiptarë, lidhur me tre problematika kryesore:
Së pari, informimi lidhur me mbrojtjen sociale që përfitojnë emigrantët shqiptarë për pjesën që ata kanë qenë të siguruar në sistemin e mbrojtjes sociale në Republikën e Shqipërisë;
Së dyti, pasurimin e kësaj mbrojtje sociale, ku të gjitha këto shërbime do të jenë falas, si dhe,
Së treti, sigurimi i një mundësie më shumë për sigurim nëpërmjet licencimit të ambasadave ose përfaqësive tona diplomatike, si agjentë të sigurimeve shoqërore”.

Synimi përfundimtar i kësaj marrëveshjeje është pra mundësia e derdhjes së kontributeve pranë përfaqësive diplomatike, gjë që do t’i vinte realisht në ndihmë emigrantëve shqiptarë.
Ministri i Jashtëm Haxhinasto bëri të ditur gjithashtu se në agjendën e afërt të qeverisë është edhe ngritja e shtëpive të kulturës në vendet ku komuniteti shqiptar është më i madh.

Ka disa vite që në Shqipëri ka lindur debati politik për programin e “rikthimit të trurit”. Të paktën nga viti 2006, i mbështetur nga PNUD-i, Qeveria ka përpiluar disa hapa mbi mundësimin e këtij programi. Dhe këto dy vitet e fundit debati është thelluar, sepse nga njëra anë është mbështetur nga organizatat ndërkombëtare dhe nga sektori privat që kërkon një plotësim të çështjes si pjesë e domosdoshme për konkurrencës në vend, dhe nga ana tjetër është ngadalësuar nga Qeveria Shqiptare si rrjedhim i mangësive themelore në ligj, që në vend që ta ndihmojë e pengon procesin

Debati është përhapur dhe në mediat shqiptare. Vitin e kaluar gazeta Shekulli titullonte një artikull “Kundër retorikës së kthimit” duke këshilluar arkivimin e tij, të cilit i përgjigjej aspirata nga jashtë e të kualifikuarve nën zërin e një të diplomuarës në Universitetin Oxford të Londrës, Mirela Bogdani.
Komuniteti shqiptar në Itali është një nga më të interesuarit po të konsiderojmë që në këtë vend janë regjistruar rreth 11.000 studentë shqiptarë për vitin 2008-2009, në universitet: Ekonomi, Mjekësi, Inxhinieri, Shkenca Sociale, Drejtësi, etj., dhe që në vitin 2007, ndër 5842 të diplomuar, 17.3% ishin shqiptarë. Vëmendja politike duhet të mendojë këto shifra si shenjë e aftësisë së madh dhe vullneti jo vetëm për t’u integruar por dhe për të pretenduar më shumë nga vetvetja dhe nga kushtet e jetë, të paktën për atë pjesë që ia del t’i shpëtoj punës jo kualifikuese që largon ambiciet profesionale.

Procesi Brain Gain, “kthimi i trurit” e kundërta e Brain Drain, “largimi i trurit”, dëshiron “thirrjen” e tij dhe bazohet mbi praktikën e përfitimit duke marre përvojën dhe ekspertizës e shqiptarëve të kualifikuar (d.m.th., të diplomuar në nivele universitare ose pasuniversitare, si dhe kërkimtarë shkencorë), jashtë vendit dhe nga diaspora. Këto praktika kanë origjinën e tyre në vendet anglofone (Amerikë, Kanada, Angli) ku, për më tepër, praktikohet imigracioni i përzgjedhur i trurit, dhe janë pikërisht organizatat e lindura në këto vende që i janë drejtuar qeverisjes shqiptare për të thirrur jo imigrantë çfarëdo, siç aplikojnë këto vende, por shqiptarë që dëshirojnë të kthehen në vendin e tyre.
Po ta mendojmë këtë proces politik si një listë me disa hapa, ata mund të rreshtohen si në vazhdim: mbështetje financiare (bonuse në rroga, kredi për blerjen e banesave me interesa më të ulëta për ata të cilët janë rikthyer pas mbarimit të masterit apo studimeve doktorate, si dhe grante nxitëse për ata të cilët punojnë në administratën publike dhe kanë studiuar jashtë vendit për të marrë pjesë në të paktën dy konferenca në vit); lehtësi rekrutimi në administratën publike (kush ka studime master ose PhD jashtë vendit ka të drejtë për pikë bonus gjatë konkurrimit për pozicionet e lira në administratën publike, me 20 pikë për ata që kanë diploma master dhe 30 për ata me PhD); institutet kërkimore dhe bota akademike është përpjekur të mbështesë rekrutimet për pozicionet e pedagogëve dhe kërkuesve shkencorë të kualifikuar jashtë vendit, duke favorizuar punësimin e individëve që zotërojnë master ose titullin doktor dhe përfshirjen e tyre në programet e ekselencës ose në programet e bashkëpunimit shkencor (p.sh Programi i Shtatë Kuadër, SF7).
Në Shqipëri, kjo politikë nisi rrugën e saj nga viti 2004, ku Qeveria aprovoi strategjinë për “Inkurajimin e punësimit në administratën publike të studentëve që kanë studiuar jashtë’’, dhe nga viti 2005, i caktoi prioritet çështjes së zhvillimit të kapitalit njerëzor, duke u orientuar mbi përmbytjen e fenomenit të largimit të trurit në rikthimin e tij, strategji kyçe kjo për “Migrimin në procesin e zhvillimit”, i cili jo vetëm ka ndihmuar ekonominë me dërgesat e parave, por dhe është kandiduar për të rritur nivelin e ekspertizës në vend. Në vitin 2006 u nënshkrua një marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe PNUD-it, për periudhën 2006-2010, që lehtësoi përgatitjen e programit për një angazhim më të madh të Diasporës Shqiptare në zhvillimin socio-ekonomik të vendit.

Marrëveshja kishte dy qëllime kryesore:
Së pari, krijimi i një ambienti mikpritës për ata që rikthehen në Shqipëri në mënyrë që t’i inkurajojë të kontribuojnë në zhvillimin social, politik dhe ekonomik të vendit.
Së dyti, krijimi i kuadrit ligjor për integrimin e plotë të këtyre personave në administratën publike. Për të përfituar nga paketa nxitëse Brain Gain, individi duhet të këtë përfunduar studimet master ose doktorature jashtë vendit me rezultate të mira dhe të jetë kthyer në Shqipëri pas datës 30 qershor 2007. Ndonëse në  vitin 2008, Qeveria hapi më shumë se 400 vende pune në universitete , dhe gjatë vitit 2009, një numër prej 526 nëpunësish civilë përfituan nga paketa mbështetëse e Programit, përfshirja në krijimin e rrjetit të diasporës rezulton disi e vakët, ngaqë shumë elemente mungojnë akoma.

Aty ku shndërrohet retorika mbi kufizimet në dobishmëri
Përveç faktit që disa e mendojnë këtë politikë si “diskurs për t’u arkivuar se nuk i shërben as Shqipërisë as shqiptarëve” (Ardian Vehbiu, Shekulli, 2009), analizat e bëra mbi këtë proces shqyrtojnë që politikat e hartuara në vend deri më tani vuajnë nga kufizime të ndryshme për të qenë efikase. Shoqëria shqiptare është ende larg krijimit të një ambienti mikpritës dhe të një tregu pune tërheqës, me konkurrencën e nevojshme për të inkurajuar mendjet të jetojnë jashtë vendit, të kontribuojnë në zhvillimin brenda vendit të tyre.
Së pari, programi Brain Gain nuk përbën akoma një institucion të konsoliduar me kompetenca të qarta për të nxitur procesin, përveç sitit të krijuar nga PNUD-i dhe qeveria shqiptare për të shërbyer dhe si bankë të dhënash, nuk janë krijuar lidhjet e duhura për ta shfrytëzuar plotësisht.
Së dyti, deri tani, politikat e thithjes së trurit mbulojnë vetëm sektorin publik. Aktualisht ekzistojnë lidhje të dobëta mes institucioneve shtetërore dhe atyre private për sa i përket koordinimit në përfshirjen e personave të kualifikuar jashtë vendit, dhe pse ai mund të jetë më i preferuar në aspektin teknologjik dhe infrastrukturor në krahasim me sektorin shtetëror për ambientin më konkurrues dhe meritokratik.
Së treti, procedurat janë të gjata, të paqëndrueshme dhe të kushtueshme për njohjen e diplomave të huaja nga institucionet shqiptare. Mëndej, institucionet kërkimore dhe universitetet nuk kanë mobilizuar dhe fuqizuar programe të përshtatshëm që të shërbejnë si një faktor nxitës përcaktues, nëpërmjet investimit në kërkime, zhvillim dhe inovacion.
Nga një pikëpamje më e gjerë, procedura jo-transparente dhe jo-demokratike për tu promovuar profesionalisht në shoqëri, e bëjnë mjedisin pak konkurrues, sepse shumë elementë të jetës publike mbeten ‘’shumë të mbyllur’’.

Politikat e reja duhet të fokusohen në kontributin e të kthyerve të kualifikuar për rritjen e kapaciteteve të administratës shqiptare në radhë të parë për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian.
"Mbledhja e trurit" duhet të jetë një prioritet për politikën Shqiptare, e cila ndihet pak a shumë e tmerruar nga të kualifikuar të nivelit të lartë që konkurrojnë për postet më të larta të institucioneve. Pikërisht këta politikanë duhet të mësojnë që shqiptarët mund të valorizojnë në vend pasionin, ambicien profesionale, jetën e tyre vetjake dhe  familjare, duke bërë kompromise për motive socialo-familjare, por të dobishme për vendin.
Nga një këndvështrim më optimist mund të pohohet që shqiptarët e kualifikuar vazhdojnë të kthehen me ritëm modest, por të qëndrueshëm. “Shqipëria sot, ka nevojë për mësues, mjekë dhe nëpunës publikë të përkushtuar, që vënë interesin e përgjithshëm mbi të gjitha, të gatshëm për të jetuar e punuar në zonat e thella, ku ka më shumë nevojë për përcjelljen e kulturës”. Duke mos lërë mënjanë dhe vjetërsinë ose profesionalizmin e krijuar nga punonjësit në vend, duhen shfrytëzuar dhuntitë, aftësitë intelektuale, përgatitjen e specializuar, pasionin për punë dhe për t'u shërbyer të tjerëve. Duhet siguruar një bashkëpunim më produktiv me sektorin privat në përfshirjen e kapitalit njerëzor në demokratizimin e shoqërisë.
Shqipëria, sot, ka fatin e pranisë së një pasurie të akumuluar ekspertësh në diasporë që i shërbejnë si një burim i vlefshëm informacioni dhe ekspertize për zhvillimin e vendit, e cila duhet valorizuar. 50 vjet i mjaftuan regjimit për të nxjerrë jashtë loje çdo vlerë që mund të sillte “truri” i lirë shqiptar. 20 vite i mjaftuan “trurit” shqiptar për t’u kalitur lirisht jashtë vendit, duke i shtuar vlerë pranisë shqiptare kudo në botë.
Pra moskthimi në atdhe të atyre që shkollohen, specializohen dhe rriten profesionalisht në vendet e zhvilluara është humbje e panevojshme - përveç se strategjikisht e gabuar - edhe e palogjikshme nga ana etike për zhvillimin shqiptar.

Dorina Patuzi
Afërdita Shani

Lexo edhe: Studentët dhe dilema e kthimit në atdhe

Po deshe të shohësh ferrin miku im,
eja se të çoj unë
Franco Trincale "Ballata di Attilio"


Ka një xham të trashë mes dy botëve. Një xham që ndan të gjallët nga ata që përpëliten mes jetës dhe vdekjes. Ata që dedhin lot e kapen pas shpresës dhe atyre që duket sikur tanimë janë indiferentë ndaj gjithçkaje, ata që nuk njihen më, të mbuluar nga garzat dhe të përshkuar nga tubat. Ai xham nga njëra anë thith emocionet e tronditjen e të gjallëve, ndërsa nga ana tjetër dëgjon vetëm bip biip të monitorëve të atyre që s’kanë as forcën për të marrë frymë pa makineri.

Po të prisja me darkën shtruar, po mbaja gjellën të ngohte se po vonoheshe, si kurrë ndonjëherë. Një sy lajmeve si për të shtyrë kohën. Nga ai aparat katror, doli gjëma, ai më tha se ishe djegur, se s’do ktheheshe kurrë si më  parë, zemër. Askush s’më kishte lajmëruar, unë po gatuaja për ty  teksa mjekët llogarisnin se vetëm 5% e trupit tënd nuk është djegur. Një zë profesional dhe i moduluar po më lajmëronte nga televizori  se flakët të kishin përqafuar para meje atë mbrëmje…

Mos u shqetësoni, mbase do dal nga kjo dhomë xhami. Nuk ndjej asgjë, trupin nuk e ndiej, më është lehtësuar, është bërë si një re tymi, pjesë e atij zjarri që na përfshiu. Po flisnim në ato çaste, nuk di se cili nga ne, mbase dhe po bënim shaka. Duke përfituar që ishim shqiptarë në skuadër, gjuha e nënës na bënte të ndiheshim më shumë në shtëpi. Si është ajo fjala e urtë? Dera e botës nuk është streha e kokës. S’di të them, unë strehën këtu e kisha ndërtuar, me gruan e fëmijët tanë. 1.200 euro më muaj që me orët jashtë orarit bëheshin dhe 1.300. Me kujdesin që kemi në shpenzime, na mjaftonin.

Na thonë që koma farmakologjike ju ndihmon të mos ndieni dhimbje, që përndryshe do të ishin të padurueshme. Jemi veç ne këtu, pranë jush. Burrat pinë duhan përjashta, në oborrin e spitalit.
Sikur bashkë me tymin duan të nxjerrin dhimbjen nga shpirti. Unë s’largohem dot nga ky xham.


O nëna ime, shpresoj mos të të kenë lajmëruar. Unë të kursej çdo lajm të keq, edhe për një rrufë nuk të them. Se e di që drithërohesh. Do shërohem nënë, se ti më pret.

Prindërit, atje në Shqipëri, po luftojnë nëpër dyert e konsullatave italiane për të marrë ndonjë vizë. Nuk di nëse është më mirë t’ju shohin kështu apo të mbeten me kujtimin që kishin nga pushimet e kësaj vere. Përqafimet e buzëqeshja e fundit para se të hipnim në avion. Me pakëz trishtim, me lotët e nënave që na shoqërojnë nëpër aeroporte e që i marrim me vete si hajmali. Lotë të tjera, të rëndë si ortekë dhimbjeje, po ju qajnë tani.


Nuk di se si ndodhi. Një çast e zjarri na përpiu. Nuk largoj dot atë erë të rëndë. Thirrjet e rënkimet. E pra s’ishte një ditë lufte, duhej të ishte një ditë e zakonshme pune. Nuk e kisha menduar kurrë se ishte një punë me rrezik, me kokë në torbë siç themi nga anët tona. Rregullat i dinim, por mbase jo aq sa ç’duhej. Ajo borderò në fund të muajit, e sigurt dhe në kohë, na jepte qetësi. Për të tjerat mbase dikush dinte, po tashmë s’ka shumë rëndësi.

Dikush kalimthi rrëfente se në një zonë të Italisë thonë që “Fogo e acqua boni sèrvi ma cativi paroni”- Zjarri dhe uji shërbyes të mirë por padronë të këqinj”. Këtë herë zjarri u bë padroni juaj, duke ju transformuar brenda pak çasteve në “martirët e Shqipërisë”. Juve, të thjeshtëve, juve, të padallueshmit nga mijëra e mijëra punëtorë të tjerë, juve që hyni në redaksitë e lajmeve vetëm kur ndodh ndonjë fatkeqësi si kjo. Ndoshta do ju presin dhe gazetarët kur të dilni nga kjo kuti xhami. Do jetë një ditë me diell, edhe pse ju mbase nuk do i duroni më dot rrezet e tij.

Diku duhet të ketë mbetur ndonjë gjë nga ajo ç’isha para shpërthimit. Do më njohin fëmijët? Do më përfaqojnë më? Por të paktën, sido që të jetë, një dëmshpërblim të mirë do e marrim e me të do të mund të bëjmë diçka. Një dëmshpërblim të mirë? Harrova për një çast se jam shqiptar dhe jeta ime, kur këputet në punë, vlen shumë më pak se ajo e një italiani. Jeta ime, e ndarë më dysh nga tehu i mprehtë i flakëve, tani e tutje e vyshkur përgjithmonë. Më parë një luledielli që  ndiqte dritën, të ardhmen, tani një kërcell i përcëlluar që mbase do të përfundojë nën tokë…

Irida Cami, Bota Shqiptare 247

Lexo edhe: Shpërthimi në Paderno, kritike gjendja shëndetësore e Leonard Shehut

Vendimi i liberazimit të vizave, i miratuar nga Parlamenti Evropian me 8 tëtor, nuk ka kaluar pa polemika ne mesin evropian. Propozimi i bërë nga deputetja e parlamentit evropian  sllovenia  Fajon Tanja, ishte miratuar nga Komiteti për Liritë Civile më datë 28 shtator. Megjithëse, miratimi formal i fundit do bëhet pas një takimi të ministrave të brendshëm, që pritet për 8-9 nëntorin e ardhshëm, duke i dhënë Shqipërisë dhe Bosnjës të drejtën e hyrjes pa viza në zonën e Shengenit, që përfshin të gjitha vendet e BE-së (me përjashtim të Irlandës dhe Mbretërisë së Bashkuar), si dhe hyrje të lirë në Islanda, Norvegjia dhe Zvicra.

Ndonëse dialogët për liberalizimin e vizave janë zhvilluar në këto dy vitet e fundit, historia fillon që me takimin e Selanikut në qershor të vitit 2003, kur BE deklaroi vendosmërinë e saj për liberalizimin politik të vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke paraqitur udhërrëfyesin e ndarë në katër grupe që u përkasin çështjeve: siguria e dokumentave, emigracioni ilegal, rendi publik dhe siguria, dhe marrëdhëniet e jashtme të lidhura me lëvizjen e personave. Këto janë pikat mbi të cilat u bë e ditur që Shqipëria ka përmbushur një numër të mirë të standardeve, por ende mbetet për të bërë.

Shqipëria dhe Bosnja Hercegovina ishin të vetmet shtete të Ballkanit perëndimor të përjashtuara nga zona Shengen, mbasi BE-ja hoqi vizat për qytetarët maqedonas, malazezët dhe serbë në dhjetorin e kaluar. Mbetet akoma pa përcaktime Kosova, e cila aktualisht nuk është e njohur si Shtet nga pesë vende pjesëtare të BE-së, pra Greqia, Spanja, Qipro, Rumani dhe Sllovaki.
Konkretisht, sa është arritur dhe i mbesin "nderit" ndërkombëtar?

Masa e marrë mbështetet  në tre pika: 1. Çështja e sigurisë; 2. Mirëmbajtje e opinion të lartë ndaj Evropës; dhe 3. Kërkesat në këmbim.

Së pari: Jo gjitha fushat janë me lule! Lajmi, i anashkaluar nga mediat italiane, ndonëse i mbështetur nga ministri Frattini në Parlamentin evropian, është diskutuar më gjatë - nga ana tjetër - në Francë. Për francezët Evropa dëshiron të marrë masa pa konsideruar efektet negative të vendimit. Sipas tyre, duhet shmangur një tjetër situatë si pushtimi i emigrantëve bullgarë dhe rumenë nga viti 2007. Pierre Lellouche, Sekretari i shtetit për çështjet evropiane në Parlamentin francez qetëson bashkatdhetarët duke pohuar që kjo është e gjitha "çështje e sigurisë", pasi të dy shteteve do t'i kërkohen në këmbim garancitë e sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare. Më të shtyra ishin përshkrimet e bëra nga agjencia Transparency International në qershor të vitit 2010, ku thuhej se të dyja vendet janë "një shembull qen kufiri të korrupsionit global, më shumë se çdo vend tjetër i BE-së, dhe se vetë Ruanda dhe Kina. Prandaj është e këshillueshme atakë ato të mbahen pranë. Pra nuk është vetëm një dhuratë diplomatike por një shkëmbim interesash. Arritje e dyanshme.

Së dyti: Evropa mbron rolin e Samaritanit të mirë! "Besueshmëria e Evropës është në rrezik, " dhe "kjo do të forcojë pozitën në rajon",  thanë Tanja Fajon dhe sllovaku Eduard Kukan (propozuesit e rezolutës). Këtu kemi të bëjmë me " kredibilitetin e BE-së", dhe një tradhti e kësaj pritjeje do kishte pasoja negative për vetë Evropën. Nga ana tjetër, Sarah Ludford, një deputete liberale e Britanisë së Madhe, tha që do të ishte një "tradhti i një premtimi solemn i bërë me kohë në qoftë se një Shtet Anëtar do bllokonte masën pasi të dy vendet kanë përmbushur kushtet për aplikimin normal të ligjit, të ndalimit të korrupsionit dhe imigracionit të paligjshëm. Pra Evropa ka nevojë për mbështetje reciproke, dhe nuk mund t'ia lejonte vetes një zhgënjim të tillë. Nderi i shpërndarë. 

Së treti: Bëhet loja Win-Win, ku ka vetëm fitues! Shqipëria ka për të plotësuar akoma disa pika që u përfshinë në dokumentin e vendimit. Kërkesat u përkasin tre parametrave në lidhje me:
1. Zhvillimin e një strategjie dhe politike për të mbështetur ri-integrimin e shqiptarëve që kthehen nga emigrimi;
2. Forcimin e kapaciteteve të zbatimit të ligjit dhe zgjerimin e një kuadri efektiv për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke përfshirë caktimin e burimeve të mjaftueshme njerëzore dhe financiare;
3. Zgjerimin efektiv të një kuadri  ligjor për konfiskimin e pasurive që i përkasin krimit të organizuar.
Siç lexohet, pika e parë i takon politikës brain gain, d.m.th. përfitimi nga të diplomuarit në vendet perëndimore që do ri-integrohen në institucionet shqiptare. Pika e dytë përfshin ato që mbesin nga parametrat e kërkuara më parë për përfitimin e liberalizimit. Dhe pika e tretë kërkon një përforcim institucional duke u hequr pushtetin dhe pasurinë krimit të organizuar, që shumë shqetëson Evropën.  Këtu flitet për një angazhim politik të vazhdueshëm. Pra arritja dhe nderi do të mbështesin njëri tjetrin.

Mbetet për të caktuar sa e dobishme është në realitet për shqiptarët një arritje e tillë. Gjatë këtyre dy viteve publiku ishte i keqinformuar mbi konceptin e lirisë së lëvizjes për turizmin dhe atë të lëvizjes së lirë brenda BE-së për punësim, studim dhe banim të përhershëm. Për këtë erdhi shtytja nga ana evropiane për një fushatë informimi promovuar nga Ministria e Punëve të Jashtme për të ndihmuar shqiptarët që të krijonin një imazh realist lidhur me kuptimin e liberalizimit të vizave. Problemi është që heqja e regjimit të vizave mbart rrezikun e emigrimit për arsye pune nga qytetarët e disa nga zonat më të pazhvilluara të vendit. Pikërisht këta qytetarë,  që kishin pritur të jenë të ligjshëm për punësim ose të kenë privilegje të tjera në BE, përveç që të udhëtojnë të lirë brenda zonës Shengen, (edhe kjo në rast se do të mund të përballojnë udhëtime të tilla), do të pësojnë një zhgënjim të pashmangshëm.

Nëse kombinojmë të gjitha këto elemente së bashku, përbëjmë një lloj teorie të lojës me shumën zero, ku politikat e sigurisë, mekanizmat ekonomikë dhe prirja për të arritur një pjesë të parajsës anulojnë njëra-tjetrën. Megjithatë, përfitimi është i konceptueshëm me reformimet e këshilluara nga Evropa, të dobishme për të gjithë shqiptarët.

Afërdita Shani, Firence

Nëse një i ri shqiptar me moshë  nga 18 deri në 25 vjeç,  jeton në Itali por dëshiron të kthehet në Atdhe, duhet të dijë që mund të përfitojë një mbështetje të vogël, falë projektit Odisseo

Projekti më i fundit për riatdhesimin vullnetar të ndihmuar dhe për integrimin në Shqipëri është Odisseo. I realizuar nga Virtus Italia Onlus dhe Engim Internazionale, i financuar nga Bashkimi Europian dhe nga Ministria e Brendshme italiane, projekti ka për qëllim të ndihmojë 25 të rinj që duan të kthehen në Shqipëri. Ndihma që ata mund të përfitojnë konsiston jo vetëm në biletën e kthimit por edhe në një mbështetje të vogël financiare për familjen, në asistencë legale në Itali dhe Shqipëri, në ndihmë për gjetjen e një sistemimi me strehim, shkollë dhe punë, për ndjekjen e një kursi apo stazhi profesional në atdhe. Me dy fjalë, projekti kërkon të ndihmojë sado pak dikë që pas vitesh në emigrim ka nevojë të integrohet sërish në vendlindje.

Siç shpjegon Dorian Qoli, përgjegjës i projektit për Virtus Italia Onlus, “nuk kemi për qëllim të detyrojmë të rinjtë të kthehen në atdhe. Kush e ka marrë vendimin për t’u kthyer në atdhe, është mirë të dijë që mund të mbështetet te ky projekt”.
Për të marrë informacione mbi projektin është e thjeshtë, mjafton të bëhet një telefonatë në numrin e gjelbër falas 800-034-570.

Praktikisht projekti bëhet me disa faza. Fillimisht i interesuari që bën kërkesë për riatdhesim të ndihmuar thirret për një bisedë. Grupi i punës studion një rrugëtim të posaçëm për realizimin e projektit të riatdhesimit individual. I riu niset për Shqipëri i shoqëruar nga një nga edukatorët që ndjek projektin. Nëse është e nevojshme, personi vendoset fillimisht në një strukturë pritjeje dhe ndihmohet të gjejë një strehim. Pas kësaj, në mirëkuptim mes të interesuarit dhe ndjekësve të projektit, përcaktohet rruga që duhet ndjekur për sistemimin e tij me punë. Mundësitë e ofruara nga projekti janë të shumëllojshme: mund të ndiqet një kurs formimi për gjuhë të huaj, për asistent zyre, informatikë, sekretari ndërmarrjeje, rrobaqepësi, elektroaut, elektricist, mekanik apo marangoz; mund të bëhet një stazh në një prej 100 ndërmarrjet në Shqipëri që bashkëpunojnë me projektin; ose mund jepet një ndihmë për hapjen e një aktiviteti privat.

“Me krizën ekonomike ka nga ata që mendojnë të kthehen. – thotë Dorian Qoli – Është mirë të dihet që Odisseo mund të japë një dorë, që të rikthyerit të mos ndihen të huaj edhe në atdhe”.

Numri i gjelbër 800-034-570; www.progetto-odisseo.it; Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.

Në një emision kushtuar liberalizimit të vizave, ministri shqiptar i Punëve të Jashtme shpjegon se cilat duhet të jenë pritshmëritë e shqiptarëve nga ky vendim, prek temën e pasaportave të reja biometrike dhe rëndësinë e pajisjes me to

Romë 3 nëntor 2010 – Gjatë një interviste dhënë emisionit Shqip të drejtuar nga Rudina Xhunga në Top Channel, ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, preku konkretisht çështjen e pasaportave biometrike për emigrantët.

Pyetjes së dërguar nga një emigrant në redaksi, nëse konsullatat kanë filluar të kryejnë këtë procedurë, ministri iu përgjigj: “Pyetja është më shumë vend. Mund të them vetëm kaq: jemi në një fazë përgatitore. Në ato shtete ku ne kemi përqendrim të madh emigrantësh, duhet të jetë mundësia, duhet të ekzistojë mundësia që aplikimi për pasaportat të bëhet në ambasadat apo konsullatat në këto vende. Mendoj për Italinë dhe Greqinë. Me gjithë përgatitjet që ne po bëjmë, mendoj se nga fundi i vitit do të mund të jemi në gjendje që të fillojë pranimi i aplikimeve për pasaportat biometrike. Në këtë mënyrë emigrantët nuk kanë pse të vijnë në Shqipëri për të aplikuar".

Lexo edhe: Botohet në fletoren zyrtare ligji për pasaportat në konsullata

Ligji botohet në Fletoren Zyrtare më 20 tetor, hyn në fuqi më 4 nëntor, por në ambasadën tonë në Romë ende nuk ka asnje njoftim për fillimin e praktikës së aplikimit për pasaportat biometrike

Ligji nr. 10 322, datë 23.09.2010 “Për ratifikimin e shtesës së kontratës koncensionare “Për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe të pasaportave elektronike” ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe grupimit SAGEM SECURITE dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve”, që i hap rrugën aplikimit për pasaportat biometrike në përfaqësitë konsullore në Itali dhe Greqi është botuar në Fletoren Zyrtare të Shqipërisë nr.140 të datës 20 tetor 2010.

Ky ligj, lexohet në Fletore do të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit, pra më 4 nëntor, por kjo nuk do të thotë se nga ajo datë do të mund të nisin aplikimet për pasaportë në Romë e Milano. I kontaktuar nga Bota Shqiptare, ambasadori shqiptar në Romë, zoti Llesh Kola, thotë se ende nuk ka një lajmërim zyrtar se kur do të nisë procesi dhe si do të zhvillohet ai praktikisht. “Sapo të njoftohem zyrtarisht për datën e nisjes e kësaj praktike – saktëson ambasadori – do të kërkoj të përcaktohen që në fillim kritere të qarta mbi mënyrën e aplikimit, numrin maksimal të mundshëm të aplikimeve në ditë, gjetjen e një rruge të përshtatshme për marrjen e takimeve. Në mënyrë që kush të paraqitet për aplikim në Milano apo në Romë të mbarojë punë menjëherë dhe njëkohësisht të mos ketë dyndje njerëzish e radhë në dyert e konsullatave”.

Lexo edhe: Pasaporta e letërnjoftimi në konsullatë. 100 euro për njeri

 

Artikuj te tjere...