Tema mërgimi - Shqiptari i Italisë

Emigrantët do të mund të aplikojnë për pasaportë në Romë e Milano kundrejt një çmimi prej  85 eurosh, ndërsa për letërnjoftimin elektronik do të paguajnë 10 euro. E ka deklaruar zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni

Tiranë 14 shtator 2010 - Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut ka miratuar sot  Projektligjin “Për ratifikimin e Shtesës së Kontratës Koncensionare Për Prodhimin dhe Shpërndarjen e Kartave të Identitetit dhe të Pasaportave Elektronike”, kontratë e lidhur mes Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë, Grupimit të Sagem Securite dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve. Zv/Ministri i Brendshëm njohu anëtarët e komisionit me përmbajtjen e këtij projektligji, sipas të cilit parashikohet hapja e zyrave të pajisjes me dokumente identiteti (letërnjoftim elektronik dhe pasaportë biometrike), pranë zyrave konsullore shqiptare në Athinë, Selanik, Romë dhe Milano. Kostoja e pasaportës biometrike të kërkuar në një nga këto përfaqësi konsullore do të jetë 85 euro, ndërsa e letërnjoftimit 10 euro.

Në prezantimin e projektligjit, zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni ka theksuar se për ta bërë këtë sistem sa më të sigurt, veç të tjerash, është dashur një investim shtesë prej 3.5 milion euro.
Sipas këtij projektligji, çmimi që emigrantët shqiptarë do të duhet të paguajnë për pajisjen me dokumentat e reja është 10 euro për letërnjoftimin elektronik dhe 85 euro për pasaportat biometrike.
Zv.ministri i Brendshëm u shpreh se "në kushtet e sotme të shërbimit, çmimi që duhet të paguanin qytetarët shqiptarë për pajisjen me pasaportat e vjetra për jashtë shtetit, ishte shumë më i lartë se çmimi i caktuar në projektligjin e sjellë sot në komisionin e Ligjeve. Interesi ynë është që qytetarët shqiptarë të paguajnë sa më pak të jetë e mundur për pajisjen me këto dokumenta".

Ky projektligj, që fillimisht parashikon hapjen e zyrave të aplikimit në Itali dhe Greqi, le të hapur mundësinë që në vazhdim të këtij procesi dhe në varësi të funksionimit të tij, të shihet mundësia e hapjes së zyrave të aplikimit edhe në vend të tjera të botës, pa përjashtuar edhe ShBA.

Sipas Ponit, "çmimi që emigrantëve shqiptarë do t'u duhet të paguajnë nëse aplikojnë pranë zyrave të aplikimit në Athinë, Selanik, Romë e Milano është shumë më i ulët se sa do t'u kushtonte po të vinin e të aplikonin në Shqipëri".

Në këto 4 zyra, mund të aplikojnë të gjithë shtetasit shqiptarë, pavarësisht vendeve ku punojnë e jetojnë, mjaft të figurojnë në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.

Komisioni i Ligjeve i Kuvendit popullor miraton projektligjin për hapjen e zyrave për pajisjen me pasaporta biometrike dhe letërnjoftime elektronike në Greqi dhe në Itali (Romë dhe Milano) për emigrantët shqiptarë

Tiranë 14 shtator 2010 - Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut ka miratuar sot  Projektligjin “Për ratifikimin e Shtesës së Kontratës Koncensionare Për Prodhimin dhe Shpërndarjen e Kartave të Identitetit dhe të Pasaportave Elektronike”, kontratë e lidhur mes Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë, Grupimit të Sagem Securite dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve. Zv/Ministri i Brendshëm njohu anëtarët e komisionit me përmbajtjen e këtij projektligji, sipas të cilit parashikohet hapja e zyrave të pajisjes me dokumente identiteti (letërnjoftim elektronik dhe pasaportë biometrike), pranë zyrave konsullore shqiptare në Athinë, Selanik, Romë dhe Milano.

pasaportë biometrikePërsa i përket shërbimit të pajisjes me dokumente identiteti në Përfaqësitë Diplomatike Shqiptare parashikohet që të ketë 600  aplikime në ditë. Sipas tekstit të miratuar sot, punonjësit e autorizuar të ambasadës do të jenë ata që do të ndjekin proceset e aplikimit, certifikimit të të dhënave dhe shpërndarjes së dokumenteve. Ndërsa trajnimi, shërbimi dhe supervizioni do të ofrohen nga Aleat sh.p.k.
“Hapja e këtyre zyrave”, ka shpjeguar zv/Ministri i Brendshëm, “do t’u krijojë lehtësi për emigrantët shqiptarë që jetojnë në Itali dhe Greqi për t’u pajisur me këto dokumente identiteti”.
Po ashtu, shtesa në kontratën e miratuar synon rritjen e kapacitetit prodhues për pasaportat biometrike deri në 6 mijë pasaporta në ditë, pajisjen me dokumente identiteti për shtetasit shqiptarë që jetojnë në emigracion, refugjatët, si dhe parashikon procedurat e pajisjes së përshpejtuar me dokumente identiteti për rastet emergjente.

Opozita ka abstenuar votimin e projektligjit, ndonëse ka deklaruar që në fillim se është parimisht dakord me ligjin. Gjatë fjalës së tij, deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj ka deklaruar se opozita e ka kërkuar prej kohësh një ligj të tillë. Por ai në emër të PS-së ka kërkuar sqarime lidhur me koston që do të pasojë këtë vendim. "Ne do të votojmë pasi të na jepni sqarime për koston"- ka thënë ai 

Miratimi në Komision i këtij projektligji është vetëm një hap i parë, pasi deri në hapjen konkrete të zyrave të aplikimit në Milano e Romë (nuk jepet asnjë sqarim pse nuk parashikohet aplikimi edhe në konsullatën e Barit) do të kalojnë javë të tjera pasi ende nuk ka një rregullore të miratuar mbi procedurat konkrete që do të ndiqen, çmimin që do të kenë dokumentet dhe brenda sa kohe do të lëshohen nga çasti i kërkimit.

Lexo edhe: Pasaportat: 85 euro në Milano dhe në Romë

 

Falimentimi i mundshëm i Star Airways është  paralajmëruar që para se kjo kompani e re private shqiptare e fluturimeve të merrte licencën. Sapo u mësua që pas shoqërisë shqiptare Star Airways, fshihej në fakt një emër i njohur i shoqërive ajrore të falimentuara, italiani Vincenzo Soddu.

Njëmijë pasagjerë në Rinas e qindra të tjerë në Romë, Pisa e Treviso që prej katër ditësh nuk ia kanë ndarë sytë qiellit me shpresën që të shihnin avionin e tyre Star Airways (lexo ItAli), tashmë nuk kanë më asnjë shpresë. Që prej 3 shtatorit asnjë avion i shoqërisë shqiptare me partnerë italianë nuk është ngritur në qiell. E, si pasojë, as ka zbritur.

Pa shpresë nga qielli, në kaosin e ditëve dhe netëve në aeroport, pa asnjë informacion nga kompania ajrore, pasagjerët e zemëruar u janë drejtuar mediave. Drejtuesit e aviacionit civil shqiptar kanë dalë para shtypit duke deklaruar se “kompanisë ItAli do t'i hiqet licenca e operimit në Shqipëri si përgjegjësja kryesore e kaosit të krijuar”.

I zhdukur pa lënë gjurmë prej ditësh, me sitin internet që ende pranonte prenotime por me telefonat shurdhuar, Star Airways është bërë i gjallë pas katër ditësh heshtjeje, veç pas komunikatës së Aviacionit Civil duke shpallur formalisht pezullimin e fluturimeve. “Siç e keni mësuar nga shtypi, autoritetet shqiptare kanë pezulluar operacionet e ItAli-t duke u hequr të drejtën e fluturimeve. Operacionet e transportit të pasagjerëve pezullohen si pasojë”. Praktikisht: si pasojë e pezullimit, pezullojmë fluturimet që kishim pezulluar pa asnjë shpjegim që para pasojës. E me këtë u kanë lënë fajet  në derë aviacionit civil shqiptar e biletat e pavlefshme në dorë mese 1000 pasagjerëve të cilët kanë gjetur rrugë të tjera për t’u kthyer në Itali. Kush me traget (edhe aty i ka pritur ankthi i orëve pa fund të vonesave) e kush ka mundur të prenotojë me linjat e tjera (Belleair e Alitalia nuk kanë më vende për Rome, psh, deri më 12 shtator.)

Star Airways premton se pas 9 shatorit do t’i verë në vend punët e do të fillojë sërish fluturimet. Por edhe në ndodhtë, pas situatës së krijuar, pakkush do të guxojë të niset sërish me një avion Star Airways. Apo ItAli.  Janë dy faqe të së njëjtës monedhë. Dhe  lënia në  tokë e qindra pasagjerëve është shenja e parë e fillimit të  një praktike që kujton të tjera aventura ajrore që përfundojnë gjithnjë me falimentim. I cili lë pas bileta të shitura e të  parimbursuara e borxhe pa fund  në taksa e në kredi.  Me ligjet e sotme italiane mbi falimentimin sipërmarrësve nuk u hyn gjemb në këmbë. Derisa të fashitet skandali e të hapin një tjetër kompani fluturimi që ndjek të njëjtën praktikë.

Nuk janë spekulime, pasi falimentimi i mundshëm i Star Airways është  paralajmëruar që para se kjo kompani e re private shqiptare e fluturimeve të merrte licencën. Sapo u mësua që pas Star Airways, (shoqëri shqiptare nën pronësinë e një sipërmarrësi kavajas me emrin Gjergj Krali) fshihej në fakt një emër i njohur i shoqërive ajrore të falimentuara, Vincenzo Soddu.

Soddu. ish pilot solist i  Frecce Ttricolori, flota akrobatike e Aeronautica Militare Italiana, e ka lënë avionin si pilot, për t’i hyrë biznesit si sipërmarrës shoqërish ajrore: është ndër themeluesit e Alpi Eagles, së cilës  i hiqet licenca nga Enac, enti i aviacionit civil italian. Në vitin 1997 bëhet aksionist administrator i përgjithshëm i Volare. Pas shumë vonesash, mospagime taksash e parregullsi në bilanc shoqëria merr pikiatën drejt falimentimit dhe Soddu arrestohet. Pikërisht ndërsa Volare përplaset përfundimisht duke lënë pas miliona borxhe, lind një tjetër shqoëri që do të plandoset edhe ajo me zhurmë, MyAir.

Soddu deklaron se nuk ka të bëjë aspak me MyAir por gazeta të ndryshme gjejnë lidhjet e tërthorta mes tij dhe të birit të tij në MyAir. Edhe MyAir shkon drejt falimentimit: mbetet në tokë përfundimisht më 21 korrik 2009 duke lënë me gisht në gojë mijëra pasagjerë që kishin prenotuar pushimet e në kaos gjysmën e aeroporteve italiane. Me 21 korrik, Enti i aviacionit civil italian Enac i pezullon licencën MyAir (i njëjti veprim që kryen dje Aviacioni civil shqiptar  ndaj ItAli). MyAir falimenton. Duke lënë pas një borxh prej 150 milionë eurosh. Dhe këtu hyn në lojë Star Airways.

E nxjerrë në ankand, oferta me e veçantë që mbërrin në Gjykatën e Vicenzas për të blerë shoqërinë e falimentuar MyËay vjen nga një shoqëri shqiptare, Star Airways. Me një fidejuksion bankar prej 22 milionë eurosh, shoqëria shqiptare kërkon të blejë MyAir-n. Por Gjykatësi e hedh poshtë kërkesën duke e konsideruar të pamjaftueshme shifrën përballë borxhit të krijuar. Star Airways atëherë kërkon vetëm të marrë me qera operacionet dhe mjete. Duke ofruar 9 milionë euro. Por edhe këtë gjykatësi e hedh poshtë.

Ç’është kjo Star Airways, dalë nga hiçi, e formuar veç në qershor 2008, që ka emrin e një kompanie ajrore, dhe licencën në marrje e sipër, por asnjë mjet, asnjë personel, e asnjë kontratë me aeroportet? Shtypi italian fillon të hetojë dhe gjen pa vështirësi që pas saj fshihet i njëjti emër, Vincenzo Soddu. Një artikull i Corriere della Sera i 3 shkurtit të kaluar gjen me lehtësi se pas shoqërisë që kishte dashur të blinte MyAir-in e Soddut fshihet vetë Soddu i cili asokohe gjendej në Shqipëri, e që, njëkohësisht  “ka qenë në Venecia në shoqërinë e njëfarë Valer Hoxha”. (Ky i fundit, për shqiptarët, nuk është i panjohur siç është për  gazetarin e Corrieres: është një nga njerëzit kyç të Albatros-it, shoqëria ajroje e nipërve të ish presidentit Moisiu, e falimentuar pas kërkesës nga ana e aviacionit civil për pagimin e taksave në Tiranë, dhe në qendër të një skandali të korrupsionit të drejtorit të atëhershëm të aviacionit civil. Por kjo është tjetër histori).

Star Airways është “një shoqëri e grupi Krali”. Kështu paraqiten, edhe pse “Grupi” nënkupton një sërë biznesesh. Pronari i kompanisë Gjergj Krali (emër thuajse i panjohur për publikun e gjerë, përveç një parantezë si dëshmitar në gjyqin për kontrabandë ndaj Mihal Delijorgjit pasi një anije e Kralit ka kryer operacionet e transportit. Por nuk ka gisht në kontrabandën për të cilën akuzohet njeriu i Gërdecit). Krali është në thelb një spedicioner transportesh detare, e ka nisur biznesin më 1997 me një fabrikë dyshekësh, e më pas ka blerë një nga një tri anije mallrash, Eldore I, II dhe III. Transport detar, derisa në maj 2008, pa asnjë përvojë në sektor, pa personel e pa mjete, themelon shoqërinë ajrore. Megjithë vështirësitë e një tregu si ai i transportit ajror të pasagjerëve, arrin të marrë, më 15 qershor 2009 edhe të paarritshmen AOC- Air Operation Certificate. Ia njeh edhe ENAC italian. Tash i duhen veç avionët dhe personeli.

Avionët dhe gjithçka i siguron ItAvi. Një shoqëri charter. Sapo avionët e parë të Star Airways nisin fluturimet,  shumëkush vërejti se nuk kishte asgjë prej Star Airways në aeroport. Pasagjerët e kanë të vështirë të gjejnë edhe sportelin pasi në aeroport shënohet ItAvi. Në një udhëtim (paralajmërues) të kryer nga kush shkruan,- disa javë më parë nga Roma drejt Tiranës, avioni MD-80 kishte Star Airways të shkruar në bisht jashtë, ItAvi në tërë tabelat e brendshme dhe uniformat e personelit, dhe ngjyrat e ndenjëseve ende jeshile të Alitalia-s së cilës ItAvi duhej t’ia kishte blerë dikur atë avion.  StarAirways shqiptar ofron  licenca ajrore dhe certifikatat, ItAvi  operativitetin dhe avionët. Të dyja bashkë një sipërmarrje të dyshimtë prapa së cilës ngrihet hija e njërit prej specialistëve të falimentimeve të shoqërive ajrore. Që nisin, të gjitha, me lënien në tokë pa shpjegime të qindra pasagjerëve.

r.s.
Shqiptari i Italisë

Lexo edhe: Star Airways pezullon zyrtarisht fluturimet

 

Rumunët janë një popull i vuajtur, ashtu siç janë dhe shqiptarët apo popuj të tjerë ballkanikë. Rumunët janë një popull që, si çdo tjetër, ka bindjet e veta, mangësitë, por ajo që i karakterizon ata, dhe që nuk është kuptuar në Itali, është respekti që kanë ndaj të tjerëve dhe rregullave në përgjithësi.

Reportazh nga Afërdita Shani

Për të kuptuar një popull ose për të njohur një Shtet, sipas shkrimtarëve, nuk mjaftojnë vite të tëra. Por unë mbasi kam jetuar tre muaj në Bukuresht, ndiej të paktën shtysën për një përgënjeshtrim të  përshtypjeve, shpeshherë të gabuara ose të ekzagjeruara, që informacioni italian na ofron për këtë popull; ashtu siç ishte për shqiptarët disa vite më parë. Çfarë është më e gabuar se sa t’i veshësh cilësi keqbërësish 22 milionë banorëve, apo t’i konsiderosh gabimisht të gjithë të etnisë rome? Në fakt, vetëm 2,5% e tyre i përkasin me të vërtetë kësaj etnie, dhe sjelljet e këtyre të fundit në Romani janë qytetare, pa krijuar problematika të veçanta.
Qëndrimi atje ishte për motive pune e shkolle, mundësi që të jep dega e studimeve në fushën ndërkombëtare. Puna ime kishte të bënte me fushëveprimin e agjencive italiane për konsulencë financiare mbi investimet ose shpërnguljet e tyre në shtetet me krah pune me kosto më të ulët siç është Rumania.

Sa larg dhe sa afër shtëpisë-mëmë
Kur kam ardhur për herë të parë në Itali, për të afirmuar që ndihem në shtëpinë time më janë dashur shumë kohë. Ndërsa situata e ndryshme në Rumani më bëri të ndihem në shtëpinë time mbas vetëm pak ditësh. Kjo ndjesi lidhet me mundësitë e jetesës së përditshme: sa dhe çfarë mund të bësh, si mund të veprosh dhe nga ajo që dëshiron por nuk arrin të bësh. Një i huaj vendoset menjëherë në nivelet e larta të shtresës shoqërore, dhe si pasojë, fiton një trajtim special nga njerëzit në jetën e përditshme, pavarësisht nga mangësitë në komunikim. Rumania, nga njëra anë, është afër kulturës shqiptare në sistemin e komunikimit, në disa gjykime shoqërore dhe në vuajtjen e mungesave të krijuara nga historia. Në një këndvështrim më të thelluar, ajo që mungon janë disa bindje qytetare që kanë të bëjnë me sjelljen e përditshme (siç është thjesht mënyra se si ecin rrugëve), që me shikim të parë është në kontrast me atë që jemi mësuar të shohim në Itali dhe që të demonstron që ndodhemi në një nga vendet e Evropës së Lindjes.
Por këto janë hollësira pa vlerë, sepse ajo që i ofron Rumania një studenti,  normalisht, është e pakrahasueshme me atë që unë mund të kërkoj në Itali në lidhje me mënyrën dhe nivelin e jetesës dhe me nxitjet rinore. Në Rumani, shpeshherë e quanim veten “Pasha”, sepse i lejonim vetes komoditete që në Itali do ishin të pamundura për një student. Mund të frekuentosh lokalet më të famshëm, restorantet më në modë, Teatrot kombëtar dhe ndërkombëtar, Atenetë muzikorë, madje dhe koncertet e shpeshta me këngëtarë me famë ndërkombëtare me çmime biletash më të leverdishme. Paga mujore e një punonjësi mesatar rumun rrallëherë i kalon 400 euro ne muaj, kështu që një rrogë bazë mujore prej rreth 500 eurosh të premton të bësh të ashtuquajturën jetë pashai. 
Nuk mungojnë dhe ato gjërat që vrasin sytë e një të mësuari me jetesën në perëndim, siç janë  dështimet e një civilizimi akoma të munguar. Në lidhje me papastërtinë e qytetit dhe të disa banorëve, me mungesën e rregullave në disa kënde të qytetit, me sjellje (për ne) të paqytetëruara siç është ecja rrugës me bust të zhveshur, ose t’u lejosh fëmijëve të bëjnë banjë në lumenjtë e ndotur të qytetit. Këto gjëra, të konsideruara si cilësi pozitive të zhvillimit në vendet perëndimore, në vendet si Rumania vijnë si pasojë e varfërisë dhe e mungesës së zgjedhjes alternative. 

Kush janë rumunët

Kur nisesh për në Rumani, rumunët që njeh të porosisin të kesh kujdes nga bashkatdhetarët që janë të uritur për para, dhe që do të të vjedhin sapo ta kenë të mundur. Pra të këshillojnë, se pari, të jesh i kujdesshëm nga mashtrimet, madje të ofrohen si ndërmjetës, duke qenë se mashtruesit sprapsen po dëgjuan dikë që flet gjuhën e tyre. Po pse një rumun flet bindshëm kaq negativisht për bashkatdhetarët?
Në vendet që vuajnë padrejtësi sociale dhe të ashtuquajtur “në zhvillim e sipër”, që përjetojnë problemin e mungesës së sigurisë për çmimet e konsumit të përditshëm dhe të kontrollit të inflacionit, nuk është e çuditshme të mbesësh viktimë e mashtrimeve me çmimet. Në vende si Rumania apo dhe Shqipëria, ka nga ata që mendojnë se të “huajt” kanë një jetë më të mirë, të mbushur me mallra të ndryshme konsumi dhe me sasi parash të konsiderueshme. Bindje që në mënyre arrogante do t’i shtyjë ata të pretendojnë çfarëdolloj ndihme, edhe të pamerituar por të drejtë sepse pabarazia e një vendi me tjetrin është e madhe, dhe rezultati i fundit do jetë rritja e çmimeve në çast dhe servilizmi i sjelljes normale për të arritur objektivin.
Për të parandaluar këtë sjellje të bashkatdhetarëve, dhe për të përmirësuar  famën e tyre në sytë e një të huaji, rumunët që njeh përpiqen të paralajmërojnë, të ndërhyjnë për të shmangur paragjykimin. E vërteta është se rumunët janë një popull i vuajtur, ashtu siç janë dhe shqiptarët apo popuj të tjerë ballkanikë. Tani, ata më shumë se kurrë vuajnë inferioritetin ndaj evropianeve edhe pse janë pranuar në BE, vuajnë paragjykimet në Itali dhe paaftësinë e klasës politike në vendin e tyre. Ata janë të zemëruar me bashkëkombësit që u japin famë të keqe jashtë vendit, duke e bërë sjelljen e tyre brenda vendit të jetë e mbushur me bujari dhe respekt ndaj të huajve.
Një shembull konkret: kur një i huaj i kërkon një rumuni një çfarëdolloj ndihme, ai  do ta marrë si prioritet ofrimin e shërbimit, dhe çfarëdolloj dështimi do ta bëjë të ndihet i  paaftë. Nga ana tjetër, po e gjykoi ndihmë që i kërkohet jashtë rregullave, ose mundësive të tij, do ta injorojë krejtësisht dhe do t’i drejtohet me arrogancë kërkuesit.
Kur arrita në apartamentit tim dhe nuk funksiononte interneti, një fqinj më ofroi falas kodin e përdorimit të linjës së vet internet wireless dhe refuzoi shpërblimin me para që i ofrova. Në një moment tjetër, kur e kuptuan që ishim një grup i huaj për vizitë tek një monastir, na ofruan simite dhe ëmbëlsira si shenjë e mirënjohjes së tyre. Përkundrazi, ata e demonstrojnë agresivitetin shoqëror në çaste kur shoferi i autobusit më bllokoi dy orë sepse gjykonte të parregullt ndaljen e tij kudo për të hapur porta-bagazhin ku unë kisha valixhen, pavarësisht se po e lusja sepse kështu do humbisja trenin; ose një ditë tjetër kur shoferi i autobusit mbylli derën pa mëshirë për pleqtë që po vraponin për ta kapur atë, thjesht sepse ata ishin jashtë orarit.
Na përgjithësi, rumunët janë ata që po u kërkove një informacion ose këshillë, do të të shoqërojnë deri sa të të zgjidhin hallin duke e ndier atë si problemin e tyre dhe duke ngulur këmbë me ndërhyrjen e tyre; por nga ana tjetër, janë ata që po pritën diçka nga ty, do të të telefonojnë pa fund, pa durim ose respektim orari. Por janë një popull që, si çdo tjetër, ka bindjet e veta, mangësitë, por ajo që i karakterizon, dhe që nuk është kuptuar në Itali, është respekti që ka ndaj të tjerëve dhe rregullave në përgjithësi.
(vijon)

Lexo edhe: Integrimi në Rumani / 2

Për të kuptuar një popull ose për të njohur një Shtet, sipas shkrimtarëve, nuk mjaftojnë vite të tëra. Por unë mbasi kam jetuar tre muaj në Bukuresht, ndiej të paktën shtysën për një përgënjeshtrim të  përshtypjeve, shpeshherë të gabuara ose të ekzagjeruara, që informacioni italian na ofron për këtë popull; ashtu siç ishte për shqiptarët disa vite më parë.

Reportazh nga Afërdita Shani


Bukureshti, kryeqytet evropian me shije ekzotike-ballkanike
Për çudi mbulova që sipas një legjende, dhe sidomos sipas Wikipedia-s, qyteti është themeluar nga një çoban me origjine shqiptare i quajtur Bukur, nga i cili rrjedh edhe emri. Sapo arrin në qytet, përveç hapësirave të pamatshme të stilit komunist, dhe parqeve të gjelbra që rrethojnë daljen e një pjesë të qytetit, të pushtojnë sytë kabllot e zinj  elektrikë që mblidhen bashkë dhe rrethojnë ndriçimin e rrugëve. Prania e tyre “nxin” në njëfarë mënyre të gjithë qytetin, që bashkë me blloqet e errët çiausheskiane e paraqesin qytetin të vrenjtur. Por mjafton të shkosh drejt qendrës së tij dhe atmosfera e sipërpërmendur do të kryqëzohet me stilin e erës se konsumimit, të shesheve njujorkeze, duke u paraqitur si një qendër tregtare aktive, mbushur me publicitete dhe pankarta të firmave të mëdha, shoqëruar me ekrane televizive të ndezura 24 orë në ditë, muzikë me volum të lartë duke ia hequr kështu kryeqytetit rumun atë shijen komuniste. Por nuk mjafton kaq, kontrasti dhe pasioni i qytetit do të marrë jetë me skenat e vuajtjes së lypësve dhe fatzinjve të shtrirë anëve të rrugëve, sikur të ishte një qytet indian, (një grua e verbër, një tjetër lebrose, një pa këmbë, fëmijë të braktisur etj etj).

Ajo që nuk kuptohet nga paraqitja e parë është jeta e përditshme në Bukuresht, e përzier me një model evropian, një tjetër akoma tradicional dhe nga një frymë ballkanike e thellë dhe e mbuluar. Gjatë ditës, qyteti u ofron të gjitha moshave aktivitete nga më të ndryshmet në parqet e shumta që e rrethojnë atë. Nata e të rinjve dhe jo vetëm, është shumë e gjallëruar dhe e këndshme nga prania e lokaleve nga më të ndryshmet në të gjitha anët e qytetit, me çmime gjithashtu të leverdishme. Veçantia është mikstura shumëkombëshe e lokaleve, nga Ballkani, Evropa, Azia dhe, madje, Afrika, për të përfunduar me ato vendase. Disa zona të qytetit të vjetër, të denigruara nga regjimi komunist, por që përfaqësojnë të kaluarën e me stile te ndryshme, nga ato romake, otomane dhe franceze, tani rrisin tërheqshmërinë e qytetit dhe i japin atij një frymë historike që aq shumë e dëshirojnë evropianët. Diskotekat e ndryshme të vendosura ne zonat e gjelbra të qytetit janë të mbushura çdo ditë të javës përgjatë të gjithë vitit. Me një rrogë bazë nga 400 euro në muaj mund të frekuentosh një sasi të madhe veprimtarish që ofron qyteti, dhe ajo qe e bën të mundshëm gjithë këtë gjallëri është shërbimi i transportit publik, sidomos taksimeve me 30 cent/km, që mundësojnë lëvizjen e shpejtë në një qytet kaq të madh me më shumë se 2 milionë banorë, që e minimizojnë atë parregullsi ose papastërti të projekteve jo-unitare që krijojnë rrëmujë dhe e bëjnë Bukureshtin qytet të pakualifikuar, duke i dhënë një shije krejt tjetër nga ajo që mund të perceptohet fillimisht. Jo më kot Bukureshti është bërë një nga qendrat tregtare të zonës (me një ritëm zhvillimi prej 5% në vit pavarësisht nga kriza). Falë investimeve të huaja, punonjësve të shkolluar dhe të vlerësuar, Bukureshti është gjithmonë në lëvizje me një rritëm modern të punësimit dhe të jetesës.

Rumania dhe Evropa
Me hyrjen në Evropë, rumunët kanë realizuar një ëndërr të dëshiruar nga shumë kohë. Përfitimet më të mëdha kanë të bëjnë me sigurimin e një kulture më të gjerë nga ajo e vendit, e një civilizimi dhe sigurie jetese për kohë të gjatë, dhe të një rruge të sigurt drejt modernizimit total. Por aspektet negative bëhen gjithmonë e më të dukshme te rritja e inflacionit, e papunësisë me krizën e tanishme, dhe te zhgënjimi nga pritshmëria e një integrimi më të shpejtë në rangun e të tjerëve dhe të një pranimi si valltarë të të njëjtës valle që është Evropa.

Ata e ndiejnë keqbesimin e Evropës ndaj tyre. Ne mendjen e një rumuni, e mira e Evropës është vetëm në famë, ndërsa mangësitë janë akoma reale. Një prezantim tek rumunët si i ardhur nga Italia, zgjon tek ata një adhurim të pamotivuar dhe respekt të menjëhershëm të përzier me pak siklet që vjen nga vlerësimet që mediat i qëndisin rumunit tipik. Përkundrazi, një prezantim si i rritur në Shqipëri krijon tek rumunët një lloj dhembshurie për fatin e keq të përbashkët, por, në të njëjtën kohë, zhduk atë interes natyral për një kulturë më të vlerësuar se e veta.

Në një konsideratë, në vija te trasha, kjo të bën të afirmosh që ata ndihen më shumë ballkanikë se sa evropianë. Kjo lind edhe nga vlerësimi i ulët që rumunët kanë ndaj  përfaqësimeve dhe institucioneve qeveritare, nga mungesa e një shoqërie të zhvilluar në mënyrë civile dhe moderne. Akoma më i qartë paraqitet ky fenomen social, po të mbajmë parasysh se për femrat rumune arritja më e madhe në dashuri është lidhja dhe martesa ma një italian apo më në përgjithësi një shtetas të Evropës perëndimore, pa llogaritur si prioritet personalitetin i këtij apo karakterin, pasi, sipas tyre, kultura që ky do të ketë do të jetë padyshim krejt ndryshe nga ajo e meshkujve vendas.

Dëmi më i madh që mund t’i bëhet një kulture është paragjykimi, përsëritja e një dogme ose kriteri për të gjitha përkatësitë e të njëjtit komb pa njohur cilësitë e brendshme të tij. Krijimi i bindjeve të gabuara vjen në mënyrë të pavetëdijshme, thjesht nga përsëritja e përditshme e të njëjtave situata dhe fjalë që mbysim gjykimin e shëndoshë e personal. Një ndjenje sikleti u krijua tek unë në çastin kur zgjodha Rumaninë për eksperiencën time, ndjenje që hodha poshtë bashkë me ndërgjegjen e fajshme që kishte krijuar, sapo arrita atje.   

Lexo edhe: Integrimi në Rumani / 1

ItAli-Star Airways, me një komunikatë të sotmen në sitin e saj nuk u jep përgjigjet e duhura pasagjerëve të lënë në tokë, madje vazhdon të tallet me ta: “Autoritetet shqiptare na kanë hequr të drejtën e fluturimit ndaj kemi pezulluar fluturimet”. Ndërkaq, Zyra për mbrojtjen e konsumatorëve i ka drejtuar sot ministrisë së Transporteve një letër me të cilën i kërkon ngritjen e “një tryeze të rrumbullakët ku të trajtohet në vazhdimësi situata e rëndë e trajtimit të pasagjerëve shqiptarë në linjat e transportit ajror dhe detar si dhe situata kaotike e transportit ndërkombëtar rrugor”

Romë 7 shtator 2010 – Situata e rëndë e trafikut ajror mes Italisë dhe Rinasit e krijuar veçanërisht ditët e fundit për shkak të anulimit e pas të pezullimit nga Drejtoria e Aviacionit Civil Shqiptar të fluturimeve të kompanisë ItAli/Star Airways, ka shtyrë zyrën e mbrojtjes së konsumatorëve t’i shkruajë sërish brenda pak ditëve ministrisë së Transporteve duke i kërkuar këtë herë ngritjen e një tryeze të rrumbullakët për zgjidhjen e problemeve që pasagjerët shqiptarë “hasin në transportin ndërkombëtar ajror, detar e tokësor”.
Dhe siç dëshmojnë edhe letrat e telefonatat e arritura në redaksi gjatë këtyre ditëve të fundit, pasagjerëve të ItAli-Star Airways, jo vetëm që iu desh të gjenin e të paguanin sa më shpejt një udhëtim të ri për t’iu kthyer vendeve të punës në Itali apo për të shkuar në atdhe siç e kishin parashikuar, deri më sot nuk kanë arritur të kenë asnjë sqarime nga kompania ajrore, aq më pak ndonjë lloj dëmshpërblimi.

Sot, ndërsa në telefon vazhdon të mos përgjigjet kush, në faqet internet starairways.it lexon komunikatën: “I dashur pasagjer, siç keni mësuar nga lajmet e mediave shqiptare, autoritetet shqiptare kanë pezulluar operimet e ItAli Airlines-it duke na hequr të drejtat e trafikut. Operacionet e transportit të pasagjerëve për rrjedhojë janë të pezulluara. Jemi në kontakt me autoritetet aeronautike shqiptare për të gjetur një zgjidhje të përbashkët që të kënaqë nevojat e pasagjerëve. Aktualisht kemi pezulluar shitjet dhe anuluar udhëtimet deri të enjten më datë 9 shtator. Programi i ditëve të ardhshme është akoma operativ në pritje të një zgjidhjeje përfundimtare që do t’ju komunikohet brenda 24 orëve. Përshëndetje. Star Airways”. Por e vërteta është që autoritetet shqiptare i hoqën të drejtën e fluturimit kompanisë për shkak të problemeve që ajo u krijoi pasagjerëve, për shkak se i la ata në tokë pa u dhënë asnjë shpjegim. Heqja e të drejtës së fluturimit është pasojë dhe jo shkak e anulimit të fluturimeve, siç mundohet të justifikohet në komunikatë ItAli. Madje në komunikatë nuk thuhet diçka e rëndësishme për pasagjerët: si dhe kur do të dëmshpërblehen të gjithë ata që mbetën me biletën e Star Airways-it në xhep pa fluturuar me avionët e saj, që humbën ditët e punës, që mbetën aeroporteve për orë e ditë me radhë?

ZMK vlerëson pozitivisht reagimin e autoriteteve shqiptare duke i hequr licencën e fluturimit në Shqipëri kompanisë ajrore ItAli-Star Airways, por në të njëjtën kohë kërkon që të ndiqet kjo çështje për t’u zgjidhur problemin qindra pasagjerëve që nuk arritën të udhëtonin por që as nuk janë dëmshpërblyer “sipas detyrimeve ndërkombëtare të IATA- (shoqata ndërkombëtare e transportit ajror) apo legjislacionit shqiptar”.
Në letrën e sotme ZMK rendit të gjitha problemet e hasura së fundi nga pasagjerët shqiptarë, nga shitja e biletave mbi kapacitetin e tyre në transportin detar duke i detyruar pasagjerët të qëndrojnë në kushte shumë të vështira (gjatë periudhës së gushtit), mosrespektimi i afateve dhe orareve, madje edhe vendmbërritjes, mbajtja e pasagjerëve në porte e aeroporte me orë të tëra pa u dhënë asnjë sqarim, e deri te mashtrimi me çmimet e biletave përmes reklamave mashtruese, moskujdesja për zgjidhjen e problemeve që vetë u shkaktojnë sidomos në raste kur humbin bagazhet, kur krijohen probleme teknike me kompjuterët apo kur neglizhenca e personelit shkakton probleme me pasagjerët në aeroporte. Të gjitha këto “pa respektuar detyrimet e legjislacionit shqiptar dhe ndërkombëtar detyrues për trajtimin e pasagjerëve”.

Keti Biçoku

Lexo edhe: Star Airways anulon fluturimet, asnjë lajmërim për pasagjerët

Probleme të panumërta janë krijuar ditët e fundit nga kompania ajrore ItAli-Star Airways qoftë në Rinas qoftë në aeroporte italiane. Drejtori i Përgjithshëm i Aviacionit Civil Shqiptar, Ervin Mazniku, deklaron se vendosi t'i heqëq kompanisë të drejtën e operimit në territorin shqiptar

Romë, 6 shtator 2010 – Nuk kanë të sosur problemet e shqiptarëve që shkojnë e kthehen nga pushimet. Tragetet nisen rregullisht me vonesë e ofrojnë kushte udhëtimi vërtet të vështira. Por edhe kush zgjedh avionin si mjet më të shpejtë udhëtimi, jo gjithnjë ka një fluturim të kënaqshëm: mes vonesash disaorëshe apo mos-nisje të avionëve me qindra shqiptarë kanë mbetur aeroporteve në pritje të ndonjë informacioni mbi udhëtimin e tyre.

Veçanërisht problematike kanë qenë këtë verë udhëtimet me linjën më të re ajrore që operon në Shqipëri, Star Airways që mbështetet te kompania italiane ItAli. Ditët e fundit kjo kompani ka lënë në tokë qindra pasagjerë pa u ofruar asnjë lloj shpjegimi, qoftë për nisjen e mundshme qoftë për rimbursimin e dëmshpërblimin e personave që prisnin të udhëtonin. Aq sa të dielën më 5 shtator, Drejtori i Përgjithshëm i Aviacionit Civil Shqiptar, Ervin Mazniku ka deklaruar për mediat që Drejtori i  Përgjithshëm  i Aviacionit Civili Shqiptar, Ervin Mazniku deklaroi të dielën për mediat  se “kompanisë ItAli do t'i hiqet licenca e operimit  në Shqipëri si përgjegjësja kryesore e kaosit të krijuar veçanërisht fundjavën e fundit në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasit, për udhëtimet e “Star Awirays”. Në kushtet e jashtëzakonëshme të krijuara nga kjo kompani, jemi detyruar  të ndërmarrim vendimin për heqjen e së drejtës së operimit  për kompaninë “ItAli”, ka përfunduar Mazniku.

Pasagjerët në Rinas kanë kaluar edhe dy net rresht në aeroport dhe askush nuk u ka dhënë një zgjidhje. Mazniku ka deklaruar se strukturat e aviacionit civil u vunë në kontakte të vazhdueshëm me Entin Kombëtar të Aviaconit Civil Italian ENAC dhe Ambasadën italiane në Shqipëri për zgjidhjen e kësaj situate, por problemi mbetet ende i pazgjidhur. Në faqet e veta internet, aeroporti i Rinasit njofton thatë që “fluturimet ItAli airlines / Star Airways janë pezulluar. Pasagjerët janë të ftuar të kontaktojnë agjencitë e veta të udhëtimit”. Por në shumicën e rasteve, “agjencia e udhëtimit” është vetë Star Airways që i ka shitur biletat drejtpërdrejt on-line në starairways.it. Prej tri ditësh Star Airways është zhdukur pa lënë gjurmë: e kotë çdo përpjekje për të marrë prej saj ndonjë informacion. Në numrat e telefonit të vëna në dispozicion nga kompania nuk përgjigjet askush, ndërsa në sitin e saj internet nuk bëhet asnjë komunikim. Madje po të kërkosh të prenotosh një udhëtim, pasi vë të gjitha të dhënat për datën e vendin e nisjes të jepet vetëm një mesazh i thatë, pa asnjë sqarim: “Na vjen keq, por nuk u gjet asnjë udhëtim për këtë datë”.

Të njëjtat probleme me ata që prisnin të niseshin nga Rinasi, kanë pasur edhe ata që donin të niseshin nga aeroporte italiane drejt Shqipërisë. Të shtunën në redaksinë e Botës Shqiptare telefonon Prokop B. që shpjegon rastin e tij: “Çova gruan në aeroportin e Pizës dje (të premten, më 3 shtator). Do të nisej për Shqipëri me Star Airways rreth orës tre pasdite. Sapo arritëm lajmëruan një vonesë prej gjysmë ore, dhe meqë më duhej të paraqitesha në punë u detyrova ta lë aty, të sigurt që do të nisej me pak vonesë. Por në të vërtetë pa u thënë as pse e as kur, gruaja mbeti në aeroportin e Pizës, bashkë me nja 20 pasagjerë të tjerë deri në darkë. Askush nuk u thoshte ç’do të bëhej me ta, nëse do të niseshin apo do të rimbursoheshin. Në aeroport u thoshin të kontaktonin kompaninë, të flisje me dikë të kompanisë ishte e pamundur: në të gjithë numrat përgjigjej “zonjusha” e sekretarisë telefonike. Praktikisht në 1 të darkës u detyrova të shkoj sërish në Pizë, të marr gruan e ta sjell në shtëpi. Meqë duhet të shkonte patjetër në Shqipëri, sot në mëngjes herët premë një tjetër biletë, dhe shoqërova sërish gruan në aeroportin e Pizës. Këtë herë prita sa u nis... Askush deri tani nuk na ka thënë ç’do të bëhet me biletën që kemi në dorë, a do të na dëmshpërblejë njeri për kohën e humbur gjithë ditën e premte, për mundimin e time shoqeje që ishte edhe e sëmurë, për rrugën deri në Pizë që e bëmë tri herë (e nuk jetojmë as në Pizë por në provincën e Pistoiës). Si është e mundur që një kompani ajrore të lërë pasagjerët e vet në mëshirë të fatit e askush të mos të u thotë se si qëndron puna?”.

Nuk është hera e parë që një avion – për arsye të ndryshme – nuk niset, madje me ligj parashikohet edhe dëmshpërblimi që u përket pasagjerëve, jo vetëm në para, por edhe me ofrimin e fjetjes apo të ushqimit. Por është e papranueshme mungesa totale të informacionit, lënia për orë të tëra në aeroport e njerëzve pa u dhënë asnjë shpjegim mbi fluturimin të cilin e kanë paguar, dhe jo pak.

Keti Biçoku

Lexo edhe: Peripecitë e udhëtimeve me tragete

Të drejtat e udhëtarit

Artikuj te tjere...