Tema mërgimi - Shqiptari i Italisë

Në një intervistë dhënë dje për ATSh-në, zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, pohon se është gati një draft që pritet të diskutohet në Parlament, për përsosjen e sistemit të prodhimit të dokumenteve të reja. Ky draft ka si një ndër qëllimet parësore t’u vijë në ndihmë emigrantëve me anë të aplikimit në konsullata për letërnjoftimet elektronike dhe pasaportat biometrike

Tiranë, 3 shtator 2010 – "Një draft-amendament që pritet të çojë sistemin e prodhimit të dokumentave të reja të identitetit në perfeksion, pritet të diskutohet së shpejti në Kuvend", ka pohuar më 2 shtator (dje) gjatë një interviste për ATSh-në, zëvendës ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, duke shpjeguar dhe katër pikat kryesore, ku mbështeten ndryshimet, që lidhem me persosmërinë e sistemit dhe hapjen e aplikimeve në konsullatat shqiptare në botë, në ndihmë të emigrantëve për pajisjen e shpejtë me pasaporta biometrike.

"Rritja e kapaciteteve të prodhimit të pasaportave deri në 6 mijë në ditë, nga 3  mijë që janë kapacitetet aktuale të prodhimit të tyre është një ndër pikat e draft-amendamentit", tha Poni, pasi "për shkak të rritjes së kërkesave pas ardhjes së emigrantëve, kompania ka punuar mbi kapacitetet aktuale, duke e çuar deri në 5 mijë në ditë prodhimin e këtyre dokumentave".

Mundësia e zgjidhjes në mënyrë korrekte dhe të ndershme të kërkesave për përshpejtim të prodhimit të pasaportave nga aplikuesit është një tjetër komponent i rëndësishëm i amendamentit. Poni shpjegon se "kërkesa për përshpejtim të afatit të prodhimit nga koncesionari, kërkon një regjim krejt ndryshe nga  prodhimi konform kapaciteteve aktuale, rrit koston e prodhimit. Ndaj përshpejtimi i prodhimit sipas këtij amendamenti, do t'i vendosë shtetasit në një marrëdhënie më të drejtë me koncesionarin lidhur me koston". Sipas zëvendës ministrit të Brendshëm, kjo lidhet me faktin se shtetasit që aplikojnë për pasaportën e re e që janë të interesuar që ta marrin në një kohë sa më të shpejtë, do ta arrijnë kundrejt një pagese të detyruar, sikurse ndodh edhe në vendet e tjera.

Në sistemin biometrik të identitetit përfshihen edhe emigrantët, që vijnë nga vendet e treta për të shkuar drejt Europës, të cilët, bazuar në Konventën e Gjenevës, do të pajisen me dokumente të reja identiteti, që duhet t'u  përgjigjen standardeve të dokumenteve të reja shqiptare, sipas standardeve të biometrisë botërore. "Edhe ky është një tjetër komponent i rëndësishëm i amendamentit", tha Poni.

Lidhur me shërbimin ndaj emigrantëve, me mjaft rëndësi mbetet pika që lidhet me hapjen e menjëhershme të zyrave të aplikimit në konsullatat shqiptare në Romë, Milano, Athinë e Selanik në shërbim të emigrantëve shqiptarë jashtë atdheut.
Ndërsa bën të ditur se është biseduar edhe me konçensionarin, zëvendës ministri i Brendshëm tha se "është punuar intensivisht nga firma konçesionare dhe ministria, për të parë mjediset ku do të kryhen aplikimet, duke shpresuar se deri në fund të muajit nëntor, do të nisë aplikimi për pasaportat biometrike për emigrantët, fillimisht në Athinë, për t'u pasuar edhe me vendet e tjera". "Në se mundësia e aplikimit për dokumentat e reja të identitetit do të bëhet e mundur në këto konsullata, në bashkëpunim me koncesionarin do të shihet mundësia e hapjes së zyrave të aplikimit edhe në vendet e tjera", tha Poni.
Sipas tij, ky shërbim, do të bëhet kundrejt një pagese pak më të lartë nga e prodhimit të tyre në Shqipëri, por që gjithsesi, do të jetë më i ulet se çmimi aktual i prodhimit të pasaportave të vjetra për jashtë shtetit. "Çmimi që marrëveshja me koncesionarin parashikon për këtë shërbim është më i ulët se çmimi aktual i prodhimit të këtyre dokumentave. Në se ky çmim aktualisht është 135 euro për një pasaportë për emigrantët, me marrëveshjen e re, ky çmim do të jetë rreth 100 euro nëse do të aplikohet në Athinë, Selanik, Romë, Milano, etj", ka pohuar Poni.

Ai ka pohuar gjithashtu që pasaportat e vjetra do të jenë të vlefshme deri më 31 dhjetor të këtij viti: "Liberalizimi i vizave në fund të këtij viti për Shqipërinë përkon dhe me afatin e skadimit të pasaportave aktuale për jashtë shtetit. Pavarësisht kohës së skadimit të tyre, nga data 1 Janar 2011, ato  nuk do të jenë më të vlefshme dhe kjo është dhe kërkesë e Bashkimit Europian. Për të mos u ndodhur në kushtet e emergjencës, qytetarët shqiptarë duhet të aplikojnë për t'u pajisur me këtë dokument, pasi kanë privilegjin e madh që tashmë Shqipëria është në prag të liberalizimit të vizave, por ky proces ka kuptim vetëm me pasaportat e reja", thotë zëvendës ministri i Brendshëm.

Brenda 1 viti, në Shqipëri janë prodhuar mbi një milion pasaporta biometrike. Çdo muaj prodhohen 50 mijë pasaporta të reja nga firma konçensionare, ndërsa  "në muajin gusht, u prodhuan  160 mijë të tilla", është shprehur me kënaqësi zëvendës ministri.

Emigranti, nëse kthehet, është burim i vërtetë për Shqipërinë. Shqiptarët janë më të bindurit. Thonë: "Guri i rëndë në vend të vet". e kanë menduar gjithnjë kështu.
Leonard Lulaj ka ngritur një firmë ndërtimi, një palestër dhe është president i Federatës shqiptare të Gjimnastikës

Ndërtuesi
Emri mbetet shqiptar, por Leonard Lulaj tashmë është shtetas italian. Më i integruar se kaq? E megjithatë vendosi të kthehej në Shqipëri. Leonardi është 43 vjeç, i martuar, me dy fëmijë të vegjël. Ka qenë mes të parëve që ka ardhur në Itali, me vizë turistike në vitin 1992. edhe me fat: ishin vitet kur në Itali vihej duke sfiduar jetën me gomone. Sot duket si peshëngritës, e megjithatë Leonardi ka qenë për shtatë vjet, gjatë epokës së Enver Hoxhës, kampion kombëtar i gjimnastikës artistike. Të tregon kartëvizitën: president i Federatës shqiptare të Gjimnastikës. Madje edhe në Itali, mes shumë zanatesh që ka bërë, ka qenë edhe trajner i të rinjve në unaza e paralele, por edhe masazhator, mbledhës ullinjsh dhe pjatalarës.

Me Italinë nuk i ka ndërprerë të gjitha urat, e as ka ndërmend ta bëjë. Paguan qiranë e apartamentit në Roncaglia në provincën e Padovës, ku jeton i ati Pjetri dhe e ëma Persa, madje në Itali do të çojë edhe fëmijët të studiojnë kur t’u vijë koha.

Ndërsa në Shqipëri apartamentet i ndërton, dhe të tregon nga dritarja një pallat të madh akoma në ndërtim e sipër. E ndërkaq të nxjerr një tjetër kartëvizitë: Leonard Lulaj, administrator i përgjithshëm i Sky 07 Construction. Ka gjetur edhe kohën të diplomohej për drejtësi në Tiranë.

Sky 07 është edhe emri i palestrës së tij në Shkodër, dhe një kartëvizitë e tretë rendit specialitetet: balet, fitness, aerobi e të tjera akoma. Leonardit i pëlqen fjala sky, qiell: “Sepse qielli im – shpjegon – u hap në vitin 2007 kur u ktheva”. Intuitën e sipërmarrësit e ka të gjithën. Slogani i tij është: “Ku ka mjerim ka para”, sepse në një vend ku duhet ndërtuar gjithçka, siç është Shqipëria, ka nevojë për ndërtues. Dhe shpjegon: “Në Itali ekziston tashmë gjithçka. Ç’mund të ndërtoja atje?”. (G. Ruggiero)

Lexo edhe: Guri i rende ne vend te vet /1

Guri i rende ne vend te vet /2

Emigranti, nëse kthehet, është burim i vërtetë për Shqipërinë. Shqiptarët janë më të bindurit. Thonë: "Guri i rëndë në vend të vet". e kanë menduar gjithnjë kështu.
Bledar Bukaqeja ka ngritur në Shqipëri, pas përpjekjesh të ndryshme, një ndërmarrje të vogël telematike: përgatit site interneti dhe u jep punë dhjetë personave

Është një zyrë e vogël në Shkodër, në rrugën Don Bosco, ku një shkallë të çon përpara një dere. “Shtegtarët për zhvillim” është shkruar mbi derë. Kujt troket, e shumë vetë po e bëjnë, u hapin dy të sapomartuar, Mauro Platè e Cristiana Paladini, përgjegjësit e projektit “Risorse Migranti” të ideuar nga Acli-Ipsia, që gëzon bashkëpunimin e Karitasit Italian dhe të Kooperimit të ministrisë së Jashtme. Këtu e kanë kuptuar që emigranti, nëse kthehet, është burim i vërtetë për Shqipërinë. Shqiptarët janë më të bindurit. Thonë: “Guri i rëndë në vend të vet”. E kanë menduar gjithnjë kështu.

“Ideja – shpjegon Mauro Platè – është ajo e vlerësimit të kompetencave të personave që e kanë pasur rastin, edhe si klandestinë, të bënin eksperiencë jashtë shtetit, veçanërisht në Itali apo në Greqi. Duke mbështetur këta migrantë që kthehen, me dëshirë apo me forcë, mund të stimulohet formimi i një kulture sipërmarrëse për të krijuar një ind më të përshtatshëm, pse jo edhe mbi modelin italian”. E shoqja e tij, Cristiana, nga tavolina përbri, shton: “Ky është hapi i parë për të punuar mbi të drejtat e tyre. Kush kthehet sjell si bagazh gjithë ç’ka mbledhur jashtë shtetit. Kush ka jetuar si i parregullt e sjell në Shqipëri i bindur, ndoshta, që kjo është norma. Ndërsa projekti ka për qëllim formimin e punonjësit duke krijuar në të vetëdijen e të drejtave të veta”.

Nga viti 1991 deri në vitin 2005, sipas studimeve të Strategjisë Kombëtare për Migracioni, 710 mijë persona janë larguar nga Shqipëria; dërgesat e tyre në para gjatë vitit 2007 ishin 952 milionë euro duke përbërë 14% të prodhimit të brendshëm bruto. Shkodra është një nga distriktet më të goditura nga kjo hemorragji.

Pikërisht për këtë arsye projekti Acli lind këtu dhe në Lezhë. Zhvillohet në tre vjet. “Tani jemi vetëm në fazën e parë, atë të formimit për planin e ndërmarrjes. Vështirësia e parë për kë kthehet dhe dëshiron të hapë në Shqipëri një ndërmarrje të vogël – shpjegon Platè – lind pikërisht nga vështirësia e parashikimit të një plani sipërmarrës. Këtu thuhet “le ta nisim njëherë, pastaj shohim e bëjmë”, por ky është edhe motivi i parë i dështimit”. Faza e dytë e projektit është ajo e konsulencës dhe e shoqërimit në veprimtarinë e sipërmarrjes së vogël; ndërsa faza e fundit, që ende nuk ka nisur, është ajo e hapjes së garës për dhënien e kredisë “start up”, që nuk është tjetër veçse shuma e nevojshme për të nisur aktivitetin privat apo për të blerë materialet e para.

Natyrisht loja nuk është vetëm mes emigrantit që kthehet në atdhe dhe kësaj zyre të vogël. Edhe administrata publike ftohet të luajë rolin e saj. Deri më sot, vetëm 6% e personave të kthyer marrin një pension të vogël familjar nga qeveria shqiptare. “Do të përfshihen – është shkruar italisht e shqip në paraqitjen e projektit – aparatet administrative, autoritetet vendore dhe të sipërmarrësve me qëllim që të shfrytëzohen të gjitha mundësitë që përfaqësohen nga emigrantët e kthyer”. Deri më sot shkallën në rrugën Don Bosco e kanë ngjitur, plot shpresë, mbi 200 vetë.

Ndërmarrja telematike
Bledar Bukaqeja, 28 vjeç, i dobët, i mprehtë në fytyrë e me buzëqeshje gjithë ironi. Në Itali është fizikant, ka diplomën trevjeçare të Statale-s snë Milano, me një tezë mbi “Separazione dei livelli energetici della doppia buca di potenziale per effetto tunnel”. Në italishte të bukur të thotë: “Do të ta tregoj?”, dhe matet të marrë fletoren. Në Shqipëri ka ngritur, pas përpjekjesh të ndryshme, një ndërmarrje të vogël telematike: përgatit site interneti dhe u jep punë dhjetë personave. Fizikisht është në Shkodër, por selia legale e ndërmarrjes së tij është në Milano. Kush dëshiron të ketë faqe internet që të mbajnë firmën e ekipit të Bledarit (dhe e kanë bërë plot avokatë, ekonomistë dhe dentistë italianë), mjaft të shkojë në www.easywebitalia.it dhe e gjen atë që kërkon. Bledari në njëfarë mënyre i mban lidhjet me Italinë.

Iniciative tjetër sipërmarrëse e tij, një phon-center në Shkodër, përdorte linja telefonike italiane dhe më parë akoma, një call-center kalonte në Itali në mënyrë që të ofronte tarifa më të lira se ato të shoqërive telefonike shqiptare. Me Italinë e mbajnë lidhur dy vitet e tjera të universitetit. Në fakt, në shtator do të kthehet për të dhënë provimet në fakultet.

Përveç aftësisë me sistemet telematike, që duket se e ka dhunti të lindur, Bledari ka zotësinë e të kujtuarit të datave, veçanërisht ato që lidhen me jetën e tij italiane. Arriti në Itali më 28 shtator 2002, që atëherë e deri në vitin 2009 (23 tetor, për të qenë të saktë) ka bërë lloj-lloj punësh. Të gjitha të ndershme: transport invalidësh, ngarkim-shkarkim pakosh, pizzaiolo, dhe pjatalarës. Vetëm një herë ‘ia ka hedhur’ padrejtësisht dhe e rrëfen: “Në stacionin hekurudhor Roma Termini mora një birrë dhe një panine e baristi nuk ma mori faturën. Treni u vonua. Pas një ore kisha prapë uri. Me të njëjtën faturë mora një tjetër birrë e një tjetër panine”. Sikur heq një peshë nga shpatullat. Pse Bledar-ët nuk janë akoma të shumtë në Shqipëri? “Miqve të mi, të rinjve të moshës sime – thotë me ironi – u mungon njohjam e ashtuquajtura know how. Mendojnë vetëm me “kopjo dhe ngjit”. Dikush hap një bar, e pastaj edhe një tjetër, e një tjetër akoma”. Ka të drejtë. Mjaft të hedhësh sytë rreth e rrotull. Në të gjitha rrugët e Shqipërisë sheh bare, njëri pas tjetrit. (G. Ruggiero)

Lexo edhe: Guri i rende ne vend te vet /2

Guri i rende ne vend te vet /3

Letër në redaksi

Unë që po ju shkruaj quhem Spiro jetoj në Porto San Giorgio të provincës së Fermo. Dua t'ju tregoj aventurën që kishim me linjën e Tragetit Adria Ferries nga Durrësi për në Ancona të datës 22 gusht 2010 me nisje në orën 19,00. Kur shkuam për të bërë check in  na thanë që për arsye teknike do të udhëtonim për në Bari, dhe jo për Ancona siç kishim edhe biletat e prera kohë më parë. Askush nuk na dha një sqarim, por vetëm na bënë të ditur që po na çonin në Bari.

Kërkova të flas me një përgjegjës, por për fat të keq asnjë nuk të jepte një arsye, apo të zgjidhte problemin tonë. Na dhanë vetëm diferencën e parave të biletës (për Bari udhëtimi kushton më pak se për Ancona), kujt më shumë e kujt më pak pa kuptuar pse.

Unë dhe qindra pasagjerët e tjerë kishim të drejtë të shkonim në Ancona e jo në Bari, pasi kështu arrinim më pranë shtëpisë, sepse në Bari askush nuk na dha një qindarkë për të na rimbursuar benzinën dhe autostradën për pjesën Bari-Ancona që na u desh të bëjmë me makinë.
Në Durrës i binin shkurt: “Kur të arrini në Itali ankohuni pranë Adria Ferries”.

U mundova të flas edhe me policinë shqiptare, por për fatin tonë të keq nuk kemi policë që mundohen të zgjidhin hallin e udhëtarëve, por që të kthehen me zë të lartë, duke të ofenduar edhe pse  je duke kërkuar të drejtat e tua.

Kontaktova edhe Ambasadën italiane në Tiranë, meqenëse jam edhe shtetas italian. Edhe këtu më kthyen përgjigje që për arsye teknike trageti do të shkonte në Bari e jo në Ancona. Kështu dhe pikë! Por pyetjeve të mia se si ka mundësi që “një traget me probleme teknike shkon në Bari por jo në Ancona?”, apo që “jetojmë a nuk jetojmë në një vend të lirë e demokrat ku të drejtat më mbrohen me ligj?”, më në fund funksionari i Ambasadës m’u përgjigj që ajo nuk ka asgjë në dorë, sepse kjo është “çështje biznesi”. E falënderova për sinqeritetin...

Por a është përgjigje kjo? Qenka çështje biznesi? Po ne pasagjerëve kush na i rimburson dëmet e shkaktuara nga Adria Ferries? E të drejtat tona a nuk qëndrojnë mbi çdo “çështje biznesi”?

Spiro Prebibaj

Lexo edhe: ZMK: “T’u hiqet licenca trageteve që abuzojnë me udhëtarët shqiptarë”

Peripecitë e një udhëtimi me traget

Emigranti, nëse kthehet, është burim i vërtetë për Shqipërinë. Shqiptarët janë më të bindurit. Thonë: "Guri i rëndë në vend të vet". e kanë menduar gjithnjë kështu.
Zef Brunga ka hapur "Bar Tratori Zefi", përgjatë rrugës së drejtë për Blinisht ku makinat shkojnë me shpejtësi, dhe mbi çati vendosi të ngrinte edhe flamuri gjerman veç atij shqiptar


Gjellëtorja në Krajen

Është tamam gjerman: i gjatë, biond me sy të kaltër. Madje edhe flet mirë gjermanisht Zef Brunga. E ka mësuar në Tremosine të Gardës, në hotelin ku ka punuar për vite me radhë të frekuentuar nga klientë gjermanë. Kur qe gati struktura në dru ku sot është “Bar Tratori Zefi”, përgjatë rrugës së drejtë për Blinisht ku makinat shkojnë me shpejtësi, vendosi që mbi çati të ngrihej edhe flamuri gjerman veç atij shqiptar. “Pse?” e pyeti e shoqja e re Marta. Dhe ai: “Prit e do ta shohësh!”. U ul pranë një tavoline që nuk kaloi shumë kur, në një re pluhuri, arrin e parkon një Bmv me targa të Duseldorfit. Një “willkommen” dhe buzëqeshje në fytyrat e klientëve të parë. tregon Zefi: “Shqipëria po bëhet një vend turistik. Gjermanishten e njohin pak. Unë jam mes këtyre...”. Domethënë ua ke vënë syrin klientëve gjermanë? Ia hedh me: “Por jo, jo. Kam edhe flamuj të tjerë!”.

Zefi është 23 vjeç. Falë syzave duket si intelektual por në të vërtetë ka punuar gjithnjë rëndshëm, që kur ishte nëntë vjeç. Ndihmonte të atin në fshat. Një vit më pas i hyn punës në një dyqan ushqimor të familjes: “Jam rritur – shpjegon ai – me idenë e administrimit të një sipërmarrjeje personale pa qenë i varur nga ndonjë punëdhënës. Për këtë arsye, kur pata mundësi, hapa këtë gjellëtoren.

Zefi ka ardhur në Itali kur ishte akoma në moshë të mitur. Klandestin. 18 vjeç i mbushi në Itali, gjithnjë duke punuar: “Gjatë pesë vjetëve që kam qenë në Itali, e kam bërë a s’e kam bërë një javë pushim”. Bojaxhi, shitës mobiliesh, punëtor në hotelin në Garda: “Vetëm kam punuar – thotë – dhe në Itali ndihesha, jo mirë, por shkëlqyeshëm”. Zefi është nga ata të rinj që ka përkrahur projektin e Acli-t. Por iniciativat (përfshirë flamurin gjerman) janë të tijat. “Gjithçka që piqet aty – dhe bën me gisht nga skara për të cilën kujdeset i ati – është rritur në fermën tonë: pula dhe derra. Kam merak cilësinë, sasinë dhe çmimin”.

Në Itali ishte jo mirë, por shumë mirë, e megjithatë Zefi u kthye. “E ta them menjëherë pse, – shpjegon – zemrën e kisha lënë këtu. Në Itali nuk vura pasuri. U ktheva me pak euro në xhep. Por më dha kulturën e punës që këtu në Shqipëri, pak a shumë, akoma mungon”. (G. Ruggiero)

Lexo edhe: Guri i rende ne vend te vet /1

Guri i rende ne vend te vet /3

 

Kush ka thënë që bijtë e emigrantëve nuk shkojnë mirë me mësime? Brisa, Greta, Klajdi, e shumë e shumë të tjerë dëshmojnë të kundërtën.
Brisa ka përfunduar vitin shkollor me rezultatet maksimale, Greta është e para e shkollës, ndërsa Klajdi (foto poshtë) është fitues i olimpiadës së Neuroshkencave në Itali dhe u rendit i teti në të njëjtën olimpiadë në nivel botëror

Brisa Lutaj, Francesco Cheng, Anna Wiktoria Redel. Tre nxënës model me origjinë të huaj që në institutin profesional Sassetti Peruzzi të Firences këtë vit kanë marrë notën maksimale në provimin e maturës. Vetëm dy nxënës të tjerë 100% italianë, kanë qenë në nivelin e të parëve në të njëjtën shkollë.
Një parakalim i vogël, që i vë shkelmin stereotipave mbi nxënësit e huaj që ulkan rendimentin e klasave, aq sa u dashkan ndarë në klasa të veçanta nga ato të italianëve. "E marrim shkollën shumë seriozisht, sepse e shohim si mundësinë e vetme që kemi për të çarë në jetë" Thotë Brisa në një intervistë. Pa kursyer një kritikë për bashkëmoshatarët me më pak dëshirë për shkollë: "Shoh shokët italianë që nuk tregojnë interes për të studiuar. E kjo gjë më ngre pak nervat".
E mos kujtoni që rasti i shkollës së Firences është rasti i vetëm. "Ashtu siç ka ndodhur edhe me brezat e dytë e të tretë të italianëve në emigracion, edhe bijtë e emigrantëve në Itali mundtë arrijnë rezultate shkollore të shkëlqyera, edhe më të mira se të italianëve" thotë Carlo Melegari, drejtor i Qendrës së Studimeve mbi Imigracionin (Cestim) të Veronës.
"Natyrisht vështirësi ka, këta të rinj duhen ndihmuar fillimisht për t'u integruar në shkollë. Por aftësia për të kapërcyer pengesat, bashkë me pritshmërinë e lartë të prindërve të tyre, mund të përfaqësojnë një marsh më shumë për t'u bërë nxënës model" vëren Melegari.
Vullneti i brezave të dytë vërehet, për shembull, në kurset verore të gjuhës italiane të organizuara nga Cestim qindra bij emigrantësh u kthehen bankave për katër orë në ditë edhe në korrik e gusht, ndërsa bashkëmoshatarët e tyre bëjnë qejf plazheve. "Edhe ky fakt i thjeshtë është provë e një motivimi të madh" nënvizon drejtori i qendrës së studimeve.

Një tjetër rast 'krenarie' për shqiptarët në Itali është Klajdi Zeneja, 18 vjeç që jeton në Brescia e që në qershor u shpall fitues i olimpiadës së Neuroshkencave që u zhvillua në Qendrën e fizikës teorike "Abdus Salam" të Triestes, dhe u rendit i teti në shkallë botërore kur më pas përfaqësoi Italinë në Olimpiadën ndërkombëtare që u zhvilluar në San Diego të Kalifornisë nga 12 deri në 15 gusht. E ta thotë me shumë modesti: “Nuk arrita ndonjë rezultat në San Diego, u rendita i teti”.
Klajdi i ka të qarta idetë mbi të ardhmen e tij: "Pasioni për mjekësinë më shoqëron që i vogël - tregon gjithë krenari, para syve të përlotur nga mallëngjimi të së ëmës - gjithnjë kam pasur ndërmend të studioj për mjekësi pas liceut, por isha i pavendosur mbi specializimin. Tani, pas eksperiencës së Olimpiadës jam i sigurt që do të specializohem për neurologji".
Kompeticioni ku mori pjesë Klajdi,  është i përbërë nga tre faza: lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare. Në Itali në fazën e garave lokale u përzgjodhën tre nxënësit më të mirë për çdo krahinë, të cilët më pas u seleksionuan në nivel kombëtar. Pesëmbëdhjetë nxënësit më të mirë që përfaqësonin krahinat Trentino Alto Adige, Friuli Venezia Giulia, Lombardia, Marche dhe Toscana sfiduan njëri-tjetrin në Olimpiadën kombëtare në një sërë provash të vështira si fjalëkryqe, harta anatomike, diagnoza patologjike dhe pyetje të tjera.
Pesë nxënësit që mblodhën më shumë pikë u përballën më pas në një provë me gojë, dhe Klajdi Zeneja e Caterina Gallizzoli, shokë klase, janë ata që dhanë të pesta përgjigjet e sakta. Më pas ata u përballën në një sfidë me eliminim të drejtpërdrejtë të cilën e fitoi i riu shqiptar.

Greta Priska është një tjetër bijë emigrantësh shqiptarë që jeton me familjen në provincën e Pratos. Në Montemurlo (PO), Greta ndoqi Institutin e Artit dhe ishte e para në shkollë: ajo përfundoi vitin shkollor me 98/100. Asnjë nxënës tjetër i shkollës nuk arriti të marrë notat e saj, ndaj edhe ishte Greta që meritoi edhe një çmim-bursë prej 500 eurosh që ish vënë në dispozicion për nxënësin më të mirë. (ke.bi.)

Bari-Durrës-Bari
me "Riviera Adriatica"

31/07/2010
Bari-Durrës
Ora e nisjes 23.00 – Kabinë suitë
Sipas orarit imbarkimi duhet të fillonte në orën 20.00 po që në check-in na lajmëruan që nisja do të ishte me vonesë pa asnjë informacion tjetër. Nuk di të them sa makina kishte, por ishin shumë, vetëm autobusë na kaluan përpara syve mbi 20.

Pas shumë orësh pritjeje në portin e Barit i vetmi informacion që na u dha, në orën 2 pas mesnate, ishte:
“Të gjithë pasagjerët që kanë bërë check-in, me të gjitha tragetet, të nisen për imbarkim (!!!)”
Më në fund, pas shumë orë udhëtimi (me makinë nga Roma në Bari) dhe pritjeje më priste një kabinë extra-lusso (kështu shkruante bileta, të paktën).
Që në hyrje kuptoje që trageti kishte shumë kohë që udhëtonte, po vërtet shumë… Mund të them që ishte “i drobitur”... 
Në derën e kabinës extra-lusso më priste një kuti lëngu frutash bosh që e largoj paksa me këmbë në një cep dhe të nesërmen në mëngjes e gjej po aty. Në kabinë vetëm krevatet ishin të ndërruara; një divan dhe një poltronë (që duhet të përbënin luksin) ishin të vjetra dhe shumë të pista, tavolina e palarë me një pyetësor sipër për cilësinë e udhëtimit, (të guximshëm, ama!), banja e vjetër me gjëra të thyera dhe sigurisht e papastruar. Besoj ishte e kotë të ankoheshe.

Dëgjohet lajmërimi: “self service është hapur, kuzhinë italiane dhe internacionale”.
Kur dal nga kabina shoh me dhjetëra burra, gra, fëmijë, të rinj e të moshuar, të shtrirë në sallon, në korridore, në kafene… kudo, të pajisur me batanije, çarçafë e jastëkë, “të organizuar”, me një fjalë. Sigurisht me atë çmim që kishte udhëtimi. Të ishin vallë plot të gjitha kabinat, sa më dhanë  suitën e famshme?!
Kuzhina italiane dhe internacionale konsistonte në pulë e patate të skuqura të stërngrohura, të ditëve më parë besoj, makarona e mish bajate, djathë që nuk e di se i çfarë origjine ‘internacionale’ ishte.
Pas gjithë këtij “luksi” nuk më mbetej veç të flija.

Mëngjes, përshëndes përsëri kutinë e kartonit në derën e kabinës, kapërcej njerëz të shtrirë nga të katër anët dhe marr një kapuçino, jo që me tentativën e parë, sepse fillimisht baristi ma preu shkurt “S’kam qumësht për kapuçin”, pastaj nuk e di se ku e gjeti e ma bëri. Bëj një xhiro të vogël në “karretën” që po na çonte në Shqipëri. Kur kthehem të marr kafenë e dytë në tavolinat e “Solaris”, bari në pjesën e pasme të tragetit, nuk kishte vend ku të mbështesje asgjë. Shikoj përreth dy koshat e vetëm me etiketat “Vetëm ushqim” “Vetem qelq” (boh, të gjitha gjërat ishin plastike) stërplot dhe asnjeri që të vinte të pastronte, vetëm muzikë buçitëse, baristë që tundeshin dhe njerëz me fytyra të lodhura që pinin pa pushim, çdo gjë e hidhnin në tokë, edhe pse nuk kishte mënyrë tjetër.
Rreth orës 11, kur shikonim më në fund tokën (“terraaaaaa” m’u kujtuan filmat me emigrantët italianë kur shihnin Amerikën) lajmërojnë me altoparlantë që pas gjysmë ore do hynim në portin e Durrësit, jo më parë për shkak të trafikut të ngarkuar. Dhe kjo gjysmë ore u lajmërua disa herë rresht në  intervale nga 10 min për tre orë të tjera.
Në dalje (mes 100 shtetësive të personelit) një i “yni” më thotë “ciao motra”!!!!

21/08/2010
Durres-Bari
Ora e nisjes 23.00 – Kabinë
Check-in në orën 22... apo më mirë, që nga ajo orë deri në 1 pas mesnate. Makinat shkonin përpara me hap njeriu,  pa asnjë lloj informacioni përveç “ecni drejt tragetit”. Detyrohem të zbres nga makina për nevoja personale, dhe të ngjitem më këmbë në traget.

Gjej përsëri “vëllanë” tek hyrja që po luftonte me një zotëri, me të shoqen dhe tre fëmijë të vegjël, që kërkonte të shoqëronte familjen në kabinë dhe më pas të kthehej tek makina. E pamundur nuk lejohej dalja nga trageti pasi kishe hyrë. Motive sigurie? Boh, asnjë kontroll përveç biletës nga të dy krahët  Nuk kishte njeri tjetër që t’i shoqëronte, të ndihmonte gruan me tre fëmijët??? Me duar te zëna siç isha, nuk mundesha. Zotëria hoqi dorë, për të shoqen ishte thuajse e pamundur të ngjitej vetëm me tre femijë të vegjël, një në krahë dhe dy të ngjitur pas fustanit ... Se si ia doli nuk e di.
Për të tjerat e kotë të zgjatem, ... déjà vu.
Bari, ora 14. Të paktën në destinacion. Me betimin se nuk do të marr kurrë më anijen për të shkuar në Shqipëri.

Brikena K., letër në redaksi

Lexo edhe: ZMK: "T’u hiqet licenca trageteve që abuzojnë me udhëtarët shqiptarë"

Duhet të mbërrija në Ancona, por më lanë në Bari

Artikuj te tjere...